12 miliardë lekë për të fluturuar në të 5 kontinentet

701
Sigal

Jakup B. GJOÇA

9 ministra shpenzojnë 5.000 bileta avioni, 12 miliardë lekë gjatë 2018-s në të 5 kontinentet

Luks i shfrenuar, makina e kryeministrit (649 milionë lekë) më e shtrenjtë, sesa “Viti i Skënderbeut (600 milionë lekë)

Në kryeministrinë e Ramës punojnë 1.292 nëpunës, 644 punojnë në godinën e Kryeministrisë, ndërsa 244 nëpunës punojnë tek kabineti i kryeministrit Rama. Një administratë tejet e “fryrë”, që duhen miliona lekë në muaj për të paguar rrogat dhe taksat e këtyre nëpunësve. Kjo do të ishte gjysma e së keqes. Sipas një denoncimi të PD-së, në qershor të 2018-s, qeveria dhe institucionet shtetërore kanë blerë 229 milionë euro makina, karburant, bileta avioni, fasada të mjerimit urban, pajisje për zyra e komoditete të tjera për luksin e tyre.

1

Ministritë, në garë, kush të fluturojë më shumë me avionë

Tenderët e parë të qeverisë “Rama 2” u organizuan në muajt nëntor-dhjetor, jo për investime publike, por …për të blerë institucionet, ministritë, drejtoritë e Përgjithshme, bileta avioni. Tani që tepsia e qeverisë është e gjitha e Partisë Socialiste, nuk ka më “doganë” për të kufizuar dëshirat e udhëtimit jashtë Shqipërisë të çdo zyrtari të shtetit. Miliarda lekë janë llogaritur në tenderët e qeverisë, të shpenzohen për udhëtime jashtë Shqipërisë, nga ministrat dhe drejtuesit kryesor të qeverisë “Rama 2”. Tenderët e parë për vitin 2018, janë fokusuar pikërisht tek blerja e biletave të avionit, para këto nga taksat e shqiptarëve por që përdoren për shpenzime luksi nga zyrtarët shtetërorë. Nga buxheti i shtetit do të harxhohen plot 1.2 miliard lekë për udhëtime jashtë Shqipërisë. Por nëse e konvertojmë këtë shumë në numrin e biletave, përafërsisht janë mbi 5000 bileta avioni, për në total 9 ministra dhe drejtues institucionesh. Nuk ka asnjë të dhënë zyrtare, sa janë shpenzimet e kryeministrit Rama për udhëtime jashtë shtetit, (shumica e tyre bëhen me Çarter) dhe e ministrit të Jashtëm, Bushatit.

2

Ja tenderët e biletave të avionëve të institucioneve shtetërore

E nisim nga Agjencia e Turizmit, e cila ka hapur procedurën “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar dhe akomodim për aktivitetet e Agjencisë kombëtare të Turizmit”. Fondi është 84 milionë lekë me TVSH, ndërsa burimi i financimit është buxheti i shtetit.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Bashkia e Tiranës, ku kryetari Erion Veliaj ka hapur procedurën me fond limit 150 milionë lekë pa TVSH, ose 180 milionë lekë me TVSH, ku fondet janë marrë nga taksat e banorëve të Tiranës.

Nuk ngel pas edhe Ministria e Mirëqenies dhe Rinisë. Kjo ministri, ka hapur tenderin “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar”, për vitin 2018, me fond limit 157 milionë lekë me TVSH.

Në të njëjtën linjë është edhe Korporata Energjetike Shqiptare, e cila ka akorduar 180 milionë lekë për udhëtime jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, nuk mund të mos qëndrojë pa “fluturuar” edhe Ministria e Bujqësisë. Niko Peleshi ka tenderuar blerje biletash për vitin 2018 dhe periudhën janar – mars 2019” me fondi limit 96 milionë lekë me TVSH.

Ndërkohë, krahas bujqësisë, janë edhe Drejtoria e Tatimeve, e cila ka planifikuar të shpenzojë 151 milionë lekë me TVSH deri më datë 31 dhjetor 2018.

Kryeprokurorja Arta Marku, akordoi plot 180 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit.

Në fund, ministria e Brendshme do të shpenzojë vetëm 48 milionë lekë për bileta avioni me TVSH. Pra, praktikisht, këta zyrtarë do të jenë si turistë në Shqipëri, pasi shumicën e kohës do ta kalojnë jashtë vendit. Nga vëzhgimi destinacionet që do të përfshijnë këto udhëtime, janë në 5 kontinente: Evropë, Amerikë, Azi, Afrikë dhe Australi.

3

2.7 milionë euro vetëm për shtatorin për udhëtime jashtë shtetit

Për muajin shtator, janë planifikuar 873 fluturime, me 1954 persona në përbërje të delegacioneve, në shpenzime llogariten dhe banketet e hargalisjet në “PUB”-e, me kostot totale sa ndërtimi i 5 shkollave me nga 400 nxënës. Ndërkohë që në Shqipëri po shtohet përditë varfëria, në radhët e qeveritarëve, po shtohet gara dhe oreksi për udhëtime jashtë shtetit, duke harxhuar miliarda lekë taksa publike, për bileta avioni, dhurata, fjetje e bankete në hotele e restorante luksi. udhëtimet jashtë Shqipërisë, që kanë planifikuar e realizuar shtetarët, pas kthimit nga pushimet, me destinacion 33 shtete, madje disa institucione dhe nga 5-6 vizita në javë, ku do të qëndrojnë minimalisht mbi 3 ditë, por edhe 7 ditë, siç është rasti i Kryetarit të Bashkisë Kukës, i cili së bashku me 3 vartës të tij, do të shkojnë 7 ditë në New York-SHBA me objekt vizite: “Marrje përvojë, për eficiencë në komunikimin me popullin”! Nuk e kemi fjalën për Ministrinë Jashtme dhe Kryeministrin, që kanë agjenda të shumta e ët diktuara jashtë shtetit, por për institucione buxhetore, shefat e të cilave, duket se inskenojnë qëllimisht, takime pune me homologë të huaj, thjeshtë, sa për të bërë shëtitje qejfi nëpër botë, me lekët e shtetit, ku më shumë bëjnë piknik, se sa takime. Edhe sezonin e pas pushimeve, qeveritarët po vazhdojnë t’i mbajnë bythët në avionë e të hargalisen me kolegë e dashnore, nëpër hotele luksi të botës, ndërkohë që 30% e shqiptarëve, zhyten ditë e natë, me kokën në kazanët e plehrave, për të siguruar mbijetesën ekonomike, nëpërmjet kënaçeve, plastikëve, pajisjeve shtëpiake dhe madje, ushqimeve që hidhen.

Vetëm për muajin shtator, zyrtarët e shtetit në nivel qendror poshtë ministror, kanë planifikuar 873 udhëtime jashtë shtetit me avion, me 1954 persona në përbërje të delegacioneve, me vlerë totale 2.7 milionë euro bileta, fjetje, shërbim taksi jashtë shtetit, dhurata, vizita kulturore e aktivitete të tjera.

 pjesa tjetër

4

25 milionë euro për blerje apo qira për makinat e zyrtarëve qeveritarë

Zyrtarët e qeverisë së Rilindjes Socialiste, pasi “zaptuan” hapësirën me biletat e avionëve, që udhëtojnë në të 5 kontinentet, thua se qeverisin Shqipërinë, nga bordi i aeroplanëve, kanë “pushtuar” edhe makinat luksoze. Vetëm për vitin 2018 qeveria ka shpenzuar 25 milionë euro për blerje apo qira makinash për zyrtarë e qeveritarë, ndërkohë që prej vitit 2014 kjo vlerë shpenzimesh luksi kap shifrën marramendëse prej 61.2 milionë euro. Vetëm për 8 muajt e këtij viti ka shpenzuar 11.3 miliardë lekë, aq sa vlera e Ndihmës Ekonomike në Buxhet, vetëm për serviset e luksit të automjeteve të qeveritarëve”. Sipas një denoncimi të deputetit Flamur Noka, në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e radhës. Sipas Nokës bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit me vlerë, 1.8 milionë euro. Marrja me qira e makinave është korrupsion i pastër për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, kjo sepse harxhohen miliona euro për makina me qira dhe makinat nuk i mbeten policisë, por i rikthehen përsëri mikut të Ramës. Kostoja e marrjes me qira të makinave është më e madhe sesa blerja e tyre.

5

520 mijë euro makina e re e kryeministrit Rama

Kryeministri Rama e shpalli vitin 2018 “Viti i Skënderbeut”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Për këtë qeveria planifikoi buxhet financiar, për të kryer të gjitha aktivitetet festive 600 milionë lekë, ose 476 mijë euro. Mirëpo, kryeministri Rama, për të shpërblyer vetveten, pasi fitoi zgjedhjet parlamentare të 2017-s dhe tani, që e ka i vetëm “timonin” e qeverisjes, hodhi mbi tepsinë e qeverisjes 650 milionë lekë, ose 519 mijë euro vetëm e vetëm që të blejë një …makinë kryeministrore! Pra, kolltuku, ku do të ulet “menderja” e kryeministrit kushton 60 milionë lekë më shumë, sesa “Viti i Skënderbeut”. Luks i paparë, i shpenzuar pa “doganë” nga kryeministri Rama. Kryeministri Rama është i vetmi kryeministër, ndoshta edhe në botë, që ka makinë që kushton mbi gjysmë milionë euro, thua se ka blerë tank, apo helikopter “Apachi”.

6

Faktet: VKM e kryeministrit Rama për blerjen e makinës kryeministrore 520 mijë euro

Qeveria shqiptare, me firmë dhe vulë të kryeministrit, ka bërë dy shpenzime financiare nga buxheti i shtetit, me vlerë totale 124 milionë lekë të reja. Shpenzimin e parë e ka bërë dhe e ka shpallur zyrtarisht, vetëm 2 ditë para Vitit të ri, konkretisht në datën 29 dhjetor 2017, për blerjen e një autoveture të re luksoze, kryer nëpërmjet Gardës së Republikës, me vlerë totale 64.902.000 lekë të reja (me TVSH). Ndërsa shpenzimin e dytë, qeveria e ka miratuar në mbledhjen e qeverisë të datës 9 janar 2018 dhe e ka shpallur në datën 12 janar, lidhur me fondin financiar, që do të përdoret për aktivitetet e “Vitit të Skënderbeut”, vlera e të cilit është 60 milionë lekë të reja, ose 4.9 milionë lekë të reja më pak se vetura e re që ka blerë kryeministri 2 ditë para Vitit të Ri, me të cilin do të udhëtojë gjatë “Vitit të Skënderbeut”.

Luksi i kryeministrit Rama krahasohet vetëm me diktatorin Çaushesku

Kryeministri Rama vetëm me diktatorin rumun Çausheskun mund të krahasohet për harxhimin e milionave dollarëve të luksit, i cili, kur populli rumun vuante për bukë, në fundvitet ’80, ai ndërtonte sarajet e tij me 3.000 dhoma në Bukuresht. Edhe kryeministri Rama, blen në fillim vitin 2018 makinë kryeministrore 520.000 euro, ndërkohë, që gjatë viteve 2015-2017 e kanë braktisur Shqipërinë më shumë se 400.000 shqiptarë, për të kërkuar azil ekonomik nëpër Evropë dhe në shtetet të tjera të Amerikës, për shkak të varfërisë së madhe dhe papunësisë në rritje. Çdo ditë në Shqipëri mbyllen 45 biznese, për shkak të taksave gjithnjë e në rritje, si nga qeveria, por edhe nga bashkia. Qeveria çdo vit shkurton fondet për ndihmën ekonomike dhe sociale, shkurton investimet publike, shkurton fondet për arsimin dhe shëndetësinë publike. Ndërkohë, që qeveria rrit nga viti në vit fondet për pagimin e koncesioneve, aq sa gjatë 2017-s qeveria pagoi 120 milionë euro për koncesionet që ka dhënë në këto 5 vite qeverisjeje. Gjatë 5 viteve të qeverisjes, rrogat dhe pensionet janë rritur vetëm 1 herë dhe ato jo më shumë se niveli i inflacionit, ndërkohë që çmimet e të gjitha produkteve ushqimore, industriale, etj, janë rritur disa herë.

Ja vendimi për blerjen e veturës kryeministrore me vlerë 64.9 milionë lekë të reja (Buletini i prokurimeve Publike” Nr. 52, datë 29.12. 2017)

GARDA E REPUBLIKËS (Njoftim blerje automjeti)

  1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Garda e Republikës

Rruga e: “Elbasanit”(Pallati i Brigadave), Tiranë Nr. Tel/ Fax; 00355 4 2 375 152

  1. Lloji i procedurës:“Procedurë e hapur” (Prokuruar nga DPP)
  2. Objekti i kontratës:“Blerje automjete për Gardën e Republikës” Loti i 1: “Blerje Autoveturë për Gardën e Republikës”
  3. Fondi limit: 59.278.513 Lekë (pa TVSH)
  4. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 64.902.000 lekë (me TVSH)
  5. Data e lidhjes së kontratës: 28.12.2017
  6. Emri dhe adresa e kontraktori: Shoqëria:“CLASSIC” sh.p.k me NIPT J91909004J, Adresa: Autostrada Tiranë-Durrës, Km 1, rruga dytësore godina nr.8, Kashar, Tiranë.

Ja VKM-ja, për miratimin e fondit 60 milionë lekë të reja shpenzime për “Vitin e Skënderbeut” (Fletore Zyrtare Nr. 2, datë 12 janar 2018)

VENDIM Nr. 4, datë 09. 01. 2018. “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

  1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, zëri “Shërbime qeveritare”, t’i shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për organizimin e eventeve, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.
  2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
  3. Ngarkohen Ministria e Financa-Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI

Edi Rama

Ja disa nga udhëtimet e planifikuara të shtetarëve, për muajin shtator 2018

Kryeministria, udhëtim në SHBA

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, udhëtim në Turqi

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, udhëtim në Gjermani

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, udhëtim në Bruksel

Hekurudha Shqiptare, udhëtim në Gjermani

Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, udhëtim në Kapri-Itali

Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, udhëtim në Romë-Itali

Drejtoria e Administratës M. Mbrojtjes, udhëtim në Turqi

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), udhëtim në Rumani

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) udhëtim në Bruksel

Hekurudha Shqiptare, udhëtim në Gjermani

Instituti Statistikave (INSTAT), udhëtim në Beograd

Autoriteti Portual Durrës, udhëtim në Odesa

Ministria e Drejtësisë, udhëtim në Romë

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, udhëtim në Katania

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, udhëtim në Bruksel

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, udhëtim në Rumani

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), udhëtim në Athinë

Instituti i Shëndetit Publik-Tiranë, udhëtim në Romë

Bashkia Kukës, udhëtim në New York (kryetari me 3 vartës, 7 ditë qëndrim).