105-vjetori i Pavarësisë/ Meta-Rama e Thaçi ngrenë flamurin në Vlorë

602
Shqipëria sot feston 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë nga të gjitha vendbanimet shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 105 vjet më parë, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.
Po sot, liderët e Shqipërisë e Kosovës janë bërë bashkë në Vlorë. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Edi Rama kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngitjes së flamurit në Vlorë.
Qyteti i flamurit, Vlora, do të jetë sot epiqendra e festimeve në 105-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në shenjë simbolike me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë në Vlorë do të vijojë sot dita e dytë e mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë.
Vlorë –Tiranë, 28 nëntor 2017
E Martë 28 nëntor 2017
11:40- Mbërritja e personaliteteve shqiptare, të përfaqësuesve të diasporës, Trupit Diplomatik të akredituar në RSH si dhe të ftuarve të tjerë.
12:00- Mbërrin, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta. Presidenti i Republikës, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prefekti i Vlorës, Kryetari i Bashkisë Vlorë drejtohen drejt vendit ku do të ngrihet flamuri. Komandanti i Truprojës së Nderit i paraqet forcën Presidentit të Republikës. Ecja ceremonial shoqërohet me marshe nga Banda frymore e Ushtrisë.
12:03- Ngritja e flamurit Dy pjesëtarë të Forcave të Armatosura­ detare apo tokësore­ kryejnë aktin formal të ngritjes së flamurit.
Ngritja e flamurit shoqërohet nga Himni Kombëtar dhe 21 të shtëna të artilerisë.
Pas ngritjes së flamurit, Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prefekti i Vlorës, Kryetari i Bashkisë do të vendosin kurora tek varri i Ismail Qemalit.
12:25- Pas përfundimit të vendosjes së kurorave tek varri i Ismail Qemalit, personalitetet më të larta të vendit, të shoqëruar nga Protokolli i Shtetit, do të nisen drejt Shtëpisë Muze. Lëvizja do të kryhet me automjete
12:20- Autoritetet shoqërohen drejt Shtëpisë muze të Pavarësisë Autoritetet zhvendosen në sheshin përpara Shtëpisë muze me automjete
12:25- Mbërritja në oborrin e Shtëpisë muze Në oborr janë vendosur karrige, podium dhe foltore si dhe një led i madh
12:30- Shpallje e logos zyrtare të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit­ Skënderbeut
12:35- Fjalë e Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
13:15- Fjalë e Sh.T. Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës
13:30- Fjalë e Z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë
14:00- Autoritetet vijojnë për një buffet në mjediset e reja të Bashkisë së Vlorës Autoritetet e larta të ftuara mund të kryejnë, sipas dëshirës, vizita individuale në mjediset e Shtëpisë muze.
14:10- Mbërritja në godinën e Bashkisë së Vlorës Buffet në nder të autoriteteve të larta përpara se të marrin rrugën e kthimit.
14:45- Nisja drejt Tiranës
19:00- Pritje shtetërore organizuar nga Sh.T. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë, me rastin e Festës kombëtare, në Pallatin e Brigadave.
Ndërsa në Tiranë, me rastin e Ditës së Pavarësisë, në orën 10:00, zhvillohet ceremonia e vendosjes së kurorave pranë Monumentit të Pavarësisë.
Në orën 11:00, ngritja e Flamurit në Sheshin Skënderbej, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Më 28 nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.
Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar.
Sigal