265 mijë kërkesat për azil, mund të rikthejnë vizat

564
Rikthimi i vizave, Shqipëria në listën e “zezë” të kriminalitetit, Holanda jep alarmin
Dy vitet e fundit 265 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në disa vende të BE-së. Gjermania, Franca, Holanda, Islanda, Belgjika kanë dhënë alarmin për rritjen e numrit
Shqipëria që prej viti 2010 kur u krye procesi i liberalizimit të vizave me vendet e Procesi i zonës “Shengen” është duke u përballur me një fenomen tepër të rëndë. Kërkesat për azilkërkim nga ana e shtetasve shqiptarë sa vjen dhe rriten. Situata është rënduar dy vitet e fundit. Fillimisht ishte Gjermania ajo që u ndesh me këtë fenomen dhe që kërkoi menjëherë marrjen e masave nga autoritetet e vendit tonë. Por duket se fenomeni ka marrë përhapje tepër të gjerë. Shtetasit shqiptarë ndihen në gjendje të mjeruar. Nga ana tjetër kemi edh enjë kategori personash të cilët janë pjesë e krimit të organizuar dhe që kanë ndikuar negativisht në procesin e liberalizimit të vizave, madje si pasoje e kësaj kategorie , jo në pak raste qeveria jona ka marrë vërejtje dhe i është kërkuar ndërhyrje për zgjedhjen e situatës. Liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të “Shengen” në tetor të vitit 2010, nuk ishte vetëm një vendim me të drejta por dhe me detyrime të shumta. 

Rregullat
Për të përfituar nga liberalizimi i vizave, shqiptarët duhet të pajiseshin me pasaporta biometrike, gjë e cila ishte një nga lëvizjet më të mira të asaj kohe pavarësisht që për t’ia arritur u desh një “luftë” e madhe. Pasaporta biometrike ka brenda një mikrocelulë (mikroçip) ku janë të regjistruara edhe shenjat e gishtërinjve. Kjo gjë bëri që shumë qytetarë shqiptarë të identifikoheshin menjëherë pas kalimit të kufirit. Kjo gjë gjithashtu ishte një siguri për vendet e Bashkimit Evropian, se do të mund të identifikonin personat me rekorde kriminale. Me liberalizimin e vizave maksimumi i qëndrimit u vendos për 90 ditë nga data e hyrjes, brenda një periudhe prej 180 ditësh (6 muaj). Kjo do të thotë që mund të bëhen udhëtime të shkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos i kapërcejë të 90 ditët brenda një periudhe prej gjashtë muajsh (180 ditësh).

Sanksionet
Autoritetet kufitare të vendeve të zonës Shengen kanë të drejtë që të mos lejojnë hyrjen, nëse këto kushte nuk respektohen, dhe të marrin një vendim përfundimtar për sa i përket aprovimit për të hyrë në vend. Nuk duhet harruar që këto rregulla vlejnë vetëm për të udhëtuar për periudha të shkurtra, nuk do të të japin mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj ose për të gjetur punë. Për këtë duhet paraqitur kërkesa për një vizë afatgjatë pranë Ambasadës ose Konsullatës së vendit të zonës Shengen ku dëshiron të shkosh. 

Problemet e azilantëve në 2015
Pas liberalizimit të vizave me shqiptarët nisi edhe një dukuri e re. Mijëra qytetarë nisën të shpërngulen nga vendi i tyre. Një nga vendet më të frekuentuara nga azilantët është Gjermania. Por jo vetëm kjo u prek nga fluksi i lartë i azilantëve. Në vitin 2015, plotë 8 vende njohën një numër rekord aplikimesh, të paparë ndonjëherë, që prej fillim-viteve ’90. Në total, Shqipëria është vend i gjashtë për sa i përket numrit të azilkërkuesve, sipas statistikave të publikuara nga organizata holandeze, Vluchtelingenwerk, një organizatë jo-fitimprurëse që monitoron refugjatët në Bashkimin Evropian. Këto të dhëna u mbështetën edhe nga raporti i fundit i agjencisë Evropiane për statistikat, Evrostat, që në raportin e saj ka publikuar një listë me shtetësinë e aplikuesve në mars të 2015. Ajo që u vu re në atë periudhë është që në 8 vende të Bashkimit Evropian shtetasit Shqiptar përbëjnë grupet kryesore si aplikues për azil. Në Islandë problemi është me i madh, ku 11% e aplikuesve për azil janë shtetas shqiptar dhe sjellin numrin e aplikuesit me të lartë në ketë vend. Në Liechtenstein dhe Irlandë shqiptarët përbëjnë grupimin e tretë. 

Në gusht të vitit 2015, vjen sinjali i parë për rikthimin e vizave me Shqipërinë
Viti 2015 solli edhe reagimet e para të vendeve evropiane për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Kjo u pa si alternativa kryesore dhe si një domosdoshmëri për atë periudhë. Propozimi në atë kohë erdhi nga Unioni i Bashkive dhe Komunave gjermane, krerët e së cilës i propozuan autoriteteve në Berlin, ashpërsimin e politikave për refugjatët, veçanërisht për ata nga Ballkani. Rikthimi i regjimit të vizave, sipas kësaj shoqate, duhej parë si alternativë nëse shpallja si vende të sigurta origjine e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ndalimi i rikthimit për azilantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, apo masa të tjera, nuk arrijnë të ndalin fluksin e azilkërkuesve në Gjermani.
Sigal