Asqeri Guri: Skrapar, më përlote sytë!

1985
Po ju flas nga Miçigani i Amerikës me sy të përlotur. E kemi kërkuar botën dhe ajo na pranoi, po mallin e vendlindjes nuk na i shoi . Kokën e kemi ende mbrapa. Vendlindja na ka ngulitur në mend ato kujtime të bukura e te dhimbshme, por t ë nevojshme. Tani, që kam kaluar kaq shumë male e dete, më duket sikur ai vendi im, që quhet Skrapar, më rri pranë e më mbyt me kujtime. Më kujtohet ajo ditë kur pasi punova në sanatoriumin e Tiranës, spitalin e Beratit dhe Kuçovës, shkova në spitalin e Skraparit. Koha punonte për të renë në Skraparin e varfër. Ishte viti 1985. Skrapari kishte një spital modern, ku punonin 22 mjekë të të gjitha specialiteteve. Ato pamje të bukura të qytetit të Çorovodës më rinojnë edhe sot këtu në Amerikën e largët, ku jetoj me sy të përlotur. Po kur zbrita nga autoambulanca përpara hotelit, u fikën dritat. Ika nëpër rrugicat e përbaltura për të bujtur te motra, Hatixheja. Ajo u çudit kur më pa të përbaltur, por unë do të pranoja ta kisha këtu atë baltën e Skraparit që më rriti. Kur vajta në punë në mëngjes, u ndodha i rrethuar nga drejtori, Behar Nuellari, mjekët Ekaterina Ivashku, Ajli Alushani, Safigjeta Lamçe, Polizoi Shqina, kryeinfermieri Neim Hysi, kryemamija, Aleksandra Myftari… Një trupë mjekësore shumë aktive, që nuk lanë fshat të Skraparit pa vajtur. Nuk kishte derë të mbyllur për mjekët, as të tillë për të sëmurët. Ishin dy zemra në një trup. Shëndetësia ishte e gjitha në këmbë, natë ditë. Atëherë i detyronte edhe ligji mjekët, që tu vinin në ndihmë të sëmurëve edhe jashtë orarit. Ne ishim mjekë dhe mjeku atë detyrë ka, nuk e di pse ishte bërë ai ligj detyrues. Të mos harrojmë fshatrat nuk kishin rrugë dhe të gjitha udhëtimet i bënim në këmbë. Gatishmëria e personelit shëndetësor solli një stabilitet të dukshëm në rënien e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Më kujtohet që vaksinimi i fëmijëve ndiqej me seriozitet. Për të gjithë fëmijët që lëviznin për në rrethe të tjerë, lajmërohej shërbimi shëndetësor i atij rrethi për vaksinat që kishte bërë e do të bënte. Por nuk më vinte mirë kur shikoja diferencime mes punonjësve. Unë isha me kostum e kollare, Lile Grepcka me rroba shajaku e mbante ushqimet e spitalit me një gomar. Kam ëndrrat, emocionet dhe vlerësimet e mia si mjek, humanist e bir i Turbëhovës së Skraparit. Si luftëtar sup më sup me armatën e kohës u angazhuam për realizimin e idealeve të kohës së re që po lindte në revolucionin shoqëror, në harmoni me traditat e moralit shekullor, që udhëhiqte marrëdhëniet midis fiseve fshatare në harmoni me besimin fetar, se jeta dhe prona ishin të shenjta. Në këtë vazhdë treva jonë ka nxjerrë prijësit, burrat që kanë bërë e lënë emër, të cilët kanë mbetur si një manifest e përcillen nga një kujtesë e popullit në tjetrën. Më duhet të ndaloj në formimin tim si intelektual. Shkollën fillore e 7-vjeçare e bëra në Përmet, të mesmen në Gjirokastër dhe të lartën në Tiranë për mjekësi. Përse e përmenda këtë? Në të gjitha vitet e studimit në shkollë nuk pagova asnjë lekë. Këto i përballonte shteti. Por ndikimi që kishte familja në formimin tim, ishte themelor. Qëndrimi im 19-vjet në drejtimin e spitalit të qytetit dhe si mjek, më ka ndihmuar për t’u bërë njeri e mik i të gjithëve. Drejtori nuk dallonte nga mjeku, se edhe ai bënte roje nate, vizitonte në poliklinikë e pavijone. Tani më vjen keq, që tërë ai spital është katandisur dhe nuk ka mundësi t’u japë ndihmë të specializuar të sëmurëve, po i shpien nëpër rrethet e tjerë. Po ata punonjës atje, çfarë bëjnë?Ata nuk kanë mundësi t’u shërbejnë banorëve, shteti i mban si parazitë të shoqërisë. Mbaj mend që në ato vitet tona në Çepan u hap një spital me shtreër për t’i shërbyer gjithë zonës , por pas një viti u mbyll, se nuk u shtrua asnjë i sëmurë. Po ky spital me kapacitet njëqind shtretër, që është krejt i boshatisur, përse qëndron i hapur? Dhe të mos harrojmë, jemi në sistemin e ekonomisë së tregut. Mes atyre burrave e patriotëve të nderuar, që më uruan mirë se ardhjen në Skrapar, ishte dhe një djalë moshatar me mua, që më erdhi në zyrën, që e mbaja hapur, dhe më uroi si pleqtë e moçëm, duke më derdhur tërë ato fjalë miqësore. Ky djalë, që atëherë ishte i sëmurë, e ka emrin Enver Cakaj. Ishte viti 1967 dhe fjalët e tij më prekën shpirtin, aq sa i kujtoj edhe këtu dhe përlotem. Atëherë ne bënim kontroll tek shtretërit e të sëmurëve, sepse mbanin nën jastëk edhe ushqime që nuk lejoheshin. Kur kontrollova një shtrat, nën jastëk gjeta një libër me titull “Yje të pashuar”. Ato çaste i sëmuri nuk ishte, por shtrati ishte i Enver Cakajt. Që atëherë m’u krijua mendimi, se ky djalë do të bëhej dikush në fushën e letrave. Kam me të një fotografi, që sa herë e shikoj, më vjen ndërmend ai djalë, që tani nuk është vetëm një lexues, por edhe një shkrimtar, që ka shkruar 34 libra
Tek kuvendojmë këtu, në tryezën e mërgimit me shumë shqiptarë, profesori nga Mallakastra më thotë për Enver Cakajn:”Ai skraparasi juaj prapë ka shkruar sot. Për çudi ai flet me një stil tjetër. Ai të ngroh dhe e kuptojnë të gjithë ata që kanë zemër të pastër, siç është populli shqiptar. , siç jemi dhe ne në tryezat e Miçiganit. Mbase e di, po fshati jonë e ka prejardhjen nga Osoja e Skraparit. Fillimisht kanë ardhur vetëm tri shtëpi, pastaj u bënë 30-shtëpi. Më kanë thëne se tani ka dalë një gjeneral nga ajo Osojë.”Atëherë i shpjegova, se Osoja nuk ka gjeneral, po dy Heronj të Popullit, Zylyftar Cakën dhe Estref Cakën. Banorët e Osojës janë miqtë e mi, ku kam ngrënë bukë në shtëpitë e tyre. Në bisedë na hyn Ylli Muho, ish-oficer nga Radëshi, i cili më ngacmon , më respekton më ledhaton, më rinon, sikur ta kisha nip. Zor se do të gjej njeri më të mirë se ai. Do t’u sjell mendimet e mija për atë djalin e Osojës, që na kënaq me shkrime, të cila i kam të shkruara në një bllok: Enver Cakaj, me libër nën jastëk, Enver Cakaj bën detyrën duke shkruar. Injorantët e sigurimit e quanin agjent të grekut, kur ai vuante spitaleve, brenda e jashtë vendit. Enveri me shkrimet e tij tregon e ndriçon shpirtin e popullit me pastërtinë dhe sqimën e tija familjare e gjenetike. Edhe unë mund të kem dëshirë për të shkruar, por natyra më ka dhënë virtyt humanizmin, sakrificën e kujdesin për njeriun, kurse Enverit i ka dhënë virtytin e penës për të shkruar e që e merr bojën nga gjaku i zemrës së popullit. Tani e lashë penën për një çast, se m’u kujtua pallati ku kam banuar në Çorovodë. Lotët nuk i mbaj dot, por as nuk më rrihet pa thënë nja dy fjalë. Secili zot në shtëpinë e tij, por model i respektit të ndërsjellë. Gëzimet dhe hidhërimet i kishim të përbashkëta. Pallati kishte 12-familje, që ishim si një shtëpi me 12-djem e 12-nuse. Të tillë ishin edhe Enver Cakaj me të shoqen, Nexhmijen. Komshinjtë e mi të parë kanë qenë Asllan Osoja dhe Muharrem Idërshaj. Unë i quaja vëllezërit e mi më të mëdhenj pa pjesë. I ndjeri Asllan Osoja më pati thënë: “Puno me zemër të bardhë dhe mos ki frikë, se vlerësimin e bën populli. Ruhu nga ziliqarët dhe mos i hap zemrën kujtdo. Kujdes me të deklasuarit, mjekoi, se janë njerëz njësoj si ne, po kujdes, se mund të digjesh për hiç gjë. ” E pyeta një ditë, nëse mbante mend, që kur ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit në vitin 1948, për një letër që i shpunë, ku denonconin, se babai im, Tahiri, strehonte në shtëpi kriminelin Ali Turbëhova. Ai nuk e kishte harruar dhe më tha: “Po. Si përgjigje shkrova në krye të letrës, se sa e kam mbajtur unë në zyrën time Alinë, aq e ka mbajtur dhe Tahiri. ” Zor se gjen burrë më të ndershëm e sinqertë si Asllan Osoja. 
Kush i përhapte idetë komuniste në Skrapar? Në pellgun tonë ato erdhën nga Korça prej Kasëm dhe Islam Radovickës , pa mohuar Kahreman Yllin, i cili erdhi në Skrapar më 16 gusht 1942. Edhe Asllan Osoja ishte militant në burgun e Korçës ndihmonte të gjithë të burgosurit politikë, aq sa më në fund i hapi derën burgut dhe tok me ta shkuan në formacionet partizane. Kur i ngarkuan detyrë të shoqëronte disa amerikanë për në Korçë, erdhi në shtëpinë tonë dhe na i la në ruajtje sa te vinte një natë në fshatin e tij, Osojë. Banorët e pellgut të Turbëhovës ishin të gjithë njerëz të besës. Në të gjitha fshatrat e zonës së Potomit, secili e kishte pushkën në oxhak, jo varur, të gatshëm për t’i përgjigjur lëvizjes. Nuk ishte vetëm Asllani i tillë, edhe i vëllai në Osojë, Hysen Caka, e ktheu shtëpinë në bazë të luftës, ku u strehua e punoi disa muaj teknika e partisë të qarkut Berat dhe u shpall Bazë e Luftës Nacionalçlirimtare. Vëllai tjetër në Berat, leaurat i Çmimit të Republikës, pjesëmarrës në luftën e Vlorës dhe Lëvizjes së Fierit. Kur ishim një natë në shtëpinë e Hysenit, ku unë isha i zgjedhur anëtar i këshillit të rrethit, na tregonte, se kur ktheheshim nga pazari i Korçës, ku merrnim bereqet, stacionin e parë e kishim në shtëpinë e Tahirit në Turbëhovë. Atje çlodheshim, por dhe shuanim urinë e bukës. Biseda në odën e Hysniut, më nxori mallin e odës tonë të shtruara me shilte e llambën e vajgurit me pasqyrë, që të shtonte ndriçimin. Sa herë i kujtoj këtu në Miçigan, lotët më rrjedhin vetvetiu. Kur vija në Vërzhezhë, tek motra, mirë se ardhjen ma jepte nga qoshja e shtëpisë Tare Gjineci, që kishin aq harmoni me njëri-tjetrin, si të ishin vëlla e motër. Ata thuajse ishin një familje. Tarja ishte babai i Nexmijes së Enverit. Në një fatkeqësi që i ndodhi motrës sime, ata ishin atje e ia zbehën atë dhimbje të rëndë. Në vitin 2011 mjeku Nevruz Gërxhani ka botuar librin monografik: “Shëndetësia në Skrapar”. E përgëzoj për guximin e marrë, për materialet e paraqitura, për radhitjen dhe disa ide të veçanta. Vetëm kur kujtoj Skraparin me ata njerëz të mrekullueshëm, nuk i mbaj dot lotët. Po njeriu qenka i gjithë lot, se unë nuk pushoj së qari dhe nuk kanë tëmbaruar. 
Sigal