13 policë dhe tre shefa, me diplomë fallco për “mësuesi”

761
Sigal

Policia, e mbushur me diploma fallco


Nga MAKSIM TUFA

Fakte tronditëse janë zbuluar ditët e fundit, lidhur me
shkollimin e një pjese të mirë të uniformave blu në radhët e Policisë Shtetit.
Veç dëftesave (që janë bërë të zakonshme) tashmë kanë dalw në dritën e diellit,
edhe skandalet me diplomat e një pjese të mire të punonjësve të Policisë sw Shtetit.
Në radhët e tyre, ka sot policw, madje edhe shefa sektorësh, që në CV kanë
shkollim të lartë, atë për “mësuesi”. Burime tepër të sigurta nga Elbasani i
thanë “Telegraf” se “13 policëve dhe tre shefave të sektorëve, në strukturat e
asaj drejtorie, po u bëhet verifikimi i diplomave të shkollës së lartë, sepse
bie në sy fakti, se janë shkolluar për “mësuesi” dhe i kanë mbaruar studimet në
vitet 2009-20014, pikërisht në Universitetin e Elbasanit”. I njëjti burim tha
se “në fokusin e hetimeve do të jenë pikërisht ata punonjës policie, që në CV e
tyre kanë dorëzuar dokumentacion të dyshimtë për ne, pavarësisht se diplomat e
tyre mbajnë firmat dhe vulat e Universitetit të Elbasanit, jemi në fazën e
hetimeve dhe presim shtrirjen e tyre edhe në disa fakultete”. Mësohet
gjithashtu se, nën hetim do të jenë edhe disa oficerë policie, të cilët kanë në
dosjen e tyre diploma, të cilat mbajnë vitin 1996-1997 si vitin e përfundimit
të studimeve në Universitetin e Elbasanit, kur dihet se gjatë trazirave atje u
dogjën pothuajse të gjitha dokumentacionet zyrtare. Ky fakt i ka shtyrë
hetuesit të nisin hetimet dhe të zgjerojnë rrethin e personave, duke patur
parasysh se në Elbasan vazhdimisht janë zbuluar dhe arrestuar fallcifikatorë të
lidhur me dekanë e pedagogë. Por faktet më të fundit tregojnë se rrjeti
fallcifikatorëve ka vazhduar të punojë akoma i qetë, madje të shpërndajë
diploma me firma dhe vula edhe në vitet e fundit, madje edhe për persona që
janë punësuar në polici. Hetimet do të shtrihen edhe tek tre shefat e
strukturave policore, të cilët e kanë nisur karrierën e tyre si punonjës
policie në lagje, dhe kanë arritur falë “arsimimit të lartë” të ngjiten në
poste të larta. Faktet e zbuluara në vite, dhe ato që zbuluara edhe muajt dhe
ditët e fundit, tregojnë qartë se epidemia e korrupsionit dhe rrjeti
fallcifikatorëve ka patur një shtrirje të gjerë në institucionet e shtetit. Me
diploma fallco (duke shfrytëzuar regjistrat dhe dokumentacionin zyrtar, qysh
nga viti 1997), janë pajisur zyrtarë të vegjël dhe të lartë, policë dhe shefat
e tyre, biznesmenë dhe tregtarë, duke krijuar me dashje një shtresë injorantësh
me pushtet fallco. Pavarësisht këtij fakti, kjo kategori njerëzish ka vite që i
zhvat shtetit rroga të majme, fonde dhe investime, duke luajtur me tenderat,
duke marrë përqindjet prej tyre, duke korruptuar dhe abuzuar me postin, me
paaftësinë e tyre. Evidentimi i fakteve të tilla tronditëse edhe në radhët e
Policisë Shtetit, me shtrirje të madhe në komisariatet e rretheve, tregon se
organet e hetimit duhet të ndalet seriozisht dhe të nisin ndjekjen penale për
cilindo që ka tentuar të abuzojë me vulën e institucionit, që ka tentuar të
mbushë xhepat me para të pista. Të mbarosh për “mësuesi” dhe të vishesh në
polici, të mbarosh për “mësuesi” dhe të ngjitesh në postin e shefit të
uniformave blu, duke bërë karrierë, kjo patjetër meriton një vëmendje të
veçantë nga Prokuroria, pasi është pikërisht ky kontingjent që edhe sot e kësaj
dite po e shkatërron dhe turpëron hapur në sytë e qytetarëve Policinë e
Shtetit.