14 të larguar nga puna nisin grevën: Nuk do të dorëzohemi derisa të kthehemi në punë!

444
Sigal

TIRANE –  Vijon në ditën e dytë greva e urisë e 10 përfaqësuesve të shoqatës së të larguarve nga puna në administratën publike, të cilët kanë ndërmarrë këtë akt ekstrem duke kërkuar kthimin e tyre të menjëhershëm në vendet e punës. Ndërsa në orët e para të mëngjesit kësaj greve i janë bashkuar edhe 4 të larguar të tjerë nga puna, por jo pjesë e kryesisë së Shoqatës së të larguarve nga administrata. Ata janë vendosur në çadrën e dytë të ngritur pranë kryeministrisë. Ndërsa pas mesdite është ngritur pranë gervistëve çadra e tretë për zhvillimin e grevës. Grevistët, 4 gra dhe 6 burra kaluan natën në dy çadrat e instaluara në krahun e djathtë të Kryeministrisë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka siguruar anën mjekësore të grevës duke vendosur një autoambulancë dhe një staf mjekësor pranë grevistëve. Pranë tyre janë instaluar  edhe dy banja portative. Ajo që nisi si grevë e një numrit të vogël të përfaqësuesve të Shoqatës për Mbrojtjen e të Shkarkuarve nga puna, ngriti “peshë” opozitën, me në krye Lulzim Bashën dhe liderin historik të Partisë Demokratike Sali Berisha. Rreth 200 militantë të PD-së, deputetë, drejtorë të bashkive dhe minibashkive të drejtuara nga demokratët, u grumbulluan pranë çadrave mbrëmjen e të mërkurës, duke shprehur mbështetjen e tyre ndaj 10 grevistëve, mbështetje kjo e ardhur më së shumti pas thirrjeve q ëish-kryeministri Berisha bëri përmes rrjetit social Facebook. “Urgjentisht tek Piramida”, -shkruante ish-kreu i PD. Gjatë mbrëmjes grevistët u vizituan edhe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili i bëri thirrje Ramës të mos luajë me zjarrin dhe policia të mos shkelë ligjin. Grevistët u vizituan fillimisht nga deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre edhe Sali Berisha, thirrjes së të cilit i është përgjigjur e para mbesa e tij, Dasara Malltezi, e cila është shfaqur në grevë dhe ka qëndruar mes të rinjtë e tjerë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në orën 21:20, Berisha shkoi edhe vetë t’i takojë grevistët, duke u pritur me brohorima. Mesazhi i tij ishte që “Rama paraqet Janukoviçin e Ballkanit dhe shqiptarët duhet t’i sillen Janukoviçit, siç e meriton.” Gjithashtu në mbështetje të grevistëve ka qenë edhe ish-zv.drejtori i Policisë Agron Kuliçaj, ish-zv.ministri Avenir Peka dhe kreu i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziut

NGRIHET CADRA E TRETE PER GREVEN E URISE PRANE KRYEMINISTRISE
ORA 13:35 Ngrihet pranë gervistëve çadra e tretë për zhvillimin e grevës, edhe pse deri më tani 10të larguar nga puna, përfaqësues të shoqatës ndodhen në një çadër dhe 4 të tjerë në çadrën e dytë. Vendosja e një çadre të tretë duhet se do të përfshijë në grevë më shumë persona.

BREGU: NUK KA NEVOJË PËR SHOW POLITIK, POR PËR MBËSHTETJE
ORA 12:15 Deputetja e PD, Majlinda Bregu ka vizituar grevistët dhe u ka marrë edhe letrat e urdhër- largimit nga puna.
“Nuk është nevoja për komente, sot në grevë urie nuk janë anëtarët e PD, protesta jonë është nesër. Është shkelur e drejta e tyre kushtetuese për t’u punësuar dhe vendimi i gjykatave për t’u kthyer në punë. Nuk ka nevojë për show politik, por për mbështetje. Largimet nga puna vetëm se kanë qenë pjesëmarrës politik në fushatë.”- tha Bregu

DEPUTETET E PD, VOKSHI DHE DODA VIZITOJNË GREVISTËT
ORA 11:20 Deputetet e PD, Albana Vokshi dhe Mesila Doda vizitojnë grevistët. Deputetja Doda i ka vizituar që në ditën e parë grevistët.

MJEKËT:GJENDJA E GREVISTËVE PARAQITET E MIRË
ORA 10:25 Mjeku Ervin Meço pas vizitës së grevistëve deklaroi se “Nuk kanë probleme, do ndiqen në çdo moment”. Ai shtoi se “Një grevist ka shenja këputje, por është mirë do i bëhet një kontroll i imtësishëm”

ISH-TE PERNDJEKURIT VIZITOJNE GREVISTET
ORA 09:45
 Një grup ish të përndjekurisht politikë kanë vizituar grevistët. Ata kanë shprehur mbështetjen ndaj kauzës së të larguarve nga puna nga administrata publike. Kjo shtresë e shoqërisë dy vjet më parë u futën vetë në një grevë urie, ku kërkonin prej qeverisë së athershme dëmshpërblimet për vitet e burgut të kryera në kohën e regjimit komunist.Në at% kohë asnjë përfaqësues i qeverisë Berisha nuk i vizitoi ata në çadrat e vendosura pranë “Komunës së Parisit” në Tiranë.

QAFZEZI: QËLLIMI, REAGIMI I RAMËS, NA LARGUAN PËR MOTIVE POLITIKE
ORA 09:00 Në ditën e dytë të grevës së urisë, kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Administrata, tha se Nertila Qafzezi pyetjes  se nëse mbështetja nga deputetët e opozitës i jep kësaj greve ngjyra politike, iu përgjigj kështu: “Edhe largimet nga puna të të gjithë ne janë politike, ne jemi larguar nga puna se kemi motivet tona politike. Kur panë në media që policia po na dhunon, ata erdhën dhe na u bashkuan”.

Ajo tha se qëllimi përfundimtar i kësaj greve është reagimi i kryeministrit Rama. “Ne kërkojmë që të gjithë nëpuunësit që janë larguar mbas datës 1 Tetor, të kthehen në punë”.

JA KUSH JANE 10 GREVISTET
Nertila Qafzezi – Kryetara e shoqatës së të larguarve nga administrata
Petrit Fejzullaj
Artan Murrizi
Olgerta Shkurti
Vera Picari
Hastit Likaj
Agron Dervishi
Ludovik Berisha
Glaudiola Bardhoshi
Prek Vuka

4 TE LARAGUARIT NGA PUNA, JO PJESE E SHOQATES
Mimoza Boçari, ka qenë mjeke
Edmond Idrizi, ka qenë kryeinspektor në burgun   302
Sokol Ukperaj, ka punuar në sigurimet Shoqërore Has
Mehmet Cemurati, ka punuar gardist

INCIDENTET E PROTESTES
Fillimi i grevës nisi me incidente mes grevistëve dhe policisë për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe një leje nga Bashkia e Tiranës nga ana e grevistëve, duke bërë që greva të mos fillonte në orën 16:00 të së mërkurës, siç ishte paralajmëruar. Heqja e çadrave nga policia ka bërë që të larguarve nga administrata t’i bashkohen edhe deputetët e PD-së, Flamur Noka, Majlind Bregu, Gent Strazimiri dhe nën/kryetarja e Forumit Rinor të PD-së Greta Koçi, e cila shoqërohej nga të rinjtë e FRPD-së. Situata është tensionuar edhe më shumë kur policia ka shoqëruar në komisiariatin nr.1 kryetarin e Forumit Rinor të Kombinatit, i cili është mbështetur në komisariat nga deputetët Helidon Bushati dhe Mesila Doda.

TË GJITHA ZHVILLIMET NË DITËN E PARË TË GREVËS SË URISË

ORA 23:30 EMRAT E GREVISTEVE QE HYNE NE ÇADER
“A1Report! mëson emrat e grevistëve të urisë: Nertila Qafzezi, Petrit Fejzullaj, Artan Murrizi, Olgerta Shkurti, Vera Picari, Hastit Likaj, Agron Dervishi, Ludovik Berisha, Glaudiola Bardhoshi dhe Prek Vuka.

ORA 22:40 IKEN BERISHA, VJEN BASHA: RAMA,. MOS LUAJ ME ZJARRIN SE DO DIGJESH
Pas largimit të Berishës, tek grevistët e urisë shkoiduke u ulur në mes të tyre, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili deklaroi:
“Janë njërëz që janë larguar pa asnjë motiv nga puna, por vetëm ga urrejtja e Edi Ramës. Ne si opozitë i kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha mënyrat e ndryshme. Ata kanë shkuar në gjykata dhe kanë fituar, por janë përballur me shurdhërinë dhe verbërinë e Edi Ramës, që vazhdon avazin e trajtimit pa shpirt të këtyre njerëzve. Kjo është një kauzë humane, por edhe politike për ne si opozitë; i përgëzoj për shpirtin e qëndresës që e mbështesin këtë të drejtë thelbësore. I garantoj se PD-ja dhe opozita do jetë mbështetje e kësaj të drejte në këtë kauzë për të cilën janë vendosur. Është e dhimbshme të shohësh sesi këta njerëz shtyhen drejt këtij akti të fundit të njeriut, një akt vetëflijimi, sepse kupola refuzon të zbatojë vendimin e gjykatave, sepse ky nuk është një realitet europian. Me pashpirtësinë që i karakterizon, ata vendosën t’u dhunojnë edhe të drejtën për të bërë grevën e urisë. Sjellja e njerëzve që ngritën dorë kundër këtyre nënave, motrave, është dhunë. Përshëndes solidarizimin e deputetëve të opozitës që mbështetën grevistët. I drejtoj një thirrje policisë që të mos i dhunojë këta njerëz dhe të respektojë të drejtën e tyre. Ramës i them të mos guxojë të ngrejë dorën e pashiprt mbi këta njerëz. Mos guxo të luash me zjarrin se do digjesh!” – përfundoi Basha. Ai tha më pas se do të qëndronte me grevistët deri në orën 24:00.

ORA 21:42 MINISTRIA E SHENDETESISE VE NE DISPOZICION TE GREVES, AMBULANCE DHE MJEKE
Autoriteti Shëndetësor Rajonal, bazuar në urdhrin e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj,  ka vënë në dispozicion të grevës së urisë, një ekip mjekesor të përbërë nga mjek dhe infermierë si dhe një autoambulancë e pajisur me mjetet e nevojshme për dhënien e ndihmës së parë mjekësore.

ORA 20:00 BERISHA NIS TE DREJTOJE GREVEN NEPERMJET INTERNETIT
Në orën 20:00, gjithnjë duke e drejtuar grevën nëpërmjet internetit, Berisha shkroi mesazhin e parë: ” Greva e urise vazhdon. 5 police dhe badiguard te Edvin Kristaq Rames kane rrethuar kryetaren e greves znj. Nervila Qafzezi dhe po i rrembejne, pas çadres, edhe batanijet.Grevistet qendrojne te pamposhtur ne vendosmerine e tyre. Sot nisi Qendresa Qytetare kunder Janukoviçit te Ballkanit! Zoti e bekofte sakrificen e grevisteve,”- nënvizon Berisha. Ka rënë në sy prania e disa deputetëve të PD-së që kanë biseduar me grevistët, prania e kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziut si dhe e mbesës së ish-Kryeministrit Berisha. Po ashtu, atje kanë shkuar drejtorët e bashkive, si kreu i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha  etj.

PERPLASJA ME POLICINE, GREVA E URISE PA LEJEN E POLICISE SE SHTETIT 
Kjo nismë e Shoqatës ka shkaktuar paraditen e sw mërkurës përplasje me forcat e policisë të kryeqytetit të cilat nuk kanë lejuar ngritjen e çadrës ku do të strehoheshin të larguarit nga puna gjatë zhvillimit të grevës. Sipas Policisë së Tiranës ata nuk kanë lejen e nevosjhem për këtë grevë urie. Për këtë arsye, cadra e cila u soll pranë protestuesve nga një furgon me targa TR 8676 I dhe u ngrit vetëm për pak çaste, u hoq nga policia. Policia bllokoi edhe dokumentat e shoferit të furgonit. Protestuesit dhe policia janë përplasur për mbajtjen e grevës së urisë, në momentin kur grevistët kanë tentuar të ngrenë çadrën, ndërsa konflikti ishte edhe më i hershëm në orët e paradites, kur policia shoqëroi në komisariat dy persona të cilët sollën batanije e jastëk për grevën e urisë.Sipas policisë, arsyeja e bllokimit të mbajtjes së grevës, vjen pasi ata nuk kanë lejen e nevojshme për këtë grevë sepse nuk plotësojnë disa kushte.

QAFZEZI: POLICIA PO NA BLLOKON PA TE DREJTE, GREVA DO VAZHDOJE
Ndërkohë pas bllokimit për ngritjen e çadrës së grevistëve ka reaguar edhe kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e Administratës Publike, Nertila Qafzezi. Në fjalën e saj ajo dënoi veprimin për moslejimin e ngritjes së çadrës  ku do të mbahej greva e urisë nga policia. Sipas Qafzezit kjo është e padrejtë, ndërsa shtoi se greva e urisë do të vazhdojë pavarësisht moslejimit nga policia për ngritjen e çadrës. Ajo shtoi se leja për mbajtjen e grevës është marrë në bashki, ndërsa policia e ka ndaluar këtë.  “Sot përballemi me një dhunë policore që zbaton urdhërat e Tahirit. Nuk është policia në detyrë, madje dhe punonjësi i furgonit ka ardhur i punësuar nga ne ndërsa policia i merr dokumentat dhe e largon furgonin. Ne grevën do e vazhdojhmë. Ne morëm ok nga Bashkia ndërsa tashmë policia nuk na e lejon një gjë të tillë.”

PD, BREGU: NDALIMI I GREVES ANTIDEMOKRATIKE, SHTETI TE REAGOJE
Mes protestuesve ka shkuar edhe deputetja e PD Majlinda Bregu, e cila tha se moslejimi i zhvillimit të kësaj greve urie është i padrejtë dhe jo i denjë për një vend demokratik, ndërsa shtoi se për këtë kërkon reagim të strukturave të shtetit. “Ne nuk kemi dyshim për këtë, dhe akuzat e ngritura nga ne kanë vërtetësi nga faktet tuaja. Ajo që më irriton është fakti se një qeveri kaq e re në pushtet kur ka ndenjur në çadra më shumë se dy javë, ka frikë nga kjo grevë. Kjo nuk mund të trajtohet me gënjeshtër, pasi në momentin kur është bërë kërkesa,  protesta, në çdo vend demokratik duhej lejuar, ndaj këtë dhunim të qytetarëve, jo vetëm e demaskojmë me forcë por kërkojmë reagim të strukturave të shtetit. Nëse sot që në 12 janë bërë gati të protestojnë qytetarë të këtij vendi për largimin e tyre të padrejtë nga puna janë përballur me arrogancë dhe shpërfillje.  Një qeveri nuk mund të mbrojë të drejtat e një pjese të qytetarëve dhe një pjese jo. Kjo është alfa e demokracisë, Për mua është e patolerueshme.” tha Bregu. Ndërkohë një përfaqësues i të larguarve nga puna tha se largimi i tij nga puna është i padrejtë dhe se për këtë është i gatshëm ta faktojë.. “Kam ardhur këtu ti them me fakte të vijë janë larguar 40 vetë nga puna me të njëjten shkresë dhe të njëjtin motiv, nga drejtori Pjerin Xhevani. I bëj thirrje Kryeministrit se nëse më fakton se unë gënjej jam i pari të flijohem përpara popullit shqiptar për shpifje, në të kundërt të na lejojë zhvillimin e këtij tubimi.” tha ai. Ndërkohë deputetë të tjerë të Partisë Demokratike janë bashkuar pak kohë me grevistët, ndërsa kanë qëndruar për të dëgjuar problematikat që ata kanë. Ndërsa më vonë grevistëve u është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Ndërkaq 10 persona të larguar nga puna kanë filluar ngritjen e çadrës çka pritet të pasohet edhe me fillimin e grevës së urisë nga ana e tyre. Të larguarit nga puna protestiojnë për largimin e tyre nga administrata, sipas tyre ky një vendim i padrejtë.

TE LARGUARIT NGA PUNA TENTOJNE TE FUTEN NE GREVE URIE
Një përfaqësi e të larguarve nga adminsitrata prej 12 personash, kanë tentuar të hyjnë në grevë dhe të ngrejnë një “çadër urie” pranë kryeministrisë, por pa marrë më parë leje në Polici. Në këto kushte, uniformat blu të kryeqytetit kanë shoqëruar në komisariat dy persona të cilët sollën pranë tyre batanije, jastëk dhe çadrën që do të ngrihej mes kryeministrisë dhe Piramidës.   Kryetarja e Shoqatës për mbrojtjen e të shkarkuarve nga puna, Nertila Qafzezi ka kundërshtuar policinë në këtë aksion, duke mos i lejuar të marrin sendet e sjella, të nevojshme për të ngritur çadrën. Shefi i Komisariatit numër 1 takoi protestuesit për t’ua bërë vetë të ditur situatën. Sipas policisë, çadra cënon hapësirën publike dhe se duhet marrë leje në Bashki për ngritjen e saj. Por edhe në këto kushte ata kanë kundërshtuar dhe kanë mbajtur disa batanije e jastëk pranë Piramidës ku edhe janë mbledhur, ndërsa i janë dretjuar Bashkisë së Tiranës për të marrë leje.