1000 euro sinjalistikë për të shpëtuar nga rrugët e vdekjes

2568
Sigal

Rrugët nuk janë vetëm vepra korruptive, por edhe vepra kriminale, sepse janë kthyer në kurthe vdekjesh për qytetarët. Mjafton të hedhim një sy në gjithë rrugët e Shqipërisë. Na shoqëron i njëjti pejsazh me segmente autostrade mesatarisht 20 km të gjatë që nuk kanë as fillim as fund, që nisin në një rrugicë e përfundojnë në një rrugicë. Copa rrugësh elektorale të përdorura e të ripërdorura në çdo fushatë këto 8 vjet. Copa autostradash që nisen nga askund e përfundojnë duke u lidhur në mënyrë spontane pa asnjë lloj investimi, pa asnjë lloj standardi, pa asnjë lloj masë sigurie, pa asnjë lloj sinjalistikë, pa asnjë lloj vëmendjeje edhe nga policia. Njolla të zeza që janë kthyer në pika humbje jetësh të përditshme. I tillë është edhe segmenti Levan-Vlorë. Mbas 6 vjetësh, me justifikime banale kërkohet një shtesë prej 18 milionë eurosh që do të thotë një shtesë prej 44% e vlerës fillestare, gjë e padëgjuar nëpër projekte të tilla deri më sot, duke pretenduar se janë shtruar ca shtresa stabilizanti e një sistem që nuk i prish qetësinë lejlekëve e përralla të tjera si këto. Pra, kërkohen 18 milionë euro se na e kanë bërë më të sigurt këtë rrugë, ndërkohë vetëm para pak ditësh rruga kishte ceduar më shumë se 1 metër në hyrje e në dalje të çdo ure. Do doja shumë që ju të kishit pasur qëllim të ndërtonit rrugë të standardeve më të mira të cilat do të sillnin zhvillim por tashmë jam i bindur se qëllimi juaj ka qenë përfitimi elektoral dhe grabitja e përqendruar. Sot që flasim nuk ka asnjë segment rrugor që të ketë një fillim e një mbarim, apo që të lidhet me rrugë të tjera. Ka vetëm copëza rrugore që janë kthyer në burim aksidentesh, shumë shpesh me pasojë vdekjen. Me papërgjegjshmërinë tuaj e keni kthyer këtë vend në vendin më të rrezikshëm në Europë sa i përket sigurisë rrugore. A e keni parë ndonjëherë ministrin e rendit apo atë të transportit të dalë nga zyra e të shkojnë të shohin ku janë këto vende që marrin jetë njerëzish e të rregullojnë ç’të mundin për të parandaluar që të tjera jetë të humbën? Po si ka mundësi që në këto kryqëzime ku humbin jetën qindra njerëz në vit e plagosen qindra të tjerë kjo qeveri mos lëvizë gisht as për sy e faqe, mos dalë as nga zyra të shohin c’është ky vend ku humbin jetën qindra shqiptarë e jo më pastaj të investojnë sikur edhe 1000 euro sinjalistikë. Sikur vetëm pak mijëra euro sinjalistikë të investonit në këto kryqëzime minimum gjysma e atyre jetëve do ishte shpëtuar. Bilance të denja për një luftë. Çdo vit vdesin rreth 400 njerëz e plagosen me mijëra të tjerë, pa llogaritur dëmet materiale. Të gjithë e kemi të gjallë dhimbjen për ato studentet e shkreta që humbën jetën në aksidentin e Himarës. Mjaftojnë pak qindra euro që të sigurohet për sinjalistikën rrugore. Asnji hetim nëse sinjalistika e projektuar ishte apo jo sipas parametrave të BE-së për sigurinë rrugore. Po materiali a ishte i certifikuar. Bota llogaritë që me çfardollojë shpejtësie apo gabime të drejtuesve, sinjalistika të sigurojë jetën e taksapaguesve dhe qytetarëve të thjeshtë.