10 milionë paund investime për profesionet e së ardhmes në Shqipëri dhe Ballkan

491
Sigal

Programi Shkollat e Shekullit 21, nismë e British Council në Ballkanin Perëndimor, u lançua në Shqipëri dhe pesë vende të tjera të Ballkanit. Shkollat e Shekullit 21 është një program trevjeçar, i financuar nga Qeveria Britanike, i cili do t’i pajisë mbi një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor, me aftësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit. Ai synon të rrisë brezin e ardhshëm të novatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe të ndërtojë mundësi punësimi. Të gjitha shkollat e arsimit bazë në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi do të pajisen me pajisje microbit, të cilat do t’u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë aftësi të reja digjitale dhe koduese në një mënyrë zbavitëse dhe ndërvepruese. Ndërsa shoqëria shqiptare përballet me përfitimet dhe sfidat e nxitura nga teknologjia dhe novacioni, ky program trevjeçar synon t’i përgatisë brezat e rinj me mendësinë dhe aftësitë për profesionet e së ardhmes. Në Shqipëri, rreth 1,200 shkolla, më shumë se 4,000 mësues dhe rreth 120,000 nxënës, mes moshës 10-15 vjeç, janë përfshirë në program. Në aktivitetin e lançimit në Tiranë, në shkollën “Niket Dardani”, përfaqësues nga British Council, qeveritë shqiptare dhe britanike si dhe nga institucione të tjera, diskutuan sfidën e pajisjes së nxënësve në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me aftësitë e së ardhmes. Ministrja e Arsimit të Shqipërisë dhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Britanike panë projektet nga 15 shkollat që morën pjesë në konkursin Shkollat e Shekullit 21. Dy fitues do të përfaqësojnë Shqipërinë në një konkurs rajonal në Beograd në muajin prill, si pjesë e Samitit Digjital të Vendeve të Ballkanit. Shkollat e Shekullit 21 zhvillohet paralelisht dhe në përputhje me kurrikulën tradicionale për të mbështetur mendimin kritik për brezat e rinj, si domosdoshmëri për t’u përballur me realitetet e së nesërmes.