25-vjet parlament pluralist, Kuvendi organizon Ditën e Dyerve të Hapura

462
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë organizon të premten Ditën e Dyerve të Hapura në Sallën e Seancave Plenare, në kuadër të 25-vjetorit të parlamentit pluralist demokratik. Me këtë rast, nga ora 10:00 – 15:00, qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë ambientet e Sallës së Seancave Plenare dhe të njihen me historinë e parlamentit pluralist demokratik.

Në vitin 1991, në Shqipëri pas pesë dekadash shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Pas një periudhe 67 vjeçare mblidhet parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 me 250 deputetë të zgjedhur.

Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, i miratuar atë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore më 21 tetor 1998, e cila krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor, me Kushtetuën e re, u ndryshua në Kuvendi i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë).

Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i tij është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik.

Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentët më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.