Zyba Hysa/Të gjithë bëjnë “histori”… secili “historinë e tij”… Po historinë e Shqipërisë kush do ta bëjë?

684
Sigal

Unë nuk marr përsipër të jem historiane, e aq më pak mbi të gjithë historianët shqiptarë, kurrsesi, unë jam një vëzhguese e historisë dhe një vëzhgues i mirë, del në përfundime. Por nuk dua të luaj rolin e avokatit mbrojtës, apo të prokurorit, as të njërit, as të tjetrit, por në bazë të historianëve profesionistë. Apo dhe atyre që aksidentalisht, apo me një qëllim të caktuar për të studiuar një familje, një person, një epokë historie për qëllime vetjake, apo studimore, apo… më lind dëshira për të studiuar me laps në dorë dhe në të njëjtën kohë, si një person që në zemër ka dëshirën e zhvillimit dhe përparimit kombëtar, dal në përfundime. Në përfundime që shpesh më tronditin aq shumë, saqë ulem e shkruaj dhe thërras me gjithë dufin e shpirtit, se ka ardhur koha me kohë, që historisë t’i heqim perçen për të zbuluar sytë e saj, e pse ajo na frikëson, deri na tmerron në momente të veçanta. Është e dëgjuar thënia: “Një popull që nuk njeh historinë e vet, është i destinuar të përsërisë më të keqen e saj” dhe fakti që kam gati një vit që në vazhdën e shkrimeve me frymë patriotike, kurorëzuar me përfundimin e librit “Sharrajt në Jetën e Kombit” dhe tani në proces të një libri për një personalitet shumëdimensional shqiptar, Prof. Dr. Isuf Luzaj,  i dënuar nga Stalini dhe Enver Hoxha, dekoruar “Mësues i Amerikës” nga presidenti Regan. Kam studiuar mbi 50 libra historikë, shkrime të publikuara dhe botuara nëpër faqe elektronike e gazeta, biseda dhe intervista të ndryshme, dal në përfundim se: historia jonë zhvillohet si çdo histori tjetër në botë, por studimet e saj të organizuara janë aty – këtu , për të mos thënë tërësisht politike dhe vërehen herë pas here episode sporadike të disa studiuesve që përpiqen të thonë diçka ndryshe, më afër të vërtetës, kjo më shumë për të rregulluar biografinë e fisit, se sa për të zbardhur vërtetësinë e historisë, kështu faktet herë cungohen, herë zmadhohen, sipas një skenari që e mirë ndërton në përputhje me politikën, një staf që pa hezitim do t’i quaja “erashka” të politikes dhe kurrsesi misionarë të së vërtetës historike. Aq më pak bazament i sigurt për të ardhmen e kombit tonë, se pa fijet lidhëse që kanë bërë të mundur këtë apo atë ngjarje historike, nuk them se kemi bërë histori, e pse ndonjëherë shpërthen një polemikë që degradon në përplasje kokash, apo në zbardhje figurash që kanë lidhje me atë që flet e shkruan histori… Por gjithsesi, edhe këto kanë vlera të pallogaritshme për të ardhmen, se një “merakli”, të cilin nuk e zë gjumi për fatet e kombit të vet, i studion, me syrin e një të mençuri i bashkon dhe formon mozaikun e historisë së vërtetë, për t’ua lënë brezave, që me syrin largpamës të dallojnë hijet e zeza në këtë mozaik dhe me mjeshtëri dhe pasion të marrin në dorë krijimin e mozaikut të një historie kombëtare që i ka shërbyer dhe do t’i shërbejë identitetit dhe bashkimit tonë kombëtar.  Nëse gjatë pushtimeve shekullore ishte e ligjshme prej pushtuesve që të shkatërronin gjithçka shqiptare për të vënë gjurmët e tyre mbi këto troje e ne të mos kishim asnjë fakt, apo asnjë degë ku mund të kapeshim për të vërtetuar lashtësinë dhe identitetin tonë si Komb. Me gjithë këtë ne jemi dëshmitarë, që populli edhe përmes kësaj shtypjeje bëri histori dhe ka bërë një histori që bota e ka zili. Armiqtë e betuar të kombit tonë, kur nuk ia dilnin me dhunë (dhuna i ka burrëruar shqiptarët), përdornin dredhinë duke na gjetur pikat e dobëta, që për fat të keq u kthye në traditë brez pas brezi, duke ushqyer kokat, apo duke na mashtruar, se do na ndihmojnë në bashkimin tonë si komb, më pas, kur gjendeshim në rrugë pa krye, na përdor kundër vetvetes! Asnjë ngjarje në histori nuk ndodh për një arsye të vetme, por ashtu si nëpër dy pika ndërtohet një drejtëz, apo nëpër tri pika ndërtohet një trekëndor… edhe në histori disa arsye sjellin ngjarjen, ashtu sikundër nuk themi dot se trekëndëshi ka një kulm, s’mund të themi që një ngjarje historike ndodhi nga një person, siç ka ndodhur deri tani, ku fshihen me gomën e politikës pika referimi të rëndësishme. Por a ka gomë më të fortë se ajo që u përdor në diktaturë dhe siç e shikojmë sot, shenjat nuk u zhdukën.  Vetë historia bën histori, vetë historia lind historianë për ta thënë historinë edhe atëherë kur gjithë bota e mohon atë. Një figurë e ndritur që vetë historia e nxori në dritë edhe sot pas shumë vjetësh i mohuar, ka qenë Konstadin Çekrezi, i cili duke shkruar historinë në disa libra si: “Histori e vjetër që në kohërat e Pellazgëve gjer në rënien e Perandorisë romane”, “Albania past and present” (Shqipëria në të kaluarën e në të tashmen), “Histori e Shqipërisë”, “Histori e re e Evropës”, “Historia mesjetare e Evropës që në rënien e Romës gjer në rënien e Kostandinopojës (478-1453)”, si dhe shumë librave tjerë, i la popullit tonë një thesar të çmuar.  Shkrimi i këtyre librave historike ishte një thirrje e vetë historisë, se me anë të tyre ai loboi herë privatisht, herë gjysmëzyrtare e herë në rrugë zyrtare në Amerikë për të njohur shtetin shqiptar, duke paraqitur fakte dhe argumente historike, të cilat i publikonte edhe në shtypin e kohës në Amerikë. Në numrin e dhjetorit 1920, revista “Current History” kishte një artikull të Çekrezit me titull “Si e fitoi Shqipëria pavarësinë”. Madje ai i bënte reklamë artikullit të tij edhe në gazetën “New York Times”, – thekson Ilir Ikonomi në shkrimin me rastin e 90- vjetorit të njohjes së Shqipërisë nga Amerika. Po kështu është i pamohueshëm kontributi Faik Konicës që me botimin e revistës “Albania”, propagandoheshin shume shkrime që kishin të bënin me historinë, gjuhën, folklorin, fenë… Ai ishte për një kulturë perëndimore me vlera kombëtare, për një gjuhë të unifikuar, ku dy dialektet të shkriheshin në njëri-tjetrin , ai solli një frymë të re në letërsinë shqipe… pra ai radhitet ndër intelektualët e mëdhenj shqiptarë. Ai ka qenë i hapur me kundërshtarët, gjë që e pasqyronte edhe në faqet e revistës “Albania” për të shkruar dhe debatuar me Nolin, Çekrezin etj., linte faqe të posaçme debati për probleme të ndryshme, por shtresa e tij shoqërore (kuptohet në atë kohë ishte dominuese pasuria) e bënin të ishte herë – herë “agresiv” ndaj kundërshtarëve, nëse mund ta quajmë kështu, ndërsa Çekrezi ndriçohej prej një drite që kurrë nuk fiket dhe pse i frynin me gjyryk, ajo me shumë lartësohej, ajo është drita që të fal patriotizmi i pastër. Nuk them se Konstadin Çekrezi i solli gjithë këto, por e marr si shembull, por edhe Faik Konica, gjithë intelektualët patriotë shqiptarë, por kur ka kundërshtarë me kuptim të mirë të fjalës,ndihmohet më shumë në ecjen para, se kundërshtitë e Konicës e ndihmuan Çekrezin ta bindte Konicën për aftësitë e tij përmes punës dhe përkushtimit për të shkruar pafundësisht, kështu mundi të hiqte nofkën “Jevgjit” të cilësuar prej Konicës (nuk kishte pasuri), ai luftoi për Shqipëri e kush futet kësaj lufte, jo vetëm nuk vë pasuri, por e nëse ka, e shkriu për atdhe. Mora thjesht një shembull për të bindur veten dhe tjerët, që në histori kanë vendin e tyre kushdo që vendos një gur në lartësimin, apo dhe shkatërrimin e kombit të tij, sipas pozicionit dhe mundësive që ka. Si pa dashje u futa në “kundërshti” të këtyre kokave me rëndësi të madhe historike, se jemi në një kohë, që të shkruash diçka historike, apo thjesht të shkruash, do futesh në turbinën e “të afirmuarve” prej politikës dhe është pak fjala “jevgjit”, të ngjitin nga pas lloj – lloj epitetesh të lidhura sipas një skenari tashme të njohur që nga prishja e Marrëveshjes së Mukjes (kjo është një temë që duhet trajtuar mënjanë), e cila nuk është aspak si thëniet e Konicës “jevgjit” për një shfryrje të çastit, por për të ndërprerë udhën shekullore të shqiptarëve për liri e bashkim, për të penguar daljen në dritë të së vërtetës, por historia është si uji që rrjedh, që sa më shumë të përplaset nëpër shkëmbinj, më i pastër bëhet. Këto janë ligje të natyrës njerëzore, por vërejmë që projektuesit e kësaj “historie” po bëjnë të pamundurën që të qëndrojnë në këmbë, madje, Kristo Frashëri, si Enveri në kohën e tij që merrte insulinën dhe dilte në podiume për të folur, ashtu edhe atë të shkretin e ngrenë nga shtrati e nxjerrin në televizor për të zgjatur jetën skenarëve historike, ku ka qenë dhe ai një ndër shkruesit kryesorë e në të njëjtën kohë u spastruan arkivat, deri u zhdukën edhe arkivat e shkollave qendra të nacionalizmit shqiptar. Unë u them se mos lodhen shumë, historia është si uji, që sa më shumë kapërcen gurë e diga dhe vjen i pastër. Unë e ndjej gurgullimën e historisë, e ndjej në krizën që ka pushtuar historianët “e diplomuar”, historianët e bërë të tillë për të marrë atë që nuk u takon, si para, tituj “shkencorë” dhe “moralë”, të cilët struken, në vend që të marrin frenat mirë në dorë e t’i përgjigjen kohës për t’i shërbyer kohës, por merren me plane se si të ulin dhe denigrojnë njerëz që guxojnë të thonë fjalën e tyre. Të gjithë bëjnë “histori”… të gjithë shkruajnë historinë e tyre… Ka ardhur koha, të gjithë të përveshim krahët për të kontribuar që të shkruhet historia e vërtetë.  Koha thërret… koha troket… arkivat qajnë… muzetë janë kthyer në institucione bamirësie, ku punësohen ithtarë politikë… shtëpitë muze janë kthyer në gërmadha… heronjtë qajnë nën pllaka të copëtuara…  edhe zoti është tronditur…