Zgjedhjet universitare, mes akuzave për kërcënim dhe indiferencës së studentëve

573
Nga Lindita Çela, BIRN

Procesi zgjedhor i 20 prillit në universitete shenjohet nga akuzat për shantazh, mosbesimi ndaj kandidatëve dhe thirrjet për bojkot, ndërkohë që shpresat për ndryshim janë të vakëta.
Në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, studentët janë indiferentë për një nga proceset më të rëndësishme të botës akademike- zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Rreth e rrotull fakultetit kafenetë janë plot, ndërsa në zyrën e hapur si seli për komisionin e zgjedhjeve nuk shfaqet askush i interesuar.
“Nuk e kam vendosur ende nëse do të votoj. Nuk kam pasur mundësinë të dëgjoj asnjë prej kandidatëve dhe sido të shkojnë votimet, për ne njësoj do të jetë,” thotë Desara Koni, studente e vitit të dytë në fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Zgjedhjet për drejtuesit në universitete do të mbahen më 20 prill, ku vetëm për Universitetin e Tiranës pritet të përfshihen në proces rreth 800 pedagogë dhe 40 mijë studentë. Këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen me ligjin e ri të Arsimit, ku stafet akademike përfaqësojnë 90 për qind të votës, ndërsa studentët 10 për qind. Për postin më të lartë, atë të rektorit kandidojnë përballë njëri-tjetrin Mynyr Koni, aktualisht dekan i fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Klodeta Dibra, dekane e Gjuhëve të Huaja dhe përfaqësuese e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
I trumbetuar si procesi i parë transparent, zgjedhjet në universitete janë shoqëruar megjithatë nga indiferenca e studentëve dhe incidente të shumta, të cilat kulmuan me kërcënimin e kandidatit për rektor të universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe të rektorit në detyrë, Dhori Kule.
Pas ngjarjes dyshohet se fshihet Emiljano Shullazi, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili pas arrestimit mëngjesin e së dielës po hetohet edhe për kërcënimin e Konit për t’u tërhequr nga gara. Përmes një deklarate për shtyp, Rektorati i Tiranës dënoi ashpër kërcënimet, ndërsa u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla la gjithashtu të kuptohej se procesi ishte futur në rrjedhën normale, pas ngjarjes që ajo e cilësoi një “problem të vështirë dhe totalisht të pakëndshëm”.
“…dëshiroj të siguroj të gjithë kandidatët, pedagogët dhe studentët, pjesë e kësaj gare, por edhe mbarë publikun, se kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë ç’është e mundur që zgjedhjet në universitete të jenë model…,” tha Nikolla përmes një deklarate për shtyp.
Megjithatë, kërcënimi i paprecedentë ka shenjuar tanimë zgjedhjet e 20 prillit, duke shtuar mjegullën dhe mosbesimin mbi produktin e këtij procesi.
Incidente dhe mosbesim
Shantazhi në prag të garës është kthyer në lajmin kryesor të ditës, por Majlinda Keta, kryetare e komisionit institucional të zgjedhjeve thotë për BIRN se e vetmja ankesë zyrtare është ajo e kandidates Dibra, e depozituar të premten e kaluar.
Sipas Ketës, Klodeta Dibra është ankuar se nuk është lejuar të zhvillojë një takim me pedagogët dhe studentët në fakultetin e Shkencave të Natyrës-i drejtuar aktualisht nga kandidati i saj në garë.
“Në bazë të ligjit unë kam bërë verifikimet e duhura, ku nga kancelari i kësaj shkolle kam pohime të kundërta,” thotë ajo.
Ndryshe nga Keta, kryetari i komisionit zgjedhor në fakultetin e Shkencave të Natyrës, Ferdinant Bego thotë se nuk ka dijeni për ndonjë incident të ndodhur me kandidaten Dibra, por vetëm për “një keqkuptim”.
“Aktiviteti i zonjës Dibra ishte parashikuar të zhvillohej pas orarit zyrtar, ndërsa roja i fakultetit për shkak të sigurisë ka mbyllur derën kryesore. Por dy dyert e tjera të inistucionit kanë qenë të hapura,” thotë Bego për BIRN.
Ditën e fundit e fushatës, kandidatja Klodeta Dibra thotë se incidentet e fundit nuk e kanë ndikuar aspak garën e saj. Në takimet me pedagogët dhe studentët, ajo premton tarifa të ulëta, mirëmenaxhim të fondeve dhe më shumë mundësi për kërkime shkencore.
Mirëqeverisje të universitetit premton edhe rivali i saj në garë, Mynyr Koni. Megjithatë, platformat frymëzojnë pak dhe nuk ngjallin shpresë për ndryshim.
Për të rikthyer besimin në këtë garë, Majlinda Keta premton një proces model sa i përket votimit dhe numërimit.
“Do të jetë rreth 90 vëshgues që do të monitorojnë dhe do të certifikojnë këtë proces. Po kështu, të drejtën e vëzhgimit e kanë dhe vëzhguesit e kandidatëve dhe i gjithë kjo do të garantojë një trasparencë të plotë në zgjedhjet që do të bëhet për drejtuesit e rinj të universiteteve,” thotë ajo.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e studentëve pritet të bojkotojnë. Lëvizja për Universitetin-një grup studentësh dhe pedagogësh që u bënë të njohur me protestat kundër ligjit të ri të Arsimit të Lartë kanë bërë thirrje për braktisjen e këtij procesi.
Sipas kësaj Lëvizjeje, “akademikët” kanë marrë peng universitetet dhe “ e vetmja zgjidhje është bojkoti i zgjedhjeve”.
Jani Marka, aktivist dhe pedagog në fakultetin e Shkencave të Natyrës e quan procesin e zgjedhjeve një “teatër”, ku është përfshirë edhe politika.
“Mjafton të lexosh emrat e shumicës dërrmuese të kandidatëve për të kuptuar se si të njëjtët njerëz po ndërrojnë postet, për të mos ndryshuar asgjë në jetën universitare,” përfundon Marka.
Sigal