1460 dosjet e korrupsionit përplasin Polici-Prokurori-Gjykatë

492
Institucionet e zbatimit të ligjit në Elbasanit, prej kohësh janë futur në sherre mes tyre, lidhur me dosjet e korrupsionit. Bëhet fjalë për afro 1460 dosje të mbushura me fakte, denoncime, përgjime, dëshmi sekserësh dhe dëshmitarësh, që akuzojnë drejtues, zyrtarë dhe persona me pushtet, që mbahen në sirtarë, apo edhe kur nisin aksionet dhe proceset gjyqësore, ato dështojnë. Asnjëherë më tepër se sot marrëdhëniet mes tre institucioneve të zbatimit të ligjit në Elbasan, nuk kanë qenë më të dobëta dhe më të rënduara. Asnjë hap dhe veprim konkret nuk duket në horizont që të tregojë bashkëpunimin mes tyre. 

Qytetarët denoncojnë korrupsionin, Gjyqësori nuk i gjykon
Prej kohësh akuzat, denoncimet, ankimimet zyrtare në dikasteret qendrore janë bërë si një gjë e zakonshme. E ndërsa organi akuzës merr në dorëzim një kallëzim penal për korrupsion, një denoncim nga qytetarë dhe subjekte juridike e fizike, sipas ligjit duhet të nisë bashkëpunimi ligjor edhe me dy organet e tjera ligjzbatuese, si policia dhe gjykata. Nga ana e saj, edhe policia në linjat e saj të verifikimit dhe mbledhjes së fakteve, ndeshet me aksione të dekonspiruara nga radhët e saj, apo nga dështimi që vjen nga prokurorët dhe procesi gjyqësor. Vetëm në 9 mujorit e 2015 janë hetuar dhe dërguar në gjykatë 114 dosje që lidhen me afera korruptive, ( qindra të tjera janë ende të pambyllura), të cilat mbajnë brenda tyre emra drejtuesish, zyrtarësh dhe fakte që zbulojnë lidhjet e tyre edhe me njerëzit e politikës. Por, në asnjë rast të vetëm, nuk kemi seanca gjyqësore të qeta, serioze dhe konformë ligjit, pasi, ose mungon avokati ose mungon prokurori i çështjes, ose shtyhet gjyqi për arsye të ndryshme. 

Zyrtarë të akuzuar për shpërdorim e vjedhje miliona lekë, të paprekur nga drejtësia
Ka zyrtarë që akuzohen për korrupsion, vjedhje të fondeve dhe abuzime me miliona lekë nga investimet publike, që kanë 3-4 vjet që shtyjnë proceset gjyqësore, që edhe pse kanë shkuar deri në Gjykatën e Lartë, dosjet e tyre janë rikthyer për “hetim fillestar”, pasi dosja ishte e paplotë me fakte dhe argumente bindëse”. Sipas burimeve policore, për gazetën “Telegraf” “Në 9 muajt e 2015, janë hetuar, përgjuar, arrestuar dhe dërguar në Prokurori dhe Gjykatë mbi 122 persona, duke nisur nga zyrtarët e ish-komunave dhe bashkive, e duke përfunduar tek drejtorët e shkollave, pedagogët, drejtorët e ndërmarrjeve etj, por në 90 për qind të rasteve ka qenë një dështim i plotë gjithçka, ose nga paaftësia e uniformave blu, ose nga komprometimi proceseve hetimore dhe gjyqësore”. 

Një situatë kaotike, e cila demotivon më të mirët e institucioneve ligjzbatuese dhe inkurajon abuzuesit dhe ata që janë pjesë e rrjeteve të korrupsionit, ata që mbrojnë dhe sigurojnë terrene brilante për grabitësit e milionave nga lekët e taksapaguesve shqiptarë. Dosjet e korrupsionit kanë vite që “flenë” në sirtarët e institucioneve ligjzbatuese, bashkë me dosjet e mbushura me emra zyrtarësh dhe drejtuesish të akuzuar e pakta nga 4 nene të Kodit Penal, dhe nxitohet të mbyllet dhe të zbatohet ligji për ndonjë vjedhës celulari, apo xhepisti. Në Elbasan ka zyrtarë dhe persona të tjerë në nivele drejtuesish, që prej 4-5 vitesh kanë dosje të hapura në organet e drejtësisë, që akoma nuk kanë mbyllur procesin e hetimeve, proceset gjyqësore, dhe që fshehtas thirren edhe në Komisariatin e Policisë. Natyrisht, kjo situatë skandaloze, ka ardhur nga mungesa e bashkëpunimit, (ose bashkëpunimi inatçor) mes tre institucioneve të zbatimit të ligjit. 

Në Elbasan, asnjë hetim korrupsioni
Statistikat tregojnë se në Elbasan, nuk mbahet mend që të ketë nisur një hetim korrupsioni, mbi baza faktesh konkrete nga një organ kompetent dhe të ketë mbaruar me një proces gjyqësor të ndershëm serioz dhe të ligjshëm. Kjo patjetër që ka sjellë humbjen e besimit tek organet e drejtësisë, mungesën e bashkëpunimit të qytetarëve me ato institucione pavarësisht problemeve që kanë nevojë për zgjidhje, ku më të shumtat lidhen me fenomenin e korrupsionit. Para në çdo zyrë, para në çdo sportel, para në çdo korridor, para në çdo kafene për të mbaruar hallin e shkollës, shëndetit, pensionit, ndihmës ekonomike, faturave të energjisë dhe ujit, para për kartën e identitetit, pasaportës, librit të shëndetit, një shtet i mbytur nga korrupsioni, një drejtësi e mbuluar nga dosjet e korrupsionit, dhe e pazonja të zbatojë ligjin. 
Sigal