Zef Preçi: Kjo nuk është Europa që duam!

418

Në vijim një raporti, TV Klan që konfirmon zërat mbi përpjekjet që integrimin evropian ta paguajmë me shndërrimin e vendit tonë në një kamp azilantësh të refuzuar nga vendet e BE-së… Nuk është çudi që edhe lidershipi politik shqiptar të jetë i informuar mbi këtë plan ogurzi dhe ndoshta edhe të jetë dakordësuar për realizimin e tij. Pak a shumë si me armët kimike katër vjet më parë… Kjo nuk duhet lejuar që të ndodhë, pra që Shqipëria të shndërrohet në një zonë karantinë për ekstra-komunitarët e refuzuar e pa atdhe për çfarëdo arsyeje si lufta, trafikimi i qenieve njerëzore, anti-terrorizmi etj. Është koha që intelektualët, sipërmarrësit, politikanët dhe administratorët të reagojnë kundër këtij plani, të ndërgjegjësojnë lidershipin e dehur nga pushteti, të mbështetin zotit Rama për një “Jo” të prerë ndaj çfarëdo aludimi apo tentative të tillë. Po kaq, në mos më e rëndësishme është rritja e kontrollit policor dhe, nëse është e nevojshme edhe duke mobilizuar ushtrinë, si dhe të forcohet bashkëpunimi me agjencitë ligj-zbatuese Evropiane në sigurimin e kufijve tanë shtetërorë dhe në parandalimin dhe ndëshkimin e trafikimit të paligjshëm të qenieve njerëzore. Të jemi të qartë: e drejta e azilit duhet respektuar edhe në vendin tonë për ata individë që vijnë në mënyrë të ligjshme nga vende të treta dhe për të cilat ka procedura ligjore të njohura. Fjala është për emigrantët e paligjshëm që penetrojnë në territorin shqiptar në brezin e gjelbër dhe nëpërmjet rrjeteve kriminale vendase dhe nga vendet fqinje. Kjo sepse rreziku rritet me shtimin e tyre dhe se çdo vend fqinj refuzon ripranimin e tyre nëse nuk provohet se emigrantët në fjalë nuk kanë hyrë në territorin shqiptar nga vendi përkatës fqinj. Dmth edhe refuzimi i lejes së qëndrimit të tyre në territorin shqiptar është i pamundur dhe kështu ata janë kontingjente përfitimesh për trafikantët e klandestinëve dhe të drogës, ndërsa vendit tonë i shtohet edhe rreziku i terrorizmit, përplasjeve sociale, rritja e pasigurisë së pronës e jetës, etj. Në këndvështrimin ekonomik kjo do të ishte vetëvrasëse sidomos për praninë e investimeve të huaja direkt (FDI), por edhe për klimën e përgjithshme të biznesit në vend. Është koha të kuptojë secili se fati politik i një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe kryeministri vendit, nuk mund të sigurohet duke lënë peng interesa madhore siç është e ardhmja e fëmijëve në një Shqipëri ndryshe, më të mirë nga kjo e sotmja. Ndërsa heqja e paraleles midis pranimit të 600 mijë bashkëkombësve kosovarë më 1999 me 600 mijë azilantë të refuzuar nga vendet evropiane, në mos naivitet qeveritar, është një djallëzi e keqdashje me pasoja të pariparueshme për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Nëse integrimi Evropian do të kushtëzohet me “sugjerime” të tilla, është më mirë të mos ndodhë kurrë…