11 pyetje të ZMK-së për Drejtoreshën e Bankës Botërore Jane Armitage

465
Sigal

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK dhe drejtuesi i saj Avokati Altin Goxhaj në interes të konsumatorëve shqiptarë kanë kërkuar nga znj. Jane Armitage, Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore të përgjigjet për rolin e Bankës Botërore në dështimin e CEZ dhe demin e bërë ndaj konsumatorëve shqiptare. Pyetjet që i janë paraqitur asaj vijojnë si me poshtë:

1. Çfarë ka bërë zyra e Bankës Botërore në Tiranë me milionat e taksapaguesve spanjollë që erdhën në Shqipëri për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë nga rritja e çmimeve dhe abuzimet e CEZ dhe të Ujësjellës Kanalizimeve?

2. Përse i anuloi Banka Botërore qindra mijë dollarë të spanjollëve të destinuar për të ndihmuar konsumatorët që të ankoheshin dhe tu jepej asistencë ligjore për tu përballuar me CEZ?

3. Në cilët xhepa shkuan këto para dhe kush janë zyrtarët shqiptarë me të cilët ka bashkëpunuar Banka Botërore për të devijuar 2.1 milionë dollarë të taksapaguesve spanjollë që duhet të mbështesnin fuqizimin e zërit kombëtar të konsumatorëve shqiptarë dhe mbrojtjen e tyre ligjore nga abuzimet e CEZ?

4. A ka përdorur këto para Banka Botërore për të ushtruar presion në median shqiptare duke vendosur kushte ndalese për zërin e ZMK në media në lidhje me akuzat tona ndaj CEZ & Bankës Botërore përgjatë vitit 2011?

5. A është e vërtetë që me 2.1 milionë dollarë të taksapaguesve spanjollë është paguar drejtori i Projektit me 300.000 USD dhe ky drejtor gjithmonë deklaronte se “nuk merr vesh” nga fusha e të drejtave të konsumatorëve?

6. A është e vërtetë që Banka Botërore ka ndikuar pranë komunitetit të donatoreve në Shqipëri dhe jashtë saj që në Shqipëri të mos ketë mbrojtje ligjore për konsumatorët e abuzuar nga CEZ?

7. A ka ushtruar presion Banka Botërore ndaj ERE për rritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike? A ka ushtruar presion Banka Botërore ndaj ERE për shtyrjen e afatit të investimeve të CEZ në kundërshtim me kushtet e privatizimit? A ka ushtruar presion BB ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për të mos ndëshkuar CEZ?

8. A ka penguar Banka Botërore në bashkëpunim me zyrtarë shqiptarë hartimin e një legjislacioni të drejtë rregullator për energjinë dhe që mbron realisht të drejtat e konsumatorëve nga abuzimet e CEZ?

9.Kushështë roli i vërtetë i Bankës Botërore në Shqipëri në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve nga abuzimet e CEZ, Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve, Sektori Bankar, Sektori i Sigurimeve, Kalibrim-Metrologjia, etj?

10. A po luan Banka Botërore një rol të drejtpërdrejtë në mbytjen e zërit të konsumatorëve shqiptarë që duhet të ngrihej kundër abuzimeve nga kompanitë si CEZ, ujësjellës kanalizimet, bankat, shoqëritë e sigurimeve, skemat e zgjidhjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve konsumator-biznes, etj?

11. A mban përgjegjësi ligjore dhe financiare Banka Botërore për rolin e saj në humbjet që i janë shkaktuar konsumatorëve shqiptarë nga Dështimi i CEZ në Shqipëri?