1 vit kryesia e PS-së, pa kryetar

486
Sigal

KUÇOVË /Socialistët nuk pranojnë njeriun e emëruar nga qendra

Në PS-në e Kuçovës, ka mëse një vit që kryesia e saj akoma nuk ka zgjedhur kryetarin. Deri tani, kjo kryesi drejtohet nga njerëz që emërohen sipas dëshirës nga kryesia e PS-së, me ndërhyrjen edhe të deputetëve të zonës. Shumë herë, është tentuar që kryesia e PS-së në Kuçovë, të zgjedhë për kryetar të saj atë njeri që emërohet nga kryesia e PS-së, mirëpo kjo ndërhyrje shumë herë ka ndeshur në kundërshtimin e hapur të socialistëve në Kuçovë. Sipas burimeve të mirinformuara, për të amortizuar kundërshtimin e socialistëve në Kuçovë, disa herë, është dërguar nga kryesia e PS-së, edhe deputeti Nanik Dokle, por kandidaturat e sjella nga qendra nuk janë pranuar, sikurse nuk është pranuar edhe kandidatura që duan socialistët e Kuçovës. E gjitha kjo, pasi deputetë të zonës duan që kryetar i PS-së të vendoset një njeri i afërt dhe kështu të kenë më të lehtë kontrollin e PS-së në Kuçovë. E tillë është gjendja edhe në shumë kryesi të PS-ve në qarqe dhe në qytete të tjera, ku kryetari nuk mund të zgjidhet pasi ka përplasje midis kandidaturës të emëruar nga kryesia e PS-së dhe kryesive të PS-së në qytete e qarqe. Kjo gjendje amullie, tensioni, përçarjeje, vetëm për të mirë nuk mund të ndikojë, për më tepër, tashmë, që de fakto PS-ja po futet në fushatën elektorale të 2013-s. Veç të tjerash, këto përpjekje të diktimit të kryesisë të PS-së mbi kryesitë e PS-ve në qytete e qarqe, dëshmojnë që shqetësimi kryesor i disave në kryesinë e PS-së është si të emërojnë në strukturat drejtuese të partisë njerëzit e tyre, sesa të ndihmojnë në forcimin e unitetit midis socialistëve, për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të 2013-s.