Zef Preçi/ Ja si veprojnë autoritetet Greke në marrëdhëniet e tyre delikate me Turqinë

611
Sigal

“Marrëveshja e detit” dhe nevoja për zgjidhje në marrëdhëniet me Greqinë për Zonën Ekskluzive Ekonomike

Duke marrë spunton nga takimi 3 palësh Egjipt-Greqi-Qipro, në dobi të stabilitetit të rajonit, eksperti i ekonomisë z. Zef Preçi, ka bërë një analizë të hollësishme (të postuar në një nga rrjetet sociale) për marrëdhënien Greqi-Shqipëri, përsa i takon “Marrëveshjes së detit”. Për Preçin, sot më shumë se kurrë, është i domosdoshëm serioziteti i qeverisë tonë në trajtimin dhe në zgjidhjen një herë e mirë të këtij problemi.

 ***

 Të shtunën u zhvillua në Kajro (Egjipt) një takim trepalësh midis liderëve kryesorë politikë të Egjiptit, Greqisë dhe Qipros, të cilët nënshkruan një dokument politik në dobi “të prosperitetit të qytetarëve dhe stabilitetit të rajonit” – Deklaratën e Kajros, që, sipas mendimit tim, i tejkalon caqet e interesave të vendeve nënshkruese të këtij dokumenti. Përmes kësaj deklarate, vendet nënshkruese “i bëjnë thirrje Turqisë t’i japë fund sfidës ndaj Qipros, në lidhje me Zonat Ekskluzive Ekonomike (EEZ), bëjnë thirrje për zgjidhjen e problemit të ishullit të ndarë të Qipros, si dhe për përshpejtimin e negociatave ndërmjet vendeve që ende nuk kanë përcaktuar EEZ” (Reuters).

Siç dihet, Turqia prej disa kohësh po zhvillon kërkime nafte dhe gazi në rajonet detare në afërsi të Qipros dhe duke kritikuar këtë hap të njëanshëm të palës Turke, në takimin e djeshëm Presidenti Qipriot deklaroi se “kërkimet për naftë dhe gaz në afërsi të ishullit pengon bisedimet e paqes, komprometon sigurinë rajonale”. Për publikun shqiptar është e njohur se të njëjtin qëndrim ka adoptuar edhe Greqia kundrejt vendit tonë qysh në vitin 2012. Shtypi ka publikuar fakte rreth këtij zhvillimi provokativ të palës greke dhe është e qartë se kryerja e kërkimeve në afërsi të territorit shqiptar nuk shkon në harmoni me deklarimet zyrtare të autoriteteve më të larta të shtetit grek, ndërsa qeveritë shqiptare – as ajo që iku dhe as qeveria aktuale – nuk kanë guxuar të flasin ndonjëherë hapur rreth kësaj teme. Sipas Ministrisë greke të Energjisë dhe Ndryshimit Klimatik, qysh në Mars 2013 “është bërë e ditur se kanë përfunduar kërkimet sizmike në një rreze prej 12.431 km katrore, për evidentimin e burimeve me hidrokarbure në detin Jon dhe në jug të Kretës. Pas grumbullimit të të dhënave të kërkimeve sizmike, do të pasojë faza e përpunimit dhe e prezantimit të tyre para kompanive që në një stad të parë do të tregojnë interes për t’i patur në dispozicion këto të dhëna. Stadi tjetër do të jetë shpallja e tenderëve për disponimin e zonave detare, ku sondat do të fillojnë shpimet me qëllim gjetjen burimeve të naftës e të gazit, për të cilat kryeministri grek Antonis Samaras ka deklaruar se ka shenja mjaft të besueshme se janë mjaft të pasura” (energjia.al).

Sipas shtypit perëndimor, debatet rreth kësaj teme (përcaktimit të EEZ) po zhvillohen prej disa vjetësh nga një numër vendesh si në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ashtu edhe në struktura të tjera shtetërore, ndërshtetërore, gjyqësore apo ndërkombëtare si dhe në vetë Bashkimin Europian.

 “Marrëveshja e detit” dhe qeveria shqiptare

Duke marrë parasysh faktin se Shqipëria është e përfshirë në një çështje të ngjashme të komplikuar e delikate me fqinjin e saj jugor – Greqinë – për atë që njihet në publik si “Marrëveshja e detit” që, në fakt, përfshinte njëkohësisht si delimitimin e vijës kufitare në ujërat e përbashkëta, ashtu edhe EEZ, mendoj se nga takimet e nivelit të lartë dhe nga deklarata e cituar në fillim të këtij shënimi, mund të tërhiqen nja dy konkluzione në interes të paqes e stabilitetit rajonal, të respektimit të interesave themelore ekonomike të vendit, të parimit të barazisë në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të përfshira edhe/ose të interesuara (psh të Italisë).

E para, ashtu siç kanë vepruar dhe veprojnë, edhe shtetet e ndryshme të botës që kanë probleme të delimitimit të vijës kufitare në ujërat e përbashkëta (më shumë se 70 vende të botës së sotme), mendoj se këto dy çështje duhen ndarë dhe nuk duhet të trajtohen në mënyrë të njëkohshme. Kjo jep mundësi për përdorimin e teknologjive bashkëkohore, ne amendimin e kuadrit përkatës ligjor, përmes njohjes së përvojave të vendeve të tjera, angazhimin e institucioneve ndërkombëtare të specializuara, zhvillimin e debatit politik e publik, si dhe arritjen e konsensusit të nevojshëm në elitën politike drejtuese të vendit në pushtet dhe në opozitë, etj.. Kuptohet se nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh midis Greqisë dhe Shqipërisë, një çështje kjo e zgjidhur qysh me Protokollin e Firences të 27 Janarit 1925 për Delimitimin e Kufirit Jugor të Republikës së Shqipërisë dhe as për “shitje apo përdorim si plaçke tregu” të copave të territorit shqiptar në interes të forcimit dhe zgjatjes së pushtetit/sundimit të këtij apo atij lideri politik dhe as për mbajtjen gjallë të paranojës shqiptaro-ballkanike të “liderëve që shërbejnë fuqitë e huaja”(që në fakt ka dëmtuar dhe dëmton rëndë besimin publik ndaj institucioneve të votës së qytetarëve, më shumë se vetë keq-qeverisja e këtyre liderëve).

E dyta, EEZ që shtrihet në kufirin ujor midis Shqipërisë dhe Greqisë, përfshin edhe fqinjin tjetër perëndimor – Italinë. Për shkak të seriozitetit që duhet të karakterizojë shtetin tonë mbas njëqind vjetësh pavarësi dhe në prag të anëtarësimit të tij në BE, për shkak të nevojës për kapërcimin e problematikës së krijuar vitet e fundit rreth kësaj çështjeje (marrëveshja e rrëzuar ose ish-draft marrëveshja e qeverisë Berisha në qeverinë greke), për shkak të nevojës që të treja këto vende kanë për eksplorimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore të përbashkëta (naftën dhe gazin) në përputhje me kuadrin ligjor të BE-së dhe atë ndërkombëtar (siç është Konventa e OKB-së mbi Ligjin e Detit), por edhe duke respektuar sovranitetin e vendit tonë mbi territorin e vet detar, mendoj se një shqyrtim i përbashkët i EEZ midis Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë mund të jetë edhe premisa bazë, mbi të cilën autoritetet qeveritare Shqiptare dhe Kryeministri Rama duhet të mbështeten në bisedimet e afërta të nivelit të lartë gjatë vizitës së pritshme të Kryeministrit Grek Samaras në Tiranë.

 Joni, i pasur me hidrokarbure

Sipas shtypit dhe raporteve të ndryshme të publikuara, në EEZ midis dy vendeve tona janë zbuluar rezerva të mëdha nafte dhe gazi. Qysh në Korrik të vitit të kaluar (2013) mediat greke kanë raportuar, me burim Ministria e Mjedisit të atij vendi, mbi rezultatet e vlerësimeve të kryera nga firma norvegjeze ‘Petroleum Geo Services’ për ekzistencën e hidrokarbureve në detin Jon, ndërsa raporte të mëparshme konfirmonin se vetëm në zonën naftëmbajtëse pranë kufirit me Shqipërinë janë depozituar rreth 160 milionë ton naftë bruto që kushtojnë, aktualisht, afërsisht 70 miliardë Euro (shqiptarja.com).

Natyrisht, kjo kërkon një qasje realiste e mbi bazën e vullnetit të mirë, si dhe pa komplekset e së shkuarës së afërt dhe të largët që pala greke ka shfaqur ndaj kësaj çështjeje delikate psh të konsideruarit të marrëveshjes, sikur ajo është në fuqi/ekziston, ushtrimi i panevojshëm i presionit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj qeverisë shqiptare për gjoja “njohjen” dhe eventualisht për ndërmarrjen e hapave përkatëse procedurale ligjore e institucionale për nënshkrimin e saj, qëndrim ky i përsëritur disa herë nga autoritetet më të larta të qeverisë dhe shtetit Grek, apo nxitimi i autoriteteve greke për të angazhuar kompani të huaja të specializuara në kërkimet e naftës dhe të gazit në ujërat detare që të eksplorojnë territorin e përbashkët detar midis të dyja vendeve. Nga ana tjetër, duke qenë i bindur se për interesa politike të brendshme, por edhe për interesa ekonomike (mendohet se në EEZ midis të dyja vendeve janë zbuluar rezerva shumë të rëndësishme nafte dhe gazi) kjo çështje do të jetë ndër çështjet kryesore të bisedimeve politike midis dy kryeministrave Rama dhe Samaras në Tiranë, mendoj se autoritetet zyrtare shqiptare, posaçërisht Kryeministri Rama duhet të ngrihet mbi tautologjinë e zakonshme patriotike duke përfshirë edhe “meritat” e forcës së tij politike për rrëzimin e draft “marrëveshjes së detit” të vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese, si dhe të diskutojë paraprakisht me përgjegjësinë e shtetarit të mandatuar me kreun e shtetit Nishani, me kreun e Kuvendit dhe aleatin bashke-qeverisës Meta, si dhe me kreun e opozitës Basha rreth opsioneve për përballimin realist të kësaj çështjeje delikate, ndër të cilat edhe shqyrtimi në një kontekst trepalësh (Shqipëri, Greqi dhe Itali) të kërkimit dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore, të naftës dhe të gazit në EEZ ndërmjet tyre. Po kështu, në favor të rritjes së transparencës publike dhe për të penguar krijimin e panevojshëm të teorive konspirative rreth kësaj teme, mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet të informohet dhe t’i kërkojë llogari ekzekutivit mbi ecurinë e përgatitjeve të grupeve negociatore rreth kësaj teme, për të cilën pati paralajmëruar Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, qysh në fillim të këtij viti. Kjo do të ishte jo vetëm një garanci më shumë për zgjidhje të qëndrueshme në dobi të interesave afatgjatë të vendit tonë, përshpejtimit të zgjidhjes së problemit, por edhe një tregues se z. Rama, në krye të ekzekutivit aktual Shqiptar dhe elita politike vendase po fiton pjekurinë e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke evituar krijimin e situatave të panevojshme (siç qe psh rasti i pranimit ose jo i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë). Po kështu, mendoj se tashmë është provuar si e padobishme edhe metoda e denoncimeve nga ana e titullarëve aktualë politikë, e në disa raste edhe denoncime penale e shkeljeve të pretenduara nga paraardhësit e tyre në të njëjtat funksione (siç ishte edhe rasti i denoncimit në Prokurori tre muaj më parë i anëtarëve të ekipit negociator të marrëveshjes në fjalë, etj.).

Në këtë mënyrë, edhe shteti Shqiptar do të përshpejtojë zbulimin e shfrytëzimin e pasurive në EEZ, aq të nevojshme për rritjen e mirëqenies së qytetarëve e zhvillimin dhe integrimin Europian të vendit, si dhe do të kontribuojë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.