2.6 milionë euro, dolli dhe qejfe shtetarësh

445
Sigal

Dollitë e shtetarëve “Gëzuar Vitin e Ri“, gëlltitën 2.6 milionë euro ose
150 banesa sociale

 

Përparim HALILI

 

Moda e urimeve me një dolli formale e mediatike “Gëzuar!”, të bërë brenda
institucioneve për festat e fundvitit; Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, prej disa
vitesh është bërë epidemi për zyrtarët shqiptarë, aq sa duket sikur bëjnë garë
me njeri-tjetrin, se kush e kush ta organizojë më të shtrenjtë e më butaforike.
E kemi fjalën për pritjet, më saktë për koktejlet që inskenojnë dhe realizojnë
shtetarët e lartë deri edhe “brigadierët” e njësive administrative në fshatrat
mes maleve (ish-komuna) me punonjësit dhe të ftuarit e tyre eprorë, miq e shokë!
Nuk i bëjnë se e përjetojnë këtë moment festiv zyrtar, por thjesht e bëjnë prej
grandomanisë së postit që kanë merituar, që kanë blerë ose që u kanë dhuruara
si shpërblim militantizmi politik. Këtë ritual shabllon e fals të çdo fundviti,
shtetarët nuk ë bëjnë me shpenzimet e tyre personale, por me financat e
institucioneve, të cilat, nëse mblidhen në total, rezulton, se bëhen miliarda
lekë nga buxheti i shtetit që harxhohen vetëm në 1 orë koktejl, për të ngritur
shefi i madh një dolli “Gëzuar festat!” e për të trokitur gota me vartësit dhe
eprorët e tyre, sa për t’u dukur “babaxhan, evropian dhe i lidhur me punonjësit”,
natyrisht duke dalë edhe duke qeshur në televizione. Kjo dolli “Gëzuar!” e
shefave me vartësit nuk është “veresie”, por ka një faturë të lartë financiare,
aq sa, nëse i llogarit “dollitë” e gjithë drejtuesve të lartë shtetërorë e të
atyre në çdo institucion e shërbim publik, kjo faturë shkon në miliona euro.
Dje, një burim nga Ministria e Financave, na bëri me dije, se vetëm për një
dolli “gëzuar” që kanë bërë këtë
fundvit drejtuesit shtetërorë të të gjitëh niveleve të administratës publike,
janë harxhuar 2.6 milionë euro, ose 3.5 miliardë lekë në total, të firmosura si
lekë qejfi e grandomanie prej 6 mijë e 257 drejtuesve, për 110 mijë e 287
vartës, me të cilët ata kanë trokitur gotat e shampanjës e të çdo lloj pijeje
“extra” të shtrenjtë. Nëse bëjmë një llogari, rezulton, se me këto
2.6 milionë euro (3.5 miliardë lekë), ndërtoheshin saktësisht 154 banesa
sociale. pra, strehoheshin 154 familje që flenë nëpër tunele, bunker e baraka
llamarine!
Të saktësojmë atë çfarë ka ndodhur edhe këtë fundviti me taksat
e shqiptarëve: në shumën 2.6 milionë euro që janë harxhuar siç evidenton është
“zbuluar” nga Ministra e Financave,  nuk
bëhet fjalë për banketet, drekat e darkat e shtrenjta si dasma mbretërish, të bëra
me milionat e shtetit, prej zyrtarëve në restorantet e resortet më luksoze
brenda Shqipërisë, por edhe diku… aty matanë kufirit shqiptar! Këto shpenzime
kolosale janë taksat e shqiptarëve që tjetërsohen në kokteje qejfi e sfilata
mode, të cilët shqiptarët që përgjërohen për bukën e gojës edhe në këto prag
festash fundviti, i shohin nëpër ekrane! Populli i shikon shtetarët nëpër
ekrane duke ngritur dolli shampanje me taksat e tyre, por edhe me gjobat e
biznesit, siç ndodhi dy ditë më parë, me një darkë luksoze të organizuar prej
një drejtori shërbimesh publike, caktuar në atë post të lartë shtetëror, me
mandat politik të partisë çame! janë 2.6 milionë euro të harxhuara vetëm për të
thënë shtetarët “Gëzuar!” Pyetje shtrohet qartë e troç: me këto 3.5 miliardë
lekë të bëra “dolli” shtetarësh, sa pensione pleqërie e invaliditeti paguhen?
Sa ilaçe blihen? Sa jetë fëmijësh shpëtohen me kurime jashtë e brenda shtetit?
Sa ndihma ekonomike mujore mund të paguhen? Sa shkolla, kopshte, çerdhe fëmijësh
ndërtohen, ose pajisen me mjete mësimore e kushte jetese? Sa mensa supe hapen për
të uriturit që “gërmojnë” nëpër kosha plehrash? Sa autobusë mund të blihen për
mësuesit dhe nxënësit?