27 vjetori i PD-së, Basha: Pakti i 18 majit për të shpëtuar Shqipërinë, Rama e mbyti atë

509
Festa e organizuar nga Partia Demokratike për të kujtuar 27 vjetorin e themelimit të kësaj force, shërbeu për t’i kujtuar kundërshtarëve përpjekjet kundër krimit
Partia Demokratike e Shqipërisë, festoi sot 27-vjetorin e themelimit të saj. Në një pritje të organizuar në Pallatin e Koncerteve, kryetari i PD-së, Lulzim Basha kujtoi me mirënjohje ata që themeluan këtë forcë politike, dhe në veçanti studentët e dhjetorit. “Jemi sot për të kujtuar gjeneratën e kësaj historie të madhe, për të nderuar protagonistët dhe për t’u frymëzuar, për të reflektuar dhe për t’u nisur me energji të reje”, tha Basha.

Lëvizja e dhjetorit dhe PD që lindi prej saj, tha Basha, kanë prodhuar Shqipërinë e orientuar nga Evropa dhe nga Amerika”. Dhe për këtë, sipas Bashës demokratët kanë të drejtën legjitime për t’u krenuar për këtë forcë politike. Në fjalën e tij Basha nuk harroi të përmendë edhe disa prej figurave kryesore të kësaj partie ndër vite. “Përkujtojmë me nderim ata që s’i kemi mes nesh. Është Azem Hajdari, janë themeluesit e Partisë Demokratike, është Sokol Olldashi. PD është bija e guximit dhe shpirtit tuaj të lirë. Respekt dhe mirënjohje”, tha Basha para të pranishmëve. Më tej Basha e cilësoi këtë përvjetor të trefishtë të tre ngjarjeve të mëdha historike, të cilat ndanë në dysh kohën e Shqipërisë: në njërën anë diktatura komuniste gjysmë shekullore, që përfundoi në koshin e historisë si kujtimi më i keq i brezave, në anën tjetër demokracia perëndimore që filloi epokën e saj të re. “Por nga ana tjetër, ky dhjetor nuk është si gjithë të tjerët sepse vjen në vitin e krimit të madh zgjedhor të 25 qershorit, pasojat e të cilit janë një dënim i madh për qytetarët shqiptarë në radhë të parë, për demokracinë tonë. Pastaj edhe për PD dhe opozitën. Ky ishte një regres i jashtëzakonshëm, një kthim prapa që kërkon nga ne reflektime, vendime dhe veprime të matura por të vendosura. Dhe ne e kemi vullnetin, i kemi mundësitë ta bëjmë ketë. Po e bëjmë këtë çdo ditë. Historia na ndihmon.”, tha Basha. “ Dhe sot, pak muaj pas zgjedhjeve, përpjekjet tona po japin rezultat dhe shqiptarët po e kuptojnë drejtësinë dhe vetëmohimin e betejës që ne bëmë dhe po na japim vlerësimin dhe mbështetjen që meritojmë. Ky është fillimi i shpërbërjes së strukturës kriminale, të shpërbërës së gënjeshtrës së madhe mbi të cilin qëndron narko-qeveria në pushtet. Kjo qeveri solli disa rekorde të zeza për vendin, por katër prej tyre nuk i ka parë historia e asnjë vendi në Evropë dhe në botë. Rrallë ka ndodhur që denoncimet në kohë reale të opozitës të aferave kriminale dhe korruptive të vërtetohen një për një, deri në hollësi, emër për emër, nga shpërthimi i skandaleve dhe dalja në dritë e të vërtetës më vonë. Për këtë arsye ne pranuam draft-marrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare. Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt. Partia Demokratike nuk bleu vota dhe nuk angazhoi kriminelë. Forca jonë, besimi ynë, sot më shumë se kurrë janë alternativa, programi, gara dhe bashkimi. Në themel të këtij projekti le të vendosim parimet e demokracisë, transparencës, vendim-marrjes gjithëpërfshirëse, llogaridhënies si parimet që do të udhëheqin partinë tonë. Ora më e errët është ajo para agimit. Kështu ishte 27 vite më parë. Kështu është edhe sot.”, tha Basha në fjalën e tij. 
Sigal