100 ditët e para të qeverisë, Rama publikon 10 prioritetet e para të punës

737
Kryeministri publikon nismën e tij të tretë për një bashkëqeverisje me qytetarët. Kërkon të marrë mendimin e tyre lidhur me punën e qeverisë së re
Fushatën pas zgjedhore të 25 qershorit është duke e zhvilluar në rrjetet sociale. Pas dy nismave të para, ku kërkonte nga qytetarët denoncimin e zyrtarëve të korruptuar për të bërë të mundur pastrimin e administratës shtetërore, Edi Rama, ka hedhur një tjetër nismë., Këtë radhë kërkon nga qytetarët që të japin mendimin e tyre lidhur me fillimin e punës së qeverisë së re në shtator. Ai thotë se qeveria e krijuar prej tij do të ketë shumë punë dhe sfida përpara, por kërkon mbështetjen e qytetarëve për të përballuar gjithçka. Është i bindur se në një lloj bashkëqeverisje me qytetarët, do t’ia dalë mbanë për të pastruar administratën nga të paaftët dhe të korruptuarit. Thotë se do të bëjë gjithçka për të mirën e qytetarëve dhe do të punojë vetëm për këtë gjë. Nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që kundër shtresës së njerëzve të zakonshëm të bëhet padrejtësi. Për këtë qëllim është duke zhvilluar dëgjesa në të gjitha qytetet. Madje pas çdo ankese të marrë nga qytetarët gjatë dëgjesave ai bënë një shkarkim drejtori. Por ajo që të bie në sy, është fakti se të gjithë drejtohet e shkarkuar janë emëruar që në vitin 2013. menjëherë pas kësaj faze nis tjetra, ajo e emërimit të drejtorëve të rinj, të cilët do të jenë pjesë e së njëjtës tepsi. Kërkon nga qytetarët që në portalin Anile që do të hapet në fillim të shtatorit, të denoncojnë të gjithë rastet korruptive në zyra dhe në sportele. “Do t’i isha mirënjohës secilit dhe secilës prej jush që do të jepte opinionin e vet, mbi disa ide për operacionet që po përgatiten për 100 ditët para të qeverisë së re, si më poshtë:

1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit;

2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektorateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku;

3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare;

4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor;

5. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat etj., si edhe fillon mbyllja hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore;

6. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë;

7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cenon sigurinë e konsumatorit;

8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë; 

9. Organizohen në çdo qark dëgjesa publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku;

10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri.
Siç kuptohet një pjesë e këtyre operacioneve, shkojnë përtej kufirit të 100 ditëve, por më duket se nisja që ditën e parë të mandatit të ri është kusht për suksesin e tyre. Si mendoni?
Çdo kritikë për çka mund të jetë e tepërt apo mund të mungojë në këtë grumbull idesh paraprake, është e mirëpritur”, shkruan kryeministri Edi Rama. Pak minuta më vonë poston një tjetër denoncim. Ai publikon një mesazh të dhënë menjëherë pas shkarkimit të drejtorit të ALUIZNI-t në Berat. “Ky është rezultati logjik i një historie që nisi me ankesën e një gruaje 80-vjeçare. Dhe mesazhi i këtij rezultati duhet të jetë i qartë për të gjitha drejtoritë dhe zyrat që u shërbejnë qytetarëve: O me popullin dhe për popullin, o jashtë librit të pagesave të shtetit! Kjo është ndoshta lufta më e vështirë që një qeveri ka hapur në këta 27 vjet dhe nuk do të jetë aspak e lehtë për ta fituar, por në katër vitet e ardhshme s’do të ketë një minutë të vetëm paqeje mes koalicionit tonë me njerëzit e zakonshëm dhe parazitëve e grabitqarëve në zyrat e shtetit”, shkruan kryeministri Rama.
Sigal