10- vjetori i Shqipërisë në NATO/ Paradë ushtarake në Tiranë në prani të përfaqësuesve të 29 vendeve anëtare. Shqipëria faktor stabiliteti

502
Sigal

Festohet në Tiranë 10-vjetori i Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Marrin pjesë Presidenti i Republikës, kryeministri dhe përfaqësues të 29 vendeve anëtare të kësaj organizate

Presidenti Meta: Forcimi dhe fuqizimi i infrastrukturës së sigurisë tonë kombëtare mbetet një prioritet

Parada ushtarake në sheshin “Nënë Tereza”

Në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), mblidhen në Tiranë përfaqësues nga 29 vendet, të cilat janë pjesë e kësaj organizate. Dje, në  sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë u bë edhe një  paradë fluturimi të avionëve të NATO-s mbi Tiranë, si dhe rreshtimi i 3 500 efektivëve të FA, flamurtarë të huaj, mjete ushtarake etj. Në festimet dhe paradën ushtarake të Forcave të Armatosura shqiptare me rastin e 10-vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior mori pjesë Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Forcave të Armatosura, Ilir Meta, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, atashe ushtarakë, drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë si dhe përfaqësues nga 29 vendet anëtare të NATO-s.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta: Shqipëria ka marrë përgjegjësitë që i takojnë

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 10 vite më parë përbën një nga ngjarjet më të mëdha në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Në këtë përvjetor historik, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë ndaj të gjitha vendeve aleate dhe mike, të cilat e mbështetën me shumë besim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kontribuan në mënyrë të gjithanshme për modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Një falënderim të veçantë sot e kam për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, i cili me vizitën e tij të paharruar në Tiranë frymëzoi përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të këtij qëllimi madhor. E paçmuar mbetet mbështetja e jashtëzakonshme e të gjithë popullit shqiptar dhe mbarë spektrit politik e të gjitha qeverive të ndryshme ndaj këtij projekti madhor strategjik që u shërben interesave kombëtare si asnjë projekt tjetër. Pak ditë më parë ne kujtuam 20-vjetorin e vendimit historik të NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, duke i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik jo vetëm atje, por njëherë e përgjithmonë në të gjithë rajonin tonë. Të gjithë shqiptarët u mbeten përherë mirënjohës SHBA-ve dhe NATO-s për këtë ndërhyrje vendimtare që jo vetëm shpëtoi një popull të pafajshëm, por forcoi paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Shtrirja e NATO-s drejt rajonit tonë, ka forcuar, si asnjëherë, sigurinë në aksin adriatiko-jonian, ka zgjeruar perimetrin e sigurisë së Aleancës dhe ka ofruar një garanci të pazëvendësueshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Shqipëria ka marrë përgjegjësitë që i takojnë, për reformimin dhe modernizimin e pandërprerë të Forcave të Armatosura, për plotësimin e angazhimeve buxhetore dhe pjesëmarrjen aktive në operacionet e përbashkëta, krah për krah vendeve aleate në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Letoni, Mali, Deti Egje, dhe kudo ku i është kërkuar. Si President i Republikës do të vazhdoj të mbështes fuqimisht dhe do të inkurajoj çdo nismë, çdo përpjekje dhe çdo projekt që i shërben forcimit dhe kohezionit të Aleancës dhe angazhimit kombëtar për të përmbushur çdo detyrim. Jam i bindur se rritja e buxhetit për vitet në vijim do të mbetet përparësi, sepse është jo vetëm detyrim ndaj angazhimit tonë në gjirin e Aleancës, por edhe tregues i përkushtimit për t’iu përgjigjur në mënyrë proaktive rreziqeve të reja të sigurisë. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, emigracionit të paligjshëm dhe sulmeve kibernetike janë kërcënimet reja, të cilat kërkojnë bashkëpunim edhe më të ngushtë midis vendeve tona.

Berisha: Dy socialistët që dua të falënderoj publikisht për kontributin që dhanë për pranimin e Shqipërisë në NATO

PS-ja në vitet 92-96, votonte rezoluta anti-NATO. Por ka pasur një pjesë, natyrisht jo gjithë opozita. Duhet t’i shpreh falënderimin tim sot Presidentit Meta, ish-kryeministrit Pandeli Majko promotorë dhe ata në Partinë Socialiste për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka: Shqipëria ka konsoliduar rolin si një shtyllë stabilitetit në rajon

Vendimi për të ndërtuar në Shqipëri, në Kuçovë, bazën e parë ajrore në rajonin tonë, padyshim që është një sinjal i fortë i vendosmërisë së Aleancës për të qëndruar në rajon, por edhe një sinjal i fortë i rëndësisë së madhe strategjike që po merr rajoni jonë në raport me garantimin e sigurisë së Evropës.

Ministrja e Mbrojtjes së Italisë, Elizabetta Trenta: Rajoni ka bërë shumë punë për të kaluar historinë e të shkuarës dhe herë pas here përballemi me terrorizmin dhe emigrimin. Italia e ka përkrahur gjithmonë Shqipërinë në NATO.

Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmila Sekerinska: Ne kemi vlerësuar shumë mbështetjen e Shqipërisë për vendin tonë përpara anëtarësimit. Në fillim ne duhet të investojmë në sigurinë tonë rajonale për të investuar më pas në sigurinë atlantike.

Luan Rama: Shqipëria nuk mund të jetë edhe në NATO, edhe të jetë portë i kalimit të trafiqeve të drogave

Anëtarësimi në NATO është gjithashtu në këtë 10 vjetor, edhe një moment i rëndësishëm reflektimi për ta ndarë Shqipërinë përfundimisht nga shfaqje, fenomene, dukuri negative që jo nuk i bëjnë nder një vendi anëtar të NATO-s, por që në të kundërt, krijojnë një imazh negativ dhe kosto të mëdha për vetë vendin dhe interesat evropiane të Shqipërisë. Është paradoksale, por që në fakt është e vërtetë, që edhe raporti i fundit i  Departamentit Amerikan të Shtetit, vazhdon ta ketë Shqipërinë në qendër të fokusit për një mori aktivitetesh kriminale.  Ajo çfarë është për t’u evidentuar nga ky raport, ka të bëjë me faktin që në të thuhet se “korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotrafikëve”. Prandaj është urgjente, është alarmante që shkaktarët e këtij realiteti të mbajnë përgjegjësi, që ata që e kanë stimuluar dhe e kanë ushqyer këtë realitet, që e vë Shqipërinë nën akuzë, të përgjigjen, sepse nuk mund të vazhdohet edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh portë e kalimit të trafiqeve të drogave të forta; edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh vend me korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes; edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh vend ku korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis ku trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësia kryesore për këtë realitet kriminal, bie mbi qeverinë aktuale.