23 Qershori, lufta për karrigen e Kryeministrit

93

Në 23 vitet e tranzicionit politikanët shqiptarë nuk kanë zhvilluar luftë për parime, por për karrigen e kreut të Këshillit të Ministrave

Në 23 vjet sherret dhe grindjet midis liderëve tanë historikisht janë bërë vetëm për karriget e pushtetit dhe plasaritjet më të mëdha kanë ndodhur për karrigen kryeministrore. Këtu mjafton që të përmendim që nga sherri i Berishës me Selamin, e deri te ndarja e fundit e Metës me Ramën, ndërkohë që, ky sherr kishte ndodhur më parë midis Nanos e Metës, duke e detyruar këtë të fundit të krijonte një parti të re. Deri tani fushata elektorale e dy koalicioneve jep përshtypjen se po ecën në rrugën e parashikuar dhe pa incidente. Duket sikur vëmendja kryesore e liderëve partiakë është përqendruar te programimet dhe platformat, por në fakt ethet për postin kryeministror kanë kohë që janë shpërfaqur. Deri tani ka rënë në sy, gara e Berishës me Ramën, ku secili prej tyre ka folur në emër te kryeministrit të nesërm. Por më tutje, hija e Ilir Metës e tremb stafin e socialistëve, të cilët e dinë mirë se këtë “kostum”, Meta e njeh mirë, ngaqë e ka veshur rreth 13 vjet më parë. Kur qeverisnin të majtët. Duke i njohur mundësitë dhe ambiciet e Metës, brenda gjirit të aleatëve të PS-së, po kristalizohen qëndrime dyshuese ndaj Metës. Kështu, Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, në një intervistë u shpreh se, debati që është hapur se kush duhet të jetë kryeministri i ardhshëm, Edi Rama apo Ilir Meta, është i panevojshëm, pasi forca e parë cakton edhe kreun e qeverisë. Në këtë kontekst, Gjinushi tha: “Nëse thua që këtë forcë, që erdhi nga qeveria, do ta vëmë në krye të vendit, kjo e komprometon rëndë dhe vetë misionin opozitar. Nëse duhet të heqim Saliun për të vënë Metën, më mirë ky që është. Kjo është një gafë dhe provokim politik dhe mesazhi më i gabuar që mund të japë e majta dhe opozita në prag të zgjedhjeve”, tha Gjinushi. Por kjo duket se është një deklaratë që nuk e mbaron, por vetëm e rifillon debatin për Kryeministrin e ardhshëm në zgjedhjen ndërmjet Ramës dhe Metës. Por në bazë të sondazheve të deritanishme, duket se zgjedhja e kryeministrit, do të jetë gjëja më e vështirë, pasi asnjë nga koalicionet politike nuk ka krijuar ndonjë diferencë ndaj tjetrës. Kështu rezultati i sondazhit të djeshëm sipas të cilit e majta merr 48 për qind dhe e djathta 43.5 për qind tregon qartë se me këto rezultatet, duket se nuk do të kemi asnjë kryeministër. Dhe kështu tre kandidatët kryeministrorë, do të duhet të bëjnë shumë premtime dhe lëshime në emër të partive të vogla për të gjetur konsensusin e tyre. Sepse deri tani duket se rezultati 48 % me 43.5 për qind, ka një avantazh të vogël të së majtës, prej 4.6 për qind, në një kohë në një kohë kur marzhi i gabimit është 2.5 për qind,

Berisha

Në rast fitoreje të së djathtëve, në Partinë Demokratike emri i Kryeministrit të ardhshëm nuk diskutohet, sepse Berisha hyn në këtë konkurrim si ish kryeministër dhe si kryetar partie. Në bazë të statutit, Berisha fiton automatikisht nga Presidenti, të drejtën e formimit të kabinetit qeveritar. Kjo do të mundësojë një mandat tjetër qeverisës të Berishës, ku këtë radhë do të mungojë pjesëmarrja e LSI-së. Nga ana tjetër, Berisha ka deklaruar disa herë që “unë do të jem kryeministër deri në vitin 2017”. Përveçse shpreson te votat e elektoratit blu, Berisha shpreson edhe te përçarja brenda kampit rozë, në luftën për kreun e këshillit ministror.

 Rama

Edhe Rama vetë nuk i beson plotësisht rezultatet e këtyre sondazheve dhe ai e di fare mirë që këto rezultate mund të përmbysen disa herë deri më 23 Qershor. Por këtë radhë Rama ka besim tek marrja e pushtetit, sepse ka në krah një aleat të fortë, siç është LSI-ja, e cila sipas analistëve po  e rrit dita -ditës imazhin  e vet. Disa herë gjatë këtyre periudhave të fundit Rama ka folur si Kryeministër i ardhshëm, Deri tani marrëdhëniet e sapo rikrijuara midis PS dhe LSI, ose më saktë midis Ramës dhe Metës duken sikur nuk kanë plasaritje. Por e njëjta situatë ishte brenda PS, edhe në prag të zgjedhjeve të vitit 1997, kur Nano, Meta dhe Majko shkonin shumë mirë. Dhe fill pas marrjes së pushtetit u shfaqën grindjet midis tyre, të cilat arritën deri në ikjen e Metës nga PS-ja dhe krijimin nga ana e tij, të LSI-së. Në këtë kontekst, deklaratat e shumta të Ruçit dhe liderëve të tjerë socialistë, për zbatimin e Kushtetutës në rastin e caktimit të Kryeministrit, nuk mund të konsiderohen të qëndrueshme, pasi përplasjet brenda të majtëve kanë qenë evidente gjithmonë për të njëjtën arsye: për postin e kryeministrit. Ishte ky shkaku kryesor që Meta u nda nga Rama dhe më vonë u lidh me Berishën, duke krijuar të dy bashkë një koalicionin të përbashkët qeverisës për një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, sherri i Ramës me Metën u përsërit midis dy aleatëve, pikërisht për postin  e kreut të këshillit të ministrave, në rast fitoreje të të majtëve. Kjo tërheqje litari për postin kryeministror, gjatë kohës kur ata ishin në opozitë, pas zgjedhjeve të vitit 2005, midis Metës dhe Ramës, bëri që ata të dy të ndahen, ndërkohë që, më vonë u krijua koalicioni i ri Berisha-Meta. Duke e njohur këtë sëmundje të vjetër të politikës, Berisha ka hedhur dyshime mbi klimën aktuale brenda së majtës.

 Ilir Meta: Berisha ta marrë karrigen e Kryeministrit në shtëpinë e tij!

 Në një prononcim të bërë dje, kreu i LSI-së Ilir Meta, me anë të disa fjalive i ka dhënë përgjigje deklaratave të Berishës, por edhe të Gjinushit. Ndaj, Berishës ai është përgjigjur kështu: “Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Ndërsa për çështjen në fjalë, mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do të propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi Presidencën e mori karrigen e presidentit me vete. Gjinushi do të ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje, ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër”. Ndërsa në lidhje me rezultatin e sondazhit, Meta tha se, rezultati i vërtetë i LSI-së do të jetë më i madh se parashikimet e sondazheve. Për këtë Meta tha: “Nuk ka sondazh që e kap LSI-në. Kështu e nxorët LSI-në, ju e nxorët 3 për qind në 8 maj dhe thatë mbaroi LSI-ja, por LSI-ja doli me 23 mijë vota vetëm në qytetin e Tiranës. Të jeni të sigurt që ata që kanë bërë dhe që do të bëjnë sondazhe do të kërkojnë falje në 24 qershor, por janë të falur sepse në fund të fundit nuk mendoj se kanë qëllime të caktuara. Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI-në. Do t’i humbasin më shumë këtë herë, të jeni të sigurt. Ju e shikoni vetë, pasqyroni takimet tona, aktivitetet tona. Rininë që ka LSI-ja nuk e gjen asgjëkund”, përfundoi Meta, Ndërkohë që, edhe njëri nga liderët e LSI-së, Spartak Braho ka deklaruar për zaptimin e kushtetutshmërisë për postin kryeministror. . .