180 milion “ngrenë në hava” Ministrinë e Mbrojtjes

455
Skandali i rëndë financiar, ka lidhje me faktin një ministri e një shteti të zhytur në borxhe deri në “Hënë” e që është gati të shtrijë dorën e lypjes edhe në Somali, vetëm në 20 ditë harxhon aq milionë lekë për udhëtime me avion të shefave të lartë të saj (180 milionë lekë), sa kanë buxhetin vjetor 3 bashkitë Këlcyrë, Tepelenë e Memaliaj, ose sa 10 mijë pagesa ndihmë ekonomike mujore!
Miliona lekë taksa të shqiptarëve, në mënyrë të shfrenuar e të miratuar prej kupolës shtetërore deri edhe në projekt-buxhetet vjetore të institucioneve, po tjetërsohen përditë në shpenzime zyrash, dieta ushqimi e hotelesh nëpër botë, blerje makinash luksoze, udhëtimesh me avionë, shpenzime “mëngjesesh, drekash, e darkash pune”, të harxhuara si kosto zyrtare për shtetarët e “Rilindjes”, të cilët po boshatisin buxhetin e shtetit për të bërë qejfet dhe “qokat” e tyre, duke e justifikuar çdo shpenzim me petkun e gjoja “mirëqenies dhe integrimit të shqiptarëve”. Por edhe nëse këto shërbime të tyre, do të ishin për interesat e vendit e të punëve, nuk do të përlanin kaq shumë miliona lekë. Një nga këto shpenzime me përmasa skandali që bëjnë shtetarët, janë udhëtimet me avion, të cilët për nga ditët në fluturim, janë aq të shumta, sa më shumë po qëndrojnë në ajër shtetarët tanë se sa… zogjtë! Një fakt i publikuar dje, mund të quhet jo absurd, por “çmenduri” financiare që bëhet me taksat e shqiptarëve. E kemi fjalën për Ministrinë e Mbrojtjes, prej së cilës ka dalë urdhër ekzekutimi për të realizuar udhëtime me avionë në 20 ditët e fundit të muajit dhjetor 2015, vetëm për drejtues të lartë të kësaj ministrie, që nga ministrja e shefat e Shtabit të Përgjithshëm, të Komandës së Forcës Tokësore, të Komandës së Forcës Detare dhe të Komandës së Doktrinës e Stërvitjes, të cilët do t’i kalojnë ditët e këtij fund viti nëpër avionë me udhëtime jashtë Shqipërisë. 

Nuk e dimë, nëse drejtuesit e lartë të ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare, do të shkojnë për të dhënë kontribut në “forcimin e pozitave të NATO-s”, por faktin që udhëtimet e tyre në 20 ditët e fundit të dhjetorit 2015, do të kushtojnë në vlerën 14 milionë, 999 mijë e 956 lekë, pa llogaritur 20% vlerë të taksës TVSH, me të cilën ky shpenzim shkon në 180 milionë lekë të vjetra, paguar nga buxheti i shtetit, më saktë nga taksat e shqiptarëve! Ky “lajm” i rëndësishëm dhe “jetik për fatet e ushtrisë shqiptare” lidhur me 180 milionë lekë fluturime që shefat e ushtrisë shqiptare do të bëjnë nëpër botë përpara Vitit të Ri 2015, nuk është “jam konfidencial”, por është bërë zyrtarisht publik në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 47, datë 1 dhjetor 2015. Nuk e kemi fjalën, se me sa vlerë më të ulët është shpallur fitues firma që do pajisë shefat e Ministrisë së Mbrojtjes me bileta udhëtimi avioni, mbasi ky është “sekret profesional dhe mjeshtëri menaxhimi” e komisionit të vlerësimit të ofertave (KVO) të kësaj ministrie që siç dihet përbëhet nga njerëz të besuar të përzgjedhur prej shefave të ministrisë, por e kemi fjalën për skandalin e rëndë financiar, që një ministri e një shteti të zhytur në borxhe deri në “Hënë” e që është gati të shtrijë dorën e lypjes edhe në Somali, vetëm në 20 ditë harxhon aq milionë lekë për udhëtime me avion të shefave të lartë të saj (180 milionë lekë), sa kanë buxhetin vjetor 3 bashkitë Këlcyrë, Tepelenë e Memaliaj, ose sa 10 mijë pagesa ndihmë ekonomike mujore! Skandali ka edhe një “pamje” tjetër sa alarmante edhe të turpshme në raport me ushtarakët dhe ish-ushtarakët. 

Ky shpenzim jo i vogël, bëhet nga një ministri e cila tallet me trajtimin e ushtarakëve shqiptarë që janë ushtarakë të NATO-s, duke u dhënë nga 200 lekë ushqim ditor! Milionat për bileta avioni për shefat e kësaj ministrie, bëhen nga një ministri e cila ka marrë vendim që ish-ushtarakët në pension të parakohshëm, të kthejnë një masë të pensioneve që kanë përfituar si gjoja “gabim ligjor në llogaritje”. Ndodh ky skandal, ndërkohë që ushtarakëve u janë hequr me VKM afro 70% e trajtimeve ekonomike-financiare, deri edhe tek këpucët, e çorapet, apo kur pagat i kanë sa pagat e punonjësve të pastrim-gjelbërimit. Në 20 ditët e fund-vitit 2015, Ministria e Mbrojtjes do të harxhoj 180 milionë lekë bileta avioni për shefat e saj, ndërkohë që kushtet e punës dhe jetës së ushtarakëve janë mjerane, ndërkohë që ka ushtarakë të cilët kanë nevojë për shërbim mjekësor për shkak të invaliditetit në krye të detyrës. Ja çfarë thuhet në njoftimin publik të shpalljes së fituesit të ofertës së biletave të avionit, bërë në “Buletinin e prokurimeve Publike” Nr. 47, datë 1 dhjetor 2015, njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes: “Shpallje fituesi…. për “Blerje bileta udhëtimi për transport ajror” për nevoja të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, Komandës së Forcës Tokësore, Komandës së Forcës Detare dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, me fond limit total prej 14,999,956 lekë pa TVSH., vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për vitin 2015. Operatorët ekonomikë fitues…., janë të lutur të paraqiten brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të këtij njoftimi, pranë Ministrisë së Mbrojtjes për lidhjen e marrëveshjes kuadër. Kohëzgjatja e marrëveshjes kuadër, zgjat nga lidhja e saj, deri më 31. 12. 2015 Njoftimi i Klasifikimit është bërë më datën 16.11.2015”.
Sigal