Zgjedhjet presidenciale dhe politika e jashtme Amerikane

994
Sigal

Këtë verë me vapë, fushata për president këtu në Shtetet e Bashkuara ka arritur kulmin për nga ashpërsia dhe agresiviteti i sulmeve midis kandidatëve të dy partive kryesore për president, demokratit Barak Obama dhe republikanit Mit Romni.  Deri tani, pothuaj pa ndërprerje, debati midis dy kandidatëve dhe fushatave të tyre është përqendruar kryesisht mbi ngadalësimin e veprimtarive ekonomike, mbi deficitet buxhetore dhe mbi masat që duhen marrë për krijimin e punëve të reja për miliona amerikanë të papunë, që llogaritet të jenë 8,2 për qind të forcës punëtore.   Me përjashtim kur vendi ishte në luftë, shëndeti i ekonomisë pothuaj gjithmonë ka vendosur fituesin e zgjedhjeve presidenciale, pasi është ekonomia ajo që mbi të gjitha preokupon familjet amerikane.   ”Është ekonomia, o i trashë”, është fraza që u bë e famshme gjatë fushatës së suksesshme presidenciale të Presidentit Bill Klinton më 1992.  Ka të ngjarë që gjendja e rëndë ekonomike me të cilën përballen shumë familje amerikane të jetë çështja kryesore që preokupon shumicën e amerikanëve në këtë vit zgjedhjesh presidenciale dhe jo sigurimi kombëtar ose  politika e jashtme në përgjithësi, përfshirë terrorizmin, luftën në Afganistan, krizën financiare në Evropë, Sirinë, e tjera.

Megjithëkëtë, duket se këtë javë, Obama dhe Romni ia kanë dedikuar përqendrimin e fushatës së tyre, politikës së jashtme dhe asaj ushtarake.  Të hënën, Presidenti Obama mbajti një fjalim në kuvendin e Veteranëve të Luftërave Jashtë vendit, gjatë të cilit ai sulmoi ashpër kredencialet e politikës së jashtme të kandidatit republikan Romni.  (Edhe Mit Romni ishte caktuar të fliste ne kuvendin e veteranëve para se të nisej për në Evropë).   Presidenti Obama iu përgjigj drejtë për drejtë akuzës që ka bërë fushata e kandidatit Romnit ndaj politikës së jashtme të Presidentit Obama, se gjatë administratës së tij, Amerika ka pësuar rënie dhe humbje të influencës së saj anë e mbarë botës. Presidenti Obama u tha veteranëve se:  ”Në qoftë se dikush përpiqet t’u bind ju se madhështia e këtij vendi ishte në të kaluarën, se Amerika është në rënie, ju thuajuni atyre se ashtu si edhe shekulli i XX edhe shekulli XXI do të jetë gjithashtu, një shekull tjetër i madh për Amerikën.”   Presidenti Obama tha në kuvendin e veteranëve se si Komandant i Forcave të Armatosura, presidenti u ka borxh Forcave të Armatosura dhe kombit që të ketë një plan të përpiluar, e ky plan sipas tij, duhet të ”përfshijë vendosmërinë jo vetëm për të filluar luftërat në qoftë se është e nevojshme, por edhe aftësinë për t’u dhënë fund atyre luftërave.”

Fushata e Mit Romnit qe e gatshme me sulmet e saj ndaj fjalimit dhe politikës së jashtme të administratës së Presidentit Obama, duke thënë se: ”Presidenti Obama mendon se vizita në një vend aleat të ngushtë (Izraelin) në Lindjen e Mesme është e parëndësishme, se Hugo Çavezi i Venezuelës nuk përbën ndonjë kërcënim serioz, se përgjigjja e duhur ndaj Rusisë është që t’i premtoj asaj më shumë fleksibilitet në shkëmbim për t’i dhënë atij një hapësirë më të madhe para zgjedhjeve të Nëntorit.”   Fushata e kandidatit republikan për president, duke reaguar ndaj fjalimit të Presidentit Obama në kuvendin e veteranëve të Amerikës, deklaroi gjithashtu se, ”është e qartë se politika e jashtme e presidentit Obama është e hutuar, jo efektive dhe është një politikë që ka dobësuar influencën e Amerikës në çdo rajon të botës.” Sipas deklaratës së fushatës presidenciale të Mit Romnit, ”Governatori Romni i dallon mirë aleatët nga kundërshtarët që duan të na sfidojnë.   Ai do të përkrahë aleatët dhe do të rivendosë fuqinë e Amerikës dhe në të njëjtën kohë është i vendosur të mbrojë interesat dhe vlerat tona anë e mbanë botës”, përfundon deklarata e fushatës së Mit Romnit.

Ndërkaq, Miçellë Flornoj, një ish- zëvendësekretare për Politikën e Mbrojtjes i tha gazetës “USA Today” se nga pikëpamja e saj, ”është e qartë se ç’prej zgjedhjes së Presidentit Obama katër vjet më parë, ai ka qenë i suksesshëm në ringjalljen e aleancave, sidomos në Evropë dhe se ai ka forcuar rolin e Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës”.  Është bërë si traditë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të vizitojnë Evropën para zgjedhjeve të Nëntorit për të treguar se janë të aftë të merren edhe me marrëdhëniet e jashtme duke u takuar me udhëheqës të vendeve të ndryshme.  As sivjet nuk mund të ishte ndryshe.  Mit Romni mësyn drejtë Evropës.   Deri diku edhe në përgjigje të kritikave të fushatës së Presidentit Obama se Mit Romni nuk ka përvojën e nevojshme në fushën e  në politikës së jashtme, sidomos përsa i përket Lindjes së Mesme dhe marrëdhënieve me Rusinë, kandidati i republikanëve Mit Romni,  i cili po përpiqet të bëhet ”udhëheqësi i botës së lirë”, viziton këtë javë Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Izraelin, vizitë kjo që media patjetër do ta krahasojë me vizitën që pat bërë kandidati Barak Obama në Gjermani katër vjet më parë, ku u prit nga dhjetëra mijëra veta në Berlin.  Vizita e Mit Romnit këtë javë në Evropë nuk do të jetë e tillë dhe nuk do të tërheqë dhjetëra mijëra veta. Por i vetëdijshëm se disa sondazhe tregojnë se ai përballet me disa sfida për të bindur amerikanët se ai është kandidati më i mirë për të udhëhequr politikën e jashtme amerikane, Mit Romni po viziton vendet që ai i konsideron si aleatë të ngushtë të Amerikës, duke filluar me Britaninë e Madhe ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë britanikë dhe do të marrë pjesë në hapjen e lojërave olimpike.  Poloninë do ta vizitojë i ftuar nga ish presidenti Lek Valesa, e ku do të ketë mundësi të diskutojë edhe për marrëdhëniet me Rusinë, të cilën Mit Romni e ka cilësuar, kohë më parë, si ”armikun gjeopolitik numër një” të Shteteve të Bashkuara.  Edhe në Izrael, kandidati republikan për president, do të takohet me udhëheqësit më të lartë të vendit, përfshirë presidentin dhe Kryeministrin izrealit, si edhe Kryeministrin e Autoritetit Palestinez, dhe udhëheqës të tjerë.   Gjatë vizitës në Izrael ai do të mbajë një fjalim me rëndësi mbi gjendjen në Lindjen e Mesme. Megjithëse fituesi dhe humbësi në zgjedhjet presidenciale, historikisht, vendoset nga politika e brendshme, si çështjet ekonomike dhe të punësimit, Drejtori Ekzekutiv i institutit Forajn Polisi Inishativë, Xhejmi Flaj thotë se udhëtimi i Mit Romnit në Evropë do të sjellë patjetër vëmendjen ndaj disa çështjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë, e që deri tani nuk kanë qenë prioritet i asnjërës fushatë.  Ai i tha se: ”Populli amerikan duhet të dijë se (në Nëntor) zgjedhë komandantin e forcave të armatosura dhe jo vetëm dike që do të ndreqë ekonominë.   Unë jam gjithmonë i shqetësuar”, shtoi ai, ”kur gjatë fushatës për president nuk zhvillojmë një debat të vërtetë dhe domethënës në lidhje me sigurimin kombëtar.   Ne kemi nevojë urgjente të kemi një dialog”, të tillë në lidhje me politikën e jashtme dhe të sigurimit kombëtar, tha ai. Ka mundësi që vizita e Mit Romnit në Europë dhe në Lindjen e Mesme të mos ketë asnjë  sukses ose arritje  nga e cila ai të mund të përfitojë si kandidat për president i Shteteve të Bashkuara.   Megjithëkëtë, ajo duhet të mirëpritet si një ngjarje – që të pakën këtë javë – fushata për president këtu në Shtetet e Bashkuara po përqendrohet kryesisht mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë kombëtare të presidentit Obama gjatë katër vjetëve të kaluara.   Dhe në të njëjtën kohë ajo po nxitë debate në media dhe në qendra akademike  -mbi alternativat që paraqet kundërshtari i tij, kandidati republikan për president Mit Romni, duke mundësuar kështu votuesit amerikanë të kenë një ide më të mirë se cili prej dy kandidatëve për president – Barak Obama apo Mit Romni – është kujdestar më i mirë i sigurimit kombëtar  dhe i politikës së jashtme i të vetmes superfuqi në botë sot.