25 vjetori i rënies së Komunizmit Nishani: Dialogu të afirmohet si kulturë

510
Presidenti Bujar Nishani, në një ceremoni të mbajtur mbrëmjen e së martës me rastin e Ditës së Rinisë, theksoi se “fryma e dialogut duhet të afirmohet si kulturë e jetës sonë politike për të lënë pas konfliktualitetin e dëmshëm” që na largon nga Evropa.
“Shqipëria feston njërën prej ngjarjeve më të shënuara të historisë së saj. 25-vjetorin e lëvizjes studentore dhe rënien e komunizmit. Studentët janë gjeneza e demokracisë sonë të re. Në Shqipërinë e bunkerëve, krijuan oazin e parë të lirisë, nga u nis orteku i ndryshimit”, e nisi fjalën e tij kreu i shtetit.
Nishani tha më pas se Evropa ka qenë gjithmonë frymëzimi dhe ëndrra e shqiptarëve, por “problemet e rënda” me të cilat u përball demokracia jonë ishin një devijim nga kjo ëndërr.
“Mrekullia e dhjetorit tonë është pasqyra e mrekullisë që përjetoi Evropa në vitin 1989. Atë ditë kishte pak evropianë në Tiranë, të cilët e ndanë me shqiptarët magjinë e përmbysjes së regjimit, por Evropa, edhe pse dukej larg, ishte afër. Ajo ishte frymëzimi i popullit shqiptar. Shqipëria në NATO dhe kandidate për në BE ishin ëndërr. Problemet e rënda të demokracisë kanë qenë dhe janë një devijim nga ëndrra. Lëvizja studentore shqiptare na tregon se pluralizmi lindi në shenjën e dialogut. Fryma e dialogut duhet të afirmohet si kulturë e jetës sonë politike për të lënë pas konfliktualitetin e dëmshëm”.
Sigal