Zoti Kryeministër, e gëzofsh “fatligxhafërinë”!…

704

Kristo MËRTIRI

E tha Dritëroi ynë i madh: “E vërteta është një, por ne jemi shumë…” Prandaj i kapërcen kufijtë e një aforizme të mençur agolliane. Sot e gjithë ditën. Nesër e pasnesër. Gjithnjë aktuale. Sidomos në Shqipërizën tonë hallemadhe, që po përmbytet nga politikanë fodullë e mujsharë të pandreqshëm. Sepse, fjala vjen, kur dora vetë Kryeministri, lëshon qesimçe gënjeshtra me bisht e pa bisht, me këmbë të gjata e të shkurtra, njerëzit e thjeshtë shushaten e vënë duart në kokë, shtrëngojnë nofullat, por edhe shajnë vendçe. Skena të tilla i pashë e dëgjova edhe dje në mëngjes, atje te minisheshi “Omonia” për rreth urës te Brryli, ku hallexhinjtë e këputur dalin përditë për të siguruar koromanen e fëmijëve. Por edhe kuvendojnë açik, larg disa lëpirësve pa asnjë gram dinjitet nëpër ekrane e portale erërënda…Befas, një ish-minator i Memaliajt më njohu dhe ngriti zërin natyrshëm:

– Kush ta ka thyer kalemin, o patriot ?!…Aman, më qafsh, më jep një xhevap: Fatligxhafëria, kaq fort ia ka zënë kokën me derë Edi Ramës? Më fal, mos të kanë mbushur edhe ty të dyja bulçitë a xhepat dhe nuk flet e as shkruan dot më në media?…

Pas shpotisë e humorit therës, e ftova për të pirë një kafe. Por e lamë për herë tjetër, sepse siç më tha, priste nga minuta në minutë një zyrtar pronar të një vile luksoze në Lalëz për t’i bërë ca riparime hidraulike. Mirëpo, si për të fituar kohë, nxori nxitimthi nga xhepi një copë letër ku kishte hedhur këto dy fraza: “Gushti më të hyrë, 2O16. “Një histori e sajuar këmbë e krye” dhe nën të: “Për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme”. I lexoi me zë. Dhe pyeti menjëherë: Këto pallavra, vërtet i ka kolisur Rama pas mesnate në plazhin e Dhërmiut, për vëllain e Fatligxhafërisë ?!…Kur i thashë se janë të vërteta, rënkoi e shau pa doganë. Nuk e zgjatëm më tej muhabetin, se boria e fuoristradës që priste po binte si me tërsëllëm…”Dalç mirë, me shëndet e bereqet!”, e urova si dikur në hyrje të galerive të minierës në Memaliaj. Dhe rashë shpejt në ca mendime trishtuese. Mirëpo pak më vonë, duke shfletuar disa shënime të publikuara herët, gjeta edhe një letër-urim jo të shkurtër të gati dy viteve më parë. Urim që mbante titullin e këtij shkrimi. Për të mos e lodhur lexuesin, përzgjodha vetëm disa copëza. Që për mua mbeti si një urim i patretur për Edi Ramën. Por duke ecur në atë rrugicën e fshehur që fare pak mund ta dinë se ajo mban emrin e përkthyesit të veçantë shqiptar, Vehxhi Buharaja, sikur më erdhi vetiu një nga këshillat e çmuara të Saadiut:

“Shiko vegjëlinë, brengosu për të

 Ki frikë nga koha, se poshtë të vë!”.

Ose “ ata që të mburrin, për miq mos i zër!”.

Sepse vetëm dhembshuria për popullin nuk të lë të bëhesh sundimtar e shtypës. Përndryshe, “nga mbret i fuqishëm gremisesh në lypës”…(A e ndoqët live parmbrëmë Kryeministrin tek molloiste mbi shiltetë gjirokastrite? Ashtu i telikosur e fytyrë vrerosur, prapë u përpoq ta bënte murrizin hardhi! Megjithëse herë-herë dukej si i sapo shtrydhur buzë Viroit…). Tani le të ndjekim ca shënime të dy vjetëve më parë :

Topi mediatik: “Bam” e Rama tutje…!

Atje, në Dhërmiun e Petro Markos së paharruar që prehet në paqe nën një ulli shekullor. Atje, Kryeministri ynë piktor, pasi kishte matur detin me filxhan dhe Zahoja po përkundej ëmbël nga valët shkumëbardha të Jonit, dritat e vilës qeveritare u ndezën befas pas mesnate. Ndërsa yjet shkrepën mbi vargmalin e Vetëtimës, si fishekzjarrë festive për nipçen Kryeministër. Sapo kish trokitur e mbërritur pa yrysh e zhurmë data 4 gusht. Vendosi të mbrehte qetë përballë opozitës! Megjithëse me rroba banje e pa këmishë antiplumb, mbase iu duk vetja shenjtor. Që agu i mëngjesit ta gjente njerëzinë duke kënduar e ngarë me hosten qetë e parmendës. (Theksojmë se ndonjë portal a gazetë jashtë rrjetës ediramiste, u zhgënjyen sa hap e mbyll sytë. Ndoshta prisnin ndonjë reagim si dikur në “Koha Jonë” ose nga ai soji i letërkëmbimit me Enverin nga ferri. Por nuk ndodhi, as njëra e as tjetra. Mjaft media online e të printuara në Tiranë, e bënë gjumin harram…). Fytyra mavi e udhëheqësit po nxihej nga inati. Më në fund e nisi si “letër rekomande”, por u bitis si hejbe me gurë. Nuk e hodhi në sup, por i uroi fat e udhë të mbarë nëpër shtigjet e xhunglës së internetit që e presin si ujët e pakët në këtë përcëllimë gushti. Po çfarë hataje kishte ngjarë, cilat ethe ia pushtuan mizorisht pushimet dhe kush ia prishi humorin e dialogut me turistin e veçantë, Toni Bler?…

-Çuditë nuk paskan anë e fund, miku ynë.

-Të ngrihesh leshra përpjetë pas mesnate dhe të “kuvendosh” me njerëzinë…Nuk thoshte kot mjeshtri i rrallë, Jakov Xoxa: “edhe në fjetsha, zemrën s’ma vë dot njeri në gjumë”. Por në rastin konkret ndryshon shumë puna…Të dalësh pa u gdhirë Bregut të Detit, vetëm e vetëm si “dëshmitar publik” i përgjëruar për byrazerin e kryetarit faqezi të Komisionit të Reformës në Drejtësi, kjo pataksi e tromaksirë sikur të lë ulok e me të dyja duart në kokë ! Apo gjetkë vallja e gjetkë daullja ?…I thuaj Edi Ramës, me gojë a me shkrim: Aman, t’u bëfshim kurban ,o kryetar, si nuk t’u njom gjuha asnjëherë për bëmat dhe gjëmat e “fatligxhafërisë” në vite, përse nuk lëshove as ndonjë batutë si top me lecka para publikut supevarur? Thonë se je bërë byrazer me të dhe keni thithur pika gjaku nga mollëzat e gishtave të njeri-tjetrit. Tjetër. Sa herë shkoje në Pogradec, dy orë përpara nisjes zhyteshe e laje ca mëkate te pishinat e kryetarit të Ligjeve në Parlament, te liqeni artificial! A i ke takuar ata fëmijët e qytetit të Lasgushit, tashmë të rritur e që po kërkojnë me qiri në dorë çerdhen e dikurshme që u rrafshua për hir të pallatit të deputetit kollovar, sot në krye të Reformës? E të tjera, që i dinë më mirë edhe Ambasadorët e nderuar të SHBA e BE. Mos u leqendis kaq shumë, a derëbardhë dhe mos e lësho nga duart “inkubatorin e intrigave në PS!” … Vërtet nuk i kënduat dot dy faqe gazete në disa medie, plot e përplot me fakte të rënda për “byrazerin” tënd? As edhe një kolektiv dikasteri (autorët e asaj letrës publike të paharruar) nuk ta bën sadopak qejfin qeder? Arroganca e karshillëku yt me brirë po e shton zhgënjimin vrasës te elektorati. Apo kujton se mileti i ha tërë broçkullat tuaja të hedhura nëpër gjirize interneti…

Dikur, dikur ama, ka qenë ithtar i mendimit ndryshe. O Zot, sot i quan pa pikë qytetarie “qentë që lehin”(?!). Po Edin e djeshëm e të sotëm, si ta thërrasim vallë, me të njëjtën monedhë? Një tjetërsim i pashembullt, hipur në kolltukun e pushtetit. Më konkretisht. Sikur tërë akuzat dhe kritikat e opozitës e të medias të shumëzohen me zero, ato për “fatligxhafërinë” nuk ka kandar që i peshon e mbron. Ti qofsh, që bëre lanet gjumin e natës gushtore në Dhërmi dhe si pa dashje kërceve mbi telat e ndryshkur të hipokrizisë ! Dhe kur të do kokrra e qejfit, lëshon edhe statuse për të “përndjekurit politikë” si këmisha force përballë Drejtësisë së vonuar e jo pak të intimiduar. Apo “iriqi në ferrë se në ferrë” është mësuar e nuk çmësohet dot?…Ende nuk më bën zemra të besoj se kjo parti po merr rrokullimën. Mua personalisht, më dhemb jo pak. Nuk më lidh fare asnjë interes vetjak, material a karriere. Në shtyp nuk heshta për 40 vjet, por mendimin dhe penën as ma merrni dhe as ma thyeni dot. Unë i përbuz ata që rrëmbyen e nuk shërbyen. Është fjala për ata që përkëdhelin thasët me para të pista dhe ti Kryeministër u fërkon kokën e trupin duke i vendosur deri në krye të Reformës në Drejtësi ! A do i dëgjosh ndonjëherë sinqerisht socialistët dhe eurosocialistët e vërtetë e të ndershëm, të braktisur e me gisht në gojë? Apo të kanë mbërthyer rilindistët që ranë si UFO nga hëna drejt e në selinë e PS-së. Mjaft prej tyre paskan para me okë, por nuk kanë asnjë gram dinjitet!… Përndryshe do të mbahet mend gjatë vetëm urimi trishtues e kuptimplotë: “Zoti Kryeministër, e gëzofsh e i pafsh hajrin “fatligxhafërisë”! Të kuptohemi mirë. Nuk them kurrsesi, të djegësh shtëpinë për të përzënë minjtë…