17 Nëntori është shkruar me gjakun e Dëshmorëve

529
Sigal

INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe, për festimet

Ndasitë politikë për Presidentin e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe, nuk janë aspak të hijshme në këto momente. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Pogaçi ka theksuar se, shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në këto momente feste dhe se politika duhet ta bashkojë popullin dhe jo ta ndajë. Sipas tij, lënia në harresë e figurave që kontribuuan për Pavarësinë e Shqipërisë është një nga pikat më negative të qeverisë.

-Zoti Pogaçe, çfarë përfaqëson për ju 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë?

-100 Vjetori  i Pavarësisë përfaqëson 100 -vjetorin e ngritjes së Flamurit në Vlorën heroike dhe  100 -vjetorin e shtetit të pavarur shqiptar. Asnjëherë, as në kohën e Skënderbeut, shteti shqiptar nuk ka qenë i atyre përmasave  sa përftoi me ngritjen e flamurit, përmasa të cilat i gëzojmë edhe sot. Nuk mund të ketë datë të shenjtë më tepër se kjo, pasi po të mos ishte krijuar shteti me anën e atij akti, nuk do të kishte as histori të shtetit shqiptar, as Kongres të Lushnjës, as qeveri të Fan Nolit, as mbretëri të Zogut, as lufte nacionalçlirimtare dhe asgjë tjetër që lidhet me shtetin tonë. Nuk do të kishte as komb shqiptar, po do të kishte vetëm pakica, të cilat mund të asimiloheshin nga shtetet e kombet e tjera. Pa shtetin dhe kombin shqiptar  nuk do të ekzistonin as ata shqiptarë, të cilët ndodhen në shtetet e tjera fqinje e më gjerë.

-Si ju duken përgatitjet e deritanishme për këtë përvjetor? Çfarë ju ka rënë në sy për mirë dhe jo mirë?

-Për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe themelimit të Shtetit modern shqiptar më duken të vakëta, sidomos përsa u përket momenteve që lidhen me ngjarje e fenomene që i ka më për zemër e majta. Pra në këtë 100 -vjetor shkojmë të përçarë, si komb, pa marrë parasysh popullin në Shqipëri dhe popullin e Kosovë, ku njëra palë, e djathta, bën si i do qejfi, ndërsa e majta përpëlitet midis revoltës dhe heshtjes. Kjo për shkak të frikës që ka e majta e sotme për të mos u dukur e majtë, por për t’u quajtur e majtë dhe t’i ngjajë të djathtës.

-Në këto përgatitje për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë duket se i është kushtuar shumë vëmendje Mbretit Zog dhe familjes së tij, ndërsa emri i Ismail Qemalit është përmendur, por asgjë nuk është ndërmarrë për rehabilitimin e tij dhe familjes së tij. Si e komentoni këtë fakt?

-Është e vërtetë se, në këtë 100-vjetor, po i kushtohet një vëmendje e veçantë familjes mbretërore dhe vetë ish mbretit, sesa atyre figurave,  të cilat  realisht punuan e luftuan me vite për të ardhur te ajo ditë e shënuar, ditë e cila ndryshoi përfundimisht historinë e Shqipërisë. Them ish mbreti, pasi ne jemi republikë parlamentare dhe nuk ka asnjë akt kushtetues apo parlamentar, t’i rijapë atij cilësinë e mbretit, prandaj nuk mund të trajtohet në cilësinë e një mbreti. Askush nuk është kundër që eshtrat e tij të prehen në Atdhe, ashtu si për të gjithë ata që janë shuar jashtë vendit, por ceremonia e rivarrimit duhet të bëhet dhe përballohet nga familja e tij. Populli nuk mund të vazhdojë të paguajë haraç për ish mbretin edhe pas vdekjes. Ashtu, si me  të drejtë e shtroni në pyetjen tuaj, në këtë 100 vjetor harrohet tërë farefisi i Ismail Qemalit, të cilët kanë nevoje për rehabilitim, pasi jo vetëm nuk kanë pasur ndonjë përfitim, por edhe janë dënuar. Kam pasur fatin, gjatë periudhës sime si Atashe i Mbrojtjes në Itali, të njoh një nga pjesëtarët e fisit Vlora, gjuhëtaren dhe albanologen e shquar, Nermin Vlora Falaski, e cila ka bërë mjaft për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, duke i bërë nder kombit dhe popullit të vet. Ajo duhej të përmendej e pse jo edhe një bust, qoftë edhe modest, t’i vendosej në qytetin e saj të origjinës.

-Në një nga mbledhjet e qeverisë është vendosur që më 17 nëntor, të kthehen në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I. Si e komentoni këtë vendim të qeverisë?

-Kjo është ideja më e keqe e kësaj maxhorance. Ne tashmë, festojmë 100- vjetorin, por realisht, festojmë 100 minus 50 vjet histori, pasi e kemi mohuar tërësisht, a thua se asgjë e mirë nuk është bërë gjatë asaj periudhe. Por Lufta Nacional-Çlirimtare ka pasur një mori komandantësh e luftëtarësh trima, të cilët zhvilluan luftën nacionalçlirimtare, mposhtën bishën nazifashiste dhe e renditën Shqipërinë me fitimtarët. Edhe mbas çlirimit janë bërë vepra  e punë mjaft të mëdha, të mirat e të cilave i gëzojmë edhe sot. Le të themi, kot, vetëm hidrocentralet, pa të cilat situata jonë energjetike do të ishte zero. Po sa e sa gjëra të tilla ka. Po disidencë, sado e vogël të ketë qenë, a ka pasur në këtë periudhë. Përse nuk propozohet një monument apo vepër e ngjashme për shkrimtarin e shquar Ismail Kadare apo Dritëro Agollin e mbase edhe të tjerë?

-A mendoni se është e rastësishme apo e qëllimshme zgjedhja pikërisht e kësaj date, 17 Nëntor, që përkon edhe me datën kombëtare të çlirimit të Tiranës?

-Patjetër, është më se e qëllimshme për të harruar e denigruar datat e çlirimit, të cilat janë data të shenjta në të gjithë botën. Kjo do të bëjë që çdo vit, në të ardhmen, të majtët të festojnë 17 Nëntorin e çlirimit të vendit, ndërsa 5-6 pasues të ish mbretit do të shkojnë te varri i tij. As për pasuesit e tij  nuk është mirë, pasi do i ndajë përfundimisht nga populli i majtë, i cili është gjithmonë shumica. Kjo do të vazhdojë të thellojë ndarjen edhe në festime të popullit të djathtë dhe atij të majtë, duke mos pasur asnjëherë data të përbashkëta festimi, siç po ndodh edhe në këtë 100 vjetor. Me këtë rast, spektri i majtë politik, duke filluar nga LSI, e cila mban përgjegjësinë kryesore se ndodhet në pushtet, Partisë Socialiste si partia më e madhe, partive të majta të ashtuquajtura komuniste, Organizatës së Veteraneve të LANC, të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të luftës, si dhe populli i Tiranës duhet të reagojnë me forcë dhe të mos lejojnë përdhosjen e kësaj date të shenjtë të çlirimit të Kryeqytetit tonë nga pushtuesit nazifashistë. Dita e 17 Nëntorit le të kthehet në një ditë homazhesh në respekt të rënëve për çlirimin e kryeqytetit, por edhe në një protestë ndaj këtij veprimi arbitrar.