200 mijë euro për një gjyqtar

606
Sigal

TIA prezanton indeksin e perceptimit të korrupsionit (CPI) 2012 Shqipëria renditet 15 vende më poshtë në klasifikim se në 2011

 Shqipëria shënon rekordin më negativ të nivelit të korrupsionit në historinë e saj

 Protestat në rritje kundër qeverive të korruptuara detyruan shumë zyrtarë të dorëzojnë pushtetin në vitin që lamë pas; por ndërsa rrëmuja zbehet, shihet qartë se nivelet e ryshfetit, abuzimit me pushtetin dhe aferat e fshehta korruptive mbeten ende tejet të larta në shumë vende të botës. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i Transparency International, i publikuar ditën e sotme, tregon se edhe në vitin 2012 korrupsioni vijon të shkatërrojë shoqëritë në mbarë botën. Në këtë analizë përfshihet edhe Shqipëria në të cilën ende vazhdon stanjacioni politik dhe niveli i korrupsionit përkeqësohet. Qeveritë duhet të integrojnë veprimtaritë anti-korrupsion në të gjithë llojet e vendimmarrjeve. Prioritet duhet të jenë rregullat mbi lobimin dhe financimin politik, duke bërë që shpenzimet e tenderimet publike të jenë më transparente, dhe autoritetet shtetërore më të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Pas një viti të fokusuar tek korrupsioni, ne presim që qeveritë të ndërmarrin angazhime më serioze ndaj abuzimit me pushtetin. Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2012 tregojnë se shoqëritë vazhdojnë të paguajnë shumë shtrenjtë kostot e korrupsionit. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2012: Rezultatet Indeksi realizoi përllogaritjen e pikëve për 176 vende e territore bazuar mbi nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. Dy të tretat e vendeve të përfshira në analizën e indeksit për vitin 2012 shënojnë më pak se 50 pikë, në një shkallë nga 0 (shumë të korruptuara) në 100 (shumë të pastra), duke treguar se institucionet publike duhet të jenë më transparente, dhe zyrtarët e lartë më të përgjegjshëm. Në CPI 2012, Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re qëndrojnë në vend të parë me 90 pikë, të avantazhuara nga sisteme të forta të aksesit të informacionit dhe sisteme të mirërregulluara qeverisjeje në institucionet publike. Afganistani, Korea e Veriut dhe Somalia mbeten sërish në fund të renditjes së indeksit. Në këto vende, mungesa e një lidershipi të përgjegjshëm dhe institucioneve publike efektive minojnë nevojën për një qëndrim më të ashpër ndaj korrupsionit. Me performancë të dobët në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2012 përfshihen edhe vendet e Eurozonës të ndikuara më së shumti nga kriza ekonomike e financiare si reflektim i korrupsionit në sektorin publik. Shqipëria shënon 33 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, nga rezultati 35 për vitin 2011 (sipas metodologjisë së re), me shtatë burime të dhënash me standardin e devijimit 2 (minimumi 23 dhe maksimumi 39). Këtë vit Shqipëria renditet në vendin e 113, duke zbritur në klasifikim 15 vende më poshtë se në 2011.  Llogaritja e indeksit për Shqipërinë është realizuar nëpërmjet 7 burime të dhënash nga institucione të pavarura si: Fondacioni Bertelsmann, Njësia e Inteligjencës Ekonomike (Economic Intelligence Unit), Global Insight, Freedom House, Guida Ndërkombëtare e Vendeve sipas Riskut (International Country Risk Guide), Forumi Ekonomik Botëror (Vvorld Economic Forum), dhe Projekti i Drejtësisë Botërore (Vvorld Justice Project Përkeqësimi i nivelit të korrupsionit në Shqipëri ka bërë që asnjë nga vendet Evropiane të mos renditet më poshtë Shqipërisë dhe shteti i Kosovës të përparojë në klasifikim ndonëse prej disa vitesh kishte qenë në kuota më negative. Në kushte të theksuara të mungesës së transparencës, TIA u bën apel institucioneve publike dhe agjencive ligjzbatuese në Shqipëri të ndërmarrin reforma konkrete në luftën kundër korrupsionit në zbatim të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundra Korrupsionit. Praktika e zbatimit të ligjit duhet të shoqërojë paralelisht miratimin e ligjeve dhe standardeve të reja. Transparency International Albania i bën thirrje lidershipit qeverisës të marrë përgjegjësinë për nivelet dhe situatën e krijuar si dhe të reflektojë rigorozisht për reformimin e administratës publike, pavarësinë e institucioneve dhe hetimin e pakompromis të korrupsionit. TIA apelon për një vullnet të qartë të klasës politike në vend me qëllim zbatimin e standardeve të kërkuara nga organizmat ndërkombëtare dhe proceset integruese për Shqipërinë. Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë për vepra penale dhe korrupsion ka ulur ndjeshëm besimin e publikut, si dhe ka ndikuar në perceptimin negativ të tij për dobësinë e qeverisë dhe institucioneve në raport me korrupsionin.

Në një reagim pas publikimit të raportit të TIA-s mbi korrupsionin në Shqipëri, deputeti demokrat, Gert Bogdani, tha se, transparenca e qeverisë është një histori suksesi. Për të, problemi me korrupsionin është si shkak i gjendjes së qeverisjes në drejtësi. “Perceptimi dhe dëshmitë e shumta publike flasin për vende pune dhe karriere për gjyqtarë, të cilat janë shitur me çmimin 200 mijë euro në kohën kur drejtësinë e qeveriste padroni i tij “Albania” dhe padroni i tij në krye të KLD-së. Ky indeks korrupsioni në gjyqësor nuk njollos dot suksesin e luftës kundra korrupsionit në qeverisjen e vendit”, -tha Bogdani.

 Deklaruan për “Telegraf”

Ish-Presidenti, Bamir Topi

Nuk ia vlen të merresh me absurditete të tilla, tha mbrëmë ekskluzivisht për “Telegraf”, ish-Presidenti Bamir Topi, duke zhvlerësuar akuzat e Partisë Demokratike se në kohën që ai ka kryesuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë postet e gjyqtarëve janë shitur për 200 mijë euro. Këto akuza bëhen në klimën e abuzivizmit që vazhdon prej vitesh nga Partia Demokratike, si kur unë isha në kryetar i shtetit, ashtu dhe më pas. Them që është absurditet pasi në mbledhjet e KLD-së kanë qenë vazhdimisht të pranishëm ministri i Drejtësisë, EURALIUS-i dhe të gjithë anëtarët e Këshillit. Gjithë vendimet janë marrë konform ligjit dhe nuk mund të ketë asnjë hije dyshimi. Prandaj dhe I hedh poshtë me neveri.  Lidhur me raportin që organizata “Transparency International” ka publikuar për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, e cila e rendiste vendin tonë 18 vende më poshtë se vitin e kaluar, unë jam prononcuar publikisht dhe kam theksuar se, fatkeqësisht politika e vjetër ende nuk ka një përgjigje, një plan konkret veprimi, një reagim serioz dhe të përgjegjshëm ndaj këtij procesi me rëndësi jetike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Qeveria flet për suksese imagjinare, ndërkohë që raporti i sotëm i Transparency International 2012 e rendit Shqipërinë 18 vende më poshtë, pra edhe më të korruptuar sesa një vit më parë; flet për demokraci funksionale kur parlamenti vetë nuk është funksional dhe qeveria ka vendosur nën kontroll të gjitha institucionet e larta kushtetuese; flet për arritje ekonomike kur vendi po zhytet në borxhe, ka rritje të papunësisë, ka rritje të ekonomisë informale, rënie të dukshme të të ardhurave dhe njësi të shumta publike, përfshirë bashki, komuna, njësi ushtarake, etj, të cilët kanë muaj pa marrë rrogat e tyre, deklaroi Topi.

 Saimir Visha, avokat

Kryetari i Shoqatës së Avokatëve të Shqipërisë, Saimir Visha, deklaroi mbrëmë për “Telegraf” se, deklarata e Gert Bogdanit në thelb është e vërtetë. Por, shtoi ai, për këtë abuzim nuk ka fakte, ndaj dhe si profesionist nuk mund të paragjykoj asgjë. Në fakt, të gjithë gjyqtarët që janë emëruar nga zoti Topi pas vitit 2007 janë marrë me çështje penale dhe kanë dashur që me emërimin të rikuperojnë diçka në karrierën e tyre. Si është e mundur që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo të Lartë të merren me çështje të gjykatave të niveleve më të ulëta? Po ju sjell një shembull: Kur u propozua emri i juristit të njohur me karrierë ndërkombëtare, Kristaq Traja, ai nuk u miratua pasi fatura financiare e tij ishte zero, ndërsa katër kolegët e tjerë u miratuan. Prandaj dhe them se deklarata e Bogdanit është e vërtetë.

 Majlinda KETA

TIA e zbriti me ashensor 15 kate poshtë Shqipërinë…. Ne i kemi në Pole Position Klano-vampirinë pa harruar se korrupsioni nuk ka ngjyrë. Për 3 ditë jo më shumë do dëgjojmë mbi kërkimin e fajtorit…..fajtorë nuk do ketë se faji është jetim.

 Rama: “Dëftesa negative e 100-vjetorit”

 “Në ditë tejet e hidhur për Shqipërinë, pasi vendi ynë ka thyer rekordin më negativ të korrupsionit mes të gjithë vendeve të Europës, duke marrë dëftesën më të keqe të mundshme në 100 vjetorin e saj”. Kështu e ka komentuar kreu opozitës Edi Rama raportin e ‘Transparency International’. “Kjo është

dhurata më kuptimplotë që qeveria jonë u bën shqiptarëve kudo ku ndodhen në këtë 100- vjetor. Në 100 vjet shtet sot shqiptarët kanë zyrtarisht qeverinë e tyre më të korruptuar dhe zyrtarisht Shqipëria e 100 -vjetorit ka rënë në zonën më të errët të batakut të korrupsionit botëror. Në vetëm një vit kemi rënë falë qeverisë dhe keqqeverisjes 15 vende më poshtë dhe jemi futur mes Etiopisë e Nigerisë, simbole të korrupsionit botëror. Shteti më i ri në botë, Kosova, ka përparuar krahasuar me një vit më parë dhe sot është ngjitur mbi Shqipërinë. Degdisja e vendit tonë matanë kufijve të kontinentit europian për nga niveli i korrupsionit dhe përtej çdo shifre dhe indikatori të pranueshëm të korrupsionit në këtë kontinent, faktikisht e dërrmon edhe vetë kandidaturën e Shqipërisë për Bashkimin Europian”, tha Rama. Këtë nivel korrupsioni tashmë i certifikuar nga ‘Transparency International’ sipas Edi Ramës reflektohet edhe në buxhetin e vitit 2013 duke e quajtur një kërcënim për sigurinë kombëtare, nënvleftësim të vlerës së lekut, vlerës së pagave e pensioneve, përfshi  rritjen e interesave të kredive. Rama theksoi se, ky nivel korrupsioni po cenon çdo shpresë, prandaj apeloi që të gjithë shqiptarët të bëhen bashkë për ta kthyer 2013-n vitin e ndryshimit të madh. “Ja pra ku jemi një tjetër taksim i ri, një tjetër taksim në zinxhirin e taksës së korrupsionit. E asaj takse korrupsioni që e paguajnë të gjithë shqiptarët dhe faturën e merr Shqipëria në tabelën e transparencës ndërkombëtare. Ne jemi këtu për të bërë çdo gjë që 2013 të jetë viti i ndryshimit. Unë jam këtu për të bërë çdo gjë, gjithçka kam në dorë që 2013 të jetë viti i ndryshimit. Të gjithë bashkë duhet të bëjmë çdo gjë që 2013 të jetë viti i ndryshimit dhe që Shqipëria të ringrihet dhe të rilindë”, tha Rama.