Zyhdi Dervishi/ Mediokriteti paralizon edhe fondet joshtetërore

553
Këshillat e fakulteteve, duke pasur në përbërjen e tyre në mjaft raste jo specialistët më të aftë, por ata mediokër e nën nivelin e mediokritetit, përgjithësisht ishin, dhe në mjaft raste edhe në ditët tona, janë të prirur të përkrahin të paaftët, t’u akordojnë atyre edhe grada e tituj shkencorë të pamerituar si kapar për t’i mbajtur të lidhur pas vetes ose, siç thuhet, për të “gatuar specialistë që nuk hapnin telashe”. Kësisoj zgjeroheshin dhe zgjerohen përmasat e mediokritetit, ulej dhe ulet shkallë-shkallë rendimenti dhe cilësia e veprimtarisë shkencore edhe për faktin se mediokriteti i shumëfishuar priret të rriste trysninë për të frenuar më të aftët të përparojnë në fushën e kërkimit. Nga shqyrtimi i mjaft fakteve dhe mendësive rezulton se këshillat e fakulteteve dhe të instituteve kërkimore të specializuara që kanë funksionuar gjatë viteve të zhvillimeve demokratike paskomuniste (1992-2012), më shumë se gjithçka tjetër kanë trashëguar nga strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar frymën mbytëse të mediokritetit. Në vitin 1984 kam intervistuar një nga studiuesit dhe drejtuesit më të aftë të 17 instituteve dhe 5 qendrave kërkimore të angazhuara në sektorin e bujqësisë e të blegtorisë. Në intervistë ai, ndër të tjera, theksoi: “Pas plenumit të 4-ërt të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë (qershor 1973 – Z. D.) u dha porosi partie të luftoheshin shkaqet e liberalizimit edhe në punën e instituteve. Mendova ta shfrytëzoj këtë situatë për të mënjanuar të paktën më të paaftët nga drejtimi i sektorëve të institutit. Si për shumë çështje të tjera të vështira, edhe për këtë problem u konsultova me punonjësin më të kualifikuar të institutit. Kishte përfunduar në Shqipëri me rezultate shumë të mira një shkollë të mesme amerikane dhe ishte diplomuar për agronomi në Moskë me rezultate të shkëlqyera. Duke qenë se rridhte nga një familje e pasur, nuk vihej në poste drejtuese. 
Ai ishte një burrë i fisëm, atdhetar dhe me intuitë e zgjuarsi brilante. Gjithmonë kam menduar se, po të mos trajtohej si me kleçka në biografi, ai duhej të ishte këshilltari i parë i qeverisë shqiptare jo vetëm për punët e bujqësisë, por edhe për shumë çështje të tjera. Konsultuat me të për çështje të rëndësishme i bënim jashtë zyrave, duke ecur me këmbë në tokat që administronte instituti. Mënjanimin e të paaftëve, të blinduar nga lidhjet miqësore dhe mbështetja politike e konsideroja çështje shumë delikate, për të mos thënë shumë të rrezikshme. Ishte fillim qershori 1974. Ecnim anash një parcele me grurë. Ishim të sigurt se fëshfërima e grurit neutralizonte çdo aparat përgjimi. Ia parashtrova në mënyrë të detajuar projektin që po bluaja në kokë për të kufizuar forcën vendimmarrëse të specialistëve të paaftë. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi unë mbarova, më pyeti:
– Cili organ i institutit do të marrë zyrtarisht përgjegjësinë për lëvizjen e të paaftëve?
– Këshilli i institutit – i përgjigjem unë.
Duke buzëqeshur hidhur ai më tha:
– Ju keni ide shumë të mirë, por është ose e parealizueshme ose më e rrezikshmja, sepse mund të çojë në shkatërrimin e institutit. Në institut ju keni 3-4 specialistë të aftë. Këshilli i institutit ka 15 vetë, domethënë shumica janë të paaftë. Sapo ta kuptojnë idenë tuaj, të paaftët në shumicë do të bëhen bashkë dhe do të largojnë të aftët në pakicë, jo vetëm nga këshilli i institutit, por edhe nga drejtimi i sektorëve. Edhe ne të dy do të bëhemi viktimë e këtyre lëvizjeve. Paaftësia, mediokriteti janë tumore malinje, ato i shtrijnë metastazat edhe te të aftët, të cilët i pengojnë të punojnë. Ende nuk është gjendur ilaçi që shëron kancerin e paaftësisë, të mediokritetit. Puna shumëvjeçare në drejtim të institutit dhe në ministri më ka bindur për këtë përfundim, që bashkëpunëtori më i kualifikuar në veprimtarinë kërkimore e artikuloi me natyrshmëri dhe bindje të palëkundur”. Përvoja e afro tre çerekë shekulli të funksionimit të veprimtarisë së institucioneve kërkimore në shtetin shqiptar (1940-2013) provojnë se punonjësit e paaftë, mediokër, që nuk janë të aftë të kryejnë studime shkencore cilësore, kanë kapacitete të shumëfishuara, për të luftuar dhe penguar punën e studiuesve të aftë, për të intriguar sistematikisht kundër tyre, për të zhvleftësuar arritjet e tyre. Madje, përgjithësisht sa më i paaftë të jetë punonjësi shkencor për të krye veprimtari kërkimore, aq më shumë energji negative “prodhuan” ai në luftë kundër të aftëve.
Mediokriteti paralizon edhe fondet joshtetërore
Duke qenë në “skalionin e parë” të këshillave zyrtare nëpër fakultete ose institute kërkimore, një pjesë e të dekoruarve pa meritë me tituj e grada shkencore kanë uzurpuar edhe strukturat vendimmarrëse të fondacioneve dhe të organizatave jofitimprurëse, të cilat pas vitit 1992 kanë sponsorizuar edhe në fushën e kërkimeve. Fakte e të dhëna të shumta provojnë se janë fare të rralla rastet kur struktura të tilla kanë sponsorizuar studime të specialistëve më të kualifikuar. Përgjithësisht këto fonde kanë sponsorizuar mediokritetin, madje herë-herë edhe sharlatanizmin e deri perversitetet në veprimtarinë kërkimore. Për shembull, shumë studime për çështje sociale u janë besuar mësuesve të matematikës ose të fizikës, të biologjisë ose të kimisë, inxhinierëve të papunë ose teknikëve të mesëm etj., të cilët nuk kanë pasur kurrfarë përgatitje ose përvojë profesionale në realizimin e studimeve sociologjike. Fonde të tilla përgjithësisht janë keqpërdorur jo vetëm duke sponsorizuar medioritetin, por edhe duke shërbyer si burim konfliktimi mes kolegësh, më konkretisht ndërmjet pedagogëve e punonjësve shkencorë që janë në borde dhe atyre që aplikojnë për projekte të ndryshme kërkimore. Duke u shprehur për këtë çështje një nga studiuesit më të shquar të shkencave artistike, ndër të tjera, theksoi me tone ironike e deri sarkastike: “Si të gjithë studiuesit e tjerë profesionistë edhe unë jam gjysmak. Unë i kam aq të njohur e miq sa të nxjerr 10 mijë dollarë nga disa fondacione ose organizata jofitimprurëse, por sedra më pengon të kërkoj e të gjej të njohur për të kthyer në burim, të paktën gjysmën e kësaj shume. Mirëpo miku i parë nuk mund të kryejë rolin e tij pa të njohurin e llojit të dytë, ndaj unë nuk kam pasur mundësi të fitoj zemrën e shefave të fondacioneve dhe as të kolegëve të mi që janë në bordet e fondacioneve”. Fondet financiare të fondacioneve ose të organizatave jofitimprurëse, të cilat përgjithësisht kanë ndjekur këtë trajektore, nga burimi drejt veprimtarisë kërkimore dhe kthim, më së shpeshti i kanë sabotuar studimet cilësore se sa i kanë nxitur ato.
Sigal