Zef Preçi/ “Sqarim” apo…

589
Dje nga masmedia doli lajmi i mëposhtëm, që hedh dritë mbi një skandal të mbështetur në një raport konfidencial të KLSh. Ndërsa sot reagoi Banka e Shqipërisë, që në fakt e konfirmoi ekzistencën e atij raporti, por rriti njëkohësisht edhe konfuzionin rreth kësaj çështjeje
Së pari: raportet e KLSH, sipas procedurës shqyrtohen midis dy institucioneve përpara se të përcillen në institucionin ku raporton KLSH, d.m.th në Kuvendin e Shqipërisë. Do të ishte një nonsens i madh institucional që KLSH të hartojë një raport të tillë për një problem që sipas BSH nuk ekziston. 

Së dyti: adresimi i problemit nga KLSH nxjerr në dukje faktin se bankat tregtare grumbullojnë kartëmonedhat e dëmtuara me 80% t ë vlerës dhe i këmbejnë n ë BSH me 100 të vlerës së tyre dhe jep edhe shumën përkatëse të përfituar si diferencë midis vleftës nominale (të shënuar në kartëmonedhën përkatëse) dhe asaj me të cilën bankat tregtare i kanë grumbulluar ato (80% e vleftës nominale) nga bizneset dhe qytetar ët, rreth 4 milionë euro në vetëm 6 muaj. Nëse kjo diferencë nuk do të ekzistonte siç pretendon BSH, atëherë përse duhej rregulluar me akt të posaçëm (rregullore) nga BSH procesi i grumbullimit të këtyre kartëmonedhave? Kjo do të ishte e vërtetë nëse bankat tregtare do të mbledhin kartëmonedhat e dëmtuara me vleftën e plotë, d.m.th do të bënin për klientët dhe atë shërbim q ë atyre (bankave tregtare) jua bën Banka e Shqipërisë. A beson njeri që nëse BSH lejon grumbullimin e kartëmonedhave të papërdorshme me 80% të vlerës së tyre nga bankat tregtare, këto të fundit t’i kenë mbledhur me 100% të vlerës? Unë personalisht mendoj se kjo nuk është e vërtetë dhe logjikisht nuk qëndron.

Së treti: deklarimi nga BSH se nga verifikimet e saj nuk është mbajtur asnjë komision nga bankat tregtare, d.m.th një penalitet prej 20%, përderisa ky proces ka qenë rregulluar me akt ligjor dhe i gjithëpranuar qysh në vitin 2008, tingëllon përsëri formal. Kjo sepse nuk ka arsye që bankat tregtare dhe as klientët e tyre ta evidentojnë si penalitet, rregullorja përkatëse rregullon procesin dhe palët vetëm se e zbatojnë atë automatikisht.

Së katërti: nëse nuk ka asnjë ankesë, përfundimet e kontrollit të KLSH dhe përllogaritja e shumës së parave aq kanë dalë nga thesari i shtetit (kapital shtetëror) dhe kanë përfunduar në shtimin fiktiv të fitimeve të bankave tregtare (pronë private) janë më shumë se një ankesë e kujtdo qoftë.

Së pesti: deklarimi se është “trajtuar insitucionalisht midis dy institucioneve” nuk hedh dritë mbi kundërshtitë, por e lë çeshtjen të hapur për interpretim. Nëse BSH e hedh poshtë raportin si shpifje apo trillim të KLSH këtë duhej ta deklaronte hapur dhe as që duhej hapur ky problem nëse vërtet çështja nuk ekziston. Në një vend kudo tjetër veç Shqipërisë, menjëherë mbas njohjes me raportin përkatës nga ana e BSH, do të ishte normale që ky institucion të urdhëronte menjëherë kthimin në thesarin e shtetit të diferencës përkatëse të konstatuar nga KLSH si dhe përmes auditit të saj të përllogariste shumat e periudhave të mëparshme, të cilat duhej dhe duhet të kthehen në arkën e shtetit. 

Së fundi, kushdo mund të pyesë se përse reagon zyrtarisht Banka e Shqipërisë kur në këtë institucion Kuvendi i Shqipërisë ka emëruar inspektorin e përgjithshëm, ndër detyrat kryesore të të cilit është edhe … “ të kontrollojnë raportet periodike financiare dhe dokumentet e lidhura me ato të Bankës së Shqipërisë dhe në qoftë se janë përgatitur në mënyrën e duhur, të nxjerrin certifikatë për këtë qëllim”. Pyetja që lind me këtë rast është se, a janë certifikuar bilancet e BSH gjatë periudhës kur është shkelur rregullorja përkatëse për kartëmonedhat e dëmtuara sepse këto transaksione gjejnë pasqyrim në atë bilanc? Personalisht, pa dashur të cënoj imazhin e BSH apo të bankave tregtare të dyshuara si përfituese nga këto parregullsi të ekzaminuara nga KLSH, mendoj se ky reagim i BSH i hedh më shumë benzinë zjarrit dhe në vend që ta sqarojë, e konfuzon më tej të vërtetën e asaj që ka ndodhur. E në këtë kontekst, përfshirjen, kryesisht pa denoncim të drejtpërdrejtë të Prokurorisë së Republikës e shoh si detyrim ndaj qytetarëve për të zbardhur të vërtetën dhe jo lënie në “rrjedhje të lirë”. Ngjarjet kriminale që kanë ndodhur 20 vitet e fundit në BSH duhet të shërbejnë si nxitje për këtë institucion dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjëzbatuese, për të përmbushur detyrat e veta në rojë të interesave publike. Se në fund të fundit, nëse shteti shqiptar mbas 100 vjetësh të funksionimit të tij nuk është në gjendje të detyrojë rikthimin e menjëhershëm dhe pa kushte në arkën e shtetit, të shumave të parave të transferuara ditën me diell, me dokumentacion të rregullt, nëpërmjet mekanizmave përkatëse të ligjshme, kjo ka vetëm një emër, pandëshkueshmëri. Merret me mend lehtë se ç’farë mund të thuhet për mundësinë e rikuperimit të vjedhjes së pasurive publike nga grabitës të armatosur e me maska, natën e përmes terrorit… 
Mbrojtja e interesave publike dhe ruajtja sipas ligjit të pasurive shtetërore nuk është pjesë e lirisë së cilido ushtrues të pushtetit, por detyrim, përderisa këta të fundit kanë marrë përgjegjësitë publike përkatëse.
Sigal