200 mijë shqiptarë aplikojnë për lotarinë amerikane, Rama: S’është fenomen që po shuan vendin

679
Shqipëria nuk rrezikon të shuhet as të braktiset me gjithë valën e madhe të emigracionit që e ka përfshirë vitet e fundit.
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në emisionin “Debati në Channel One” të Roland Qafokut.
Për Ramën kjo është një periudhë historike që ka shoqëruar të gjithë vendet qofshin këto në zhvillim apo të zhvilluara dhe këtu ju referuar Kroacisë, Italisë por dhe Polonisë.
E teksa kjo valë emigracioni po merr me vete krahun e punës, Rama ka këtë koment: “Ka një lëvizje demografike të ndjeshme drejt vendeve të tjera por është larg së qëni shifra e shuarjes së Shqipërisë dhe braktisjes së Shqipërisë ashtu sikundër ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm. Ata që kthehen, kthehen me zanate, me një kulturë tjetër, me njohuri dhe informacion që nuk i kanë këtu”.
Sa i takon ikjes së mjekëve drejt Gjermanisë, Rama këtë problem e sheh të zgjidhur me rihapjen e specializimeve, që sipas tij do mbushë boshllëqet.
Pjesë nga intervista
Qafoku: Zoti Rama siç thashë dhe në hyrje, për pak ditë mbushen 6 muaj nga marrja e mandatit të dytë, a keni arritur ju ato që synuat në fillim, në atë proklamatën tuaj që bëtë publikisht për startin e mandatit të dytë qeverisës?
Rama: Unë besoj që po, bazuar në objektivat e 100 ditëve dhe pastaj të 300 ditëve. Jemi në përputhje me çdo objektiv të vendosur paraprakisht.
Qafoku: Në fakt, ishte risi ajo që ju thatë në fillim me krijimin e tre dikastereve të reja : ajo për sipërmarrjen, diksteri i Evropës në bashkim me Ministrinë e Jashtme dhe ai i Diasporës . A mund të na thoni konkretisht që këto 3 risi dhe këto 3 synime që ju i thatë në fillim të këtij mandati të dytë, çfarë arritje kanë patur?
Rama: Së pari një korrigjim , nuk janë tre dikastere, janë një dikaster dhe dy ministra shteti që kanë një detyrë shumë specifike dhe shumë të rëndësishme për ne. Ministrja e shtetit për Sipërmarrjen, e cila është de facto avokat i sipërrmarjes në tryezën e qeverisë dhe bën të mundur trajtimin në kohë reale të shqetësimeve të sipërmarrjes që lidhen me aspekte të ndryshme të funksionimit të institucioneve dhe në tërësi të problemeve me burokracinë . Ndërkohë, Ministri i Shtetit për Diasporën është i domosdoshëm në këtë fazë ku ne kemi dy objektiva të rëndësishëm, nga një anë objektivin e përfshirjes së emigrantëve në jetën politike të vendit në mënyrë të drejpërdrejtë përmes pjesëmarrjes në zgjedhje nga aty ku ata jetojnë dhe nga ana tjetër objektivin e rritjes së pjesëmarrjes në tërësi të diasporës në jetën ekonomike dhe sociale të vendit . Përsa i përket bashkimit të ministrisë së dikurshme të integrimit me ministrinë e jashtme, në krijimin e Ministrisë e Evropës dhe Punëve të Jashtme besoj se ka qenë një zgjidhje e mirë pasi i jep mundësi kompaktësimit të dy trupave që funksionojnë sot si një dhe bën të mundur një harmonizim më të arsyeshëm mes aspektit që ka të bëjë me integrimin në marrëdhëniet politike në Bruksel me partnerët dhe aspektin që ka të bëjë me punët brendshme të integrimit që janë të lidhura me gjithë rrjetin e institucioneve të përfshira në këtë fazë dhe sidomos në fazën tjetër pas çeljeve të negociatave për antarësim.
Qafoku: Zoti Kryeministër, përveç kësaj që ju thatë dhe që është e vërtetë, ajo që ra më shumë në sy në proklamatën tuaj për mandatin e dytë ishte ristrukturimi i një sërë institucionesh. Bashkime, ndarje, por më shumë bashkime. Sot mbas 6 muajsh a është në efiçensë të plotë e gjithë administrata, pikërisht për këtë arsye?
Rama: Administrata nuk e ka humbur eficensën e vet në raport me mandatin e mëparshëm, asnjë moment por ambicia është që administrata të jetë edhe me shumë efiçente dhe procesi i ristrukturimit është një proces që është në vazhdim ndërkohë që në jemi angazhuar shumë fort në gjithë spektrin e ministrive me procesin e derregullimit apo të reformës të shërbimeve administrative që ka brenda vetes derregullimin, do të thotë lehtësimin e burokracive , uljen e konsiderueshme të orëve të pritjes, uljen e konsiderueshme të letrave që duheshin për të kryer një proces dhe për të marrë një licence, një autorizim, një leje, një dokument çfarëdo, dhe në këtë aspekt besoj që rezultatet e para kanë filluar të ndjehen dhe kam bindjen që në harkun e këtij mandati, qytetarët do të ndiejnë një lehtësim të madh në marrëdhëniet e tyre me shtetin dhe një ndryshim të madh në aspektin e mundësisë për të marrë në një kohë shumë më të arsyeshme përgjigje në zyrat e shtetit lidhur me të drejtat e tyre.
Qafoku: Zoti kryeministër, unë po e shtrij në kohë punën e qeverisë, jo vetëm në këto 6 muaj. Në vitin 2013 kur ju erdhët në pushtet, me ato që unë kam lexuar, nuk di që një qeveri të kishte atë pritshmëri që ka patur qeveria nën drejtimin tuaj. Ishte një pritshmëri e frikshme, në kuptimin pozitiv. Megjithatë pas 4 vjet e gjysmë kemi një rritje ekonomike por nuk kemi një hop të madh cilësor në ekonomi. Kemi një braktisje të vendit dhe ajo që nuk ka ndryshuar është konflikti politik është njësoj si përpara se ju të vinit në pushtet. Pse kanë ndodhur këto?
Rama: Së pari unë nuk e di çfarë hopi keni patur ju parasysh por di tu them që sot ekonomia shqiptare rritet 4 fishin e rritjes së 4 viteve më parë. Mos harroni që e filluam me nje 0, diçka dhe sot jemi në rreth 4 përqind rritje ekonomike, një rritje që do të vazhdojë dhe synimi ynë është që të kapërcejë pesën, që është një ambicie realisht e fortë. Ndërkohë përsa i përket braktisjes së vendit, sigurisht që ka një fenomen që nuk është vetëm shqiptar i largimeve të qëndrave më tërheqëse nga pasuria e tyre në rradhë të parë por unë nuk do flisja për braktisje të vendit. Flitet me hamëndje, flitet me një gjuhë që vjen nga dëshira e disave që kjo të jetë e vërtetë dhe nga rënia viktimë e të tjerëve që kjo është e vërtetë sepse nëse shikoni shifrat reale të largimeve dhe të rikthimeve në Shqipëri, nuk kemi absolutisht asnjë lloj fenomeni të ri. Është një fenomen i kahershëm, madje nëse do të bënim disa krahasime të shifrave, të përpunuara në bazë të metodologjisë së Eurostatit do të shikoni që kemi të bëjmë më një situatë ku nuk është absolutisht një situatë ku mund të fitet për shuarje të Shqipërisë, për zbrazje të Shqipërisë, dhe për përralla të tjera si këto. 
Natyrisht që njerëzit ikin, kanë ikur dhe do vazhdojnë të ikin dhe kthehen, janë kthyer dhe vazhdojnë të kthehen . Për një periudhë historike të caktuar kjo do të jetë më shumë në favor të emigracionit sesa të migracionit por është një periudhë historike që e kalojnë të gjitha venet dhe po të shikoni shifrat e vendeve që janë sot anëtare të reja të BE-së madje dhe shifrat në zona të caktuara të vendeve që janë anëtare të vjetra të BE , psh Italia ku ata që largohen nga jugu drejt veriut apo nga Italia drejt Gjermanisë janë shifra vërtet mbreslënëse. Kjo është një fazë historike që unë nuk mendoj se është një tragjedi e panjohur dhe madje unë nuk e konsideroj aspak një tragjedi sepse besoj që të gjitha vendet që sot janë në pararojë të zhvillimeve botërore, në një periudhë të caktuar të historisë së tyre kanë patur pikërisht këtë fazë dhe çdo vend në zhvillim apo i zhvilluar kalon nga kjo fazë që sjell shumë të mira për vendin në periudhë afatgjatë me disa probleme jo të vogla në periudhë afatshkurtër që kanë të bëjnë me kapacitetet dhe burimet njerëzore, që kanë të bëjnë me kapacitetet për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshme por ky është një fakt historik dhe ne nuk mund ta frenojmë ose ta ndryshojmë këtë rrjedhë të caktuar në hisori.
Qafoku: Vërtet jeni kaq i qetë zoti kryeministër kur ikën një popullsi e konsiderueshme? Dhe më e vërtetë se sa kjo është që janë disa shifra brenda kësaj shifrës së madhe: 200 mijë shqiptarë aplikuan për Lotarinë Amerikane dhe ne jemi në vendet e para në botë për numër të popullsisë së emigracionit?
Rama: Nuk është çështje qetësie dhe ju tani po më detyroni që unë të kërkoj në një dokument konkret lidhur me këtë. Nuk është çështje qetësie, është çështje objektiviteti në raport me një fenomen që nuk është i frenueshëm më asnjë lloj instrumenti që ne kemi në dispozicion se po të ishte ashtu do ta kishin frenuar të paktën polakët. Po marr Poloninë që është shembulli më i suksesshëm i integrimit europian dhe që ka një masë njerëzish që kanë ikur dhe vazhdojnë të ikin dhe që është jashtëzakonisht e konsiderueshme dhe do e kishjin frenuar dhe të tjerët. Mund të bëjmë propagandë sa të duam, mund të bëjmë agjitacion sa të duam, mund të përpiqemi ta shfrytëzojmë sa të duam këtë fenomen për politikën e ditës por ky nuk është një fenomen që lidhet ngushtësisht me politikën e ditës dhe unë nuk di të ketë ndonjë magji që mund ta frenojë këtë fenomen apo që mund të bëjë që ekonomia e vendit të rritet me 15% , apo që problemet e vendit të zhduken sa hap e mbyll sytë. 
Ajo që më bën mua le të themi të jem ballë lartë para njerëzve është fakti që ne po bëjmë gjithçka mundemi për të bërë më të mirën, me të gjitha të mirat dhe të metat tona. Dhe tu jap një shembull se si janë shifrat. Në vitin 2011 janë larguar 55 mijë e 162 njerëz, në 2012 janë larguar 52 mijë e 307, në 2013 49 mijë e 425, në vitin 2014 46 mijë e 525, në 2015 41 mijë e 443, në vitin 2016 32 mijë e 532, në vitin 2017 39 mijë e 905. Ndërkohë që ka patur edhe ardhje. Në 2011 36 mijë e 397, në 2012 32 mijë e 534, 28 mijë e 624 në 2013, 24 mijë e 740 në 2014, 20 mijë e 843 në 2015, 23 mijë e 60 në 2016 dhe 25 mijë e 003 në 2017.
Qafoku: Nëse heq ata që ikin me kata që vijnë, është shifër shumë e ulët.
Rama: Ka një neto, ka më shumë të ikur se të ardhur por ama është larg të qënit një fenomeni që po shuajmë Shqipërinë, që po zbraz Shqipërinë.
Qafoku: Tani ju po e krahasoni me shifrat e vitit 2012.
Rama: Unë nuk e krahasoj me asgjë. Unë po them thjesht që ky është një trend historik, nuk ka absolutisht asgjë, veçanërisht dramatike në këtë fazë të qeverisjes sonë.
Qafoku: Nuk është dramatike?
Rama: Është një trend historik po ua përsëris për të tretën herë nëse e keni mendjen tek ajo që po u them unë.
Qafoku: Unë te ju e kam mendjen, ku ta kem tjetër?
Rama: Nuk është se shpërtheu si fenomen vitet e fundit por është një fenomen historik, që është i pashmangshëm dhe i pafrenueshëm sepse nuk e ka shmangur dhe nuk e ka frenuar dot askush. Dhe sa për dijeninë tuaj psh vetëm vitin e kaluar nga Kroacia që është vend anëtar i BE janë larguar 50 mijë njerëz, fakt por ndryshe nga ne shqiptarët apo të tjerët në pjesën e paintegruar në BE ata nuk i shënon kush si azil kërkues sepse janë pjesë e tregut të lirë të punë në BE. Nga Italia e jugut është një fenomen i shumë shumë viteve që në një vend të G7 nuk frenohet apo nuk shmanget ashtu sikundër mund të imagjinohet apo të dëshirohet, ose të propagandohet. Kështu që unë di të them vetëm kaq, ky është fenomen historik, nuk është fenomen i një mandati qeverisës të kujtdo qoftë. Ka patur momente me më shumë ngritje, momente me më pak rritje por është trend historik. Në këtë trend historik, 4-vjeçari ynë nuk përbën asnjë përjashtim dhe nuk ka asnjë kulminacion.
Qafoku: Për ta mbyllur këtë argument, do tiu jap një shembull konkret zoti kryeministër. Një kolege kur mësoi që do të ishit në intervistë , Alida Cenaj, dëshiroj ti them Kryeministrit tha, dua të falenderoj një doktor nga spitali onkologjik. Quhet Artan Bodeci. Natyrisht ajo kishte një arsye personale për ta falenderuar po është gjë e mirë kur thuhen fjalë të mira për njerëzit zoti Kryeministër. Por e trishtueshme është se ky mjek i vlerësuar jo vetëm nga kjo gazetare por edhe nga shumë të tjerë sepse unë bëra kërkime dhe pyeta shumë shpejt ikën në Gjermani. Nuk e mban dot shteti shqiptar një mjek, dmth është relativisht i ri, i talentuar?
Rama: Së pari një herë, nuk ka vend për melodramë këtu. Jetojmë në një botë të hapur nuk jemi më në bunkerin e Enver Hoxhës për fat të mirë. Jetojmë në një botë të hapur dhe në një aspekt, jo në të gjithë aspektet sepse jemi akoma jashtë BE dhe nuk e kemi mundësinë e të qenit pjesë e integruar e tregut të lirë të punës, por në një aspekt secili ka të drejtën si qytetar i kësaj bote të hapur dhe bote të lirë të vendosë të jetojë ku të dojë. Pra kjo nuk është një çështje kaq e ngushtë që mund të kalohet kaq ngushtë. Secili ka të drejtën të shkojë të jetojë ku të dojë dhe të shkojë të provojë vetën në cilin do realitet. Çështja e mjekëve specialistë është një çështje shumë e qartë. Ne kemi trashëguar një situatë të vështirë pasi për 4 vjet për arsye të mos arsyes të qeverisjes së mëparshme u mbyllën specializimet.
Qafoku: Një arsye që na e dobëson as shumë arsyen.
Rama: Për 4 vjet Shqipëria nuk prodhoi mjekë specialistë dhe u krijua një boshllëk që me rihapjen e specializimeve do të mbushet. Ndërkohë që ajo që ne kemi bërë, unë e premtova dhe shumëkush qeshi por sot është një realitet. Ne i kemi ofruar çdo mjeku specialist që pranon të shkojë sepse problemi i mjekëve specialistë nuk është në Tiranë, por në vende të tjera jashtë Tiranës. Çdo mjek specialist që pranon të shkojë të punojë jashtë Tiranës ka një rrogë të barabartë me rrogën që merr në Itali apo në Gjermani nëse ka fat dhe hyn menjëherë në sistem, gjë që nuk ndodh gjithmonë duke përjashtuar edhe taksat kuptohet. Pra përveç rrogës së mjekut ka dhe dy milionë bonus mujor në dorë, kështu që kjo e ka plotësuar shumë në këto muaj të parë që është futur në veprim sistemi dhe ne pastaj edhe atë sistemin e patronazhimit të spitaleve dhe faktikisht e mbyllim deri në vitin 2019 krejtësisht problemin e mjekëve specialistë nga pikëpamja e prezencës dhe e numrave. Që pastaj njerëzit duan të shkojnë në Gjermani dhe kanë mundësi të punojnë në Gjermani kjo është e drejta e tyre.
Qafoku: Ne jemi aq pak zoti Kryeministër. Ne nuk jemi Itali që nëse ikin dy milionë nuk është problem.
Rama: Mos u melodramatizo sepse nuk bëhet fjalë se po ikin dy milionë, unë i lexova shifrat. Shifrat janë kokëfortë dhe flasin qartë. Ka një lëvizje demografike të ndjeshme drejt vendeve të tjera por është larg së qëni shifra e shuarjes së Shqipërisë dhe braktisjes së Shqipërisë ashtu sikundër ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm. Ata që kthehen, kthehen me zanate, me një kulturë tjetër, me njohuri dhe informacion që nuk i kanë këtu dhe nëse do ti referohemi një studimi që ka bërë Universiteti i Harvardit mbi influencën e të kthyerve në transformimin që ka ndodhur në bujqësi është një transformim tërësisht domëthënës se sa vlerë të madhe ka emigracioni për vendin e origjinës. 
Dhe jo vetëm në aspektin e dërgesave të emigrantëve që e mbajtën Shqipërinë në këmbë për shumë vite se ndryshe Shqipëria vërtet do kishte kaluar në një agoni mbase pa kthim dhe përveç këtyre ka një impakt të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet e tjera. Kështu që emigracioni nuk është tragjedi, por një fenomen që ka anët e veta negative dhe pozitive dhe kur njerëzit ikin, sigurisht që ushtrojnë lirinë dhe të drejtën e tyre. Dhe nuk ka asnjë qeveri në historinë e botës që të ketë dalë në një fuqi të atillë magjike që të ketë frenuar këtë fenomen apo ta ketë shmangur këtë fenomen.
Qafoku: Kur mori detyrën Fan Noli, 6 mijë shqiptarë ikën nga Amerika dhe erdhën këtu sepse thanë Shqipëria do bëhet.
Rama: Ka patur shumë shqiptarë që janë kthyer gjatë gjithë kësaj periudhe pra flasim jo vetëm për kohën kur unë kam qenë në qeveri por edhe me përpara dhe i lexova shifrat kështu që ka njerëz që ikin, ka njerëz që kthehen dhe do ketë gjithmonë shqiptarë që do ikin dhe që do kthehen. Dhe Shqipëria nuk rrezikon as të zbrazet as të shuhet.
Sigal