Zbigniev Brzezinski*/ Putin një imitues i shëmtuar i Musolinit dhe Hitlerit

519
Sigal

Uashington Post/ Çfarë duhet bërë? Agresioni i Putinit në Ukrainë meriton një përgjigje

Lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës, pjesa më e madhe e saj varet nga ajo që Vladimir Putin do të ndërmarrë në të ardhmen. Por nga ana tjetër veprimet e Putinit nuk varen vetëm nga llogaritjet e tij mbi përgjigjen e mundshme të NATO-s (dhe sidomos të SHBA-ve), por gjithashtu edhe nga vlerësimi i tij se sa ashpër do të kundërpërgjigjej populli ukrainas në çdo rast përshkallëzimi të mëtejshëm nga Rusia. Dhe, për ta përfunduar ciklin, përgjigjja e Ukrainës do të ndikohej nga reagimi i qytetarëve ndaj çdo përsëritje të mëtejshme të agresionit të Putinit mbi Krime dhe nga fakti se sa ukrainasit besojnë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO do t’i mbështesin realisht.

Taktikat prej huligani të Putinit për të ‘kapur’ Krimenë nxjerrin në pah disa mesazhe të fshehura lidhur me planet e tij. Ai e dinte që në fillim se pushtimi i tij i kamufluar lehtë do të kishte mbështetjen popullore nga shumica ruse në Krime. Ai nuk ishte i sigurt se si do të reagonin njësitë e vogla dhe të lehta ushtarake ukrainase të stacionuara atje, kështu që ai hyri si i një gangster i maskuar. Në rast të një rezistence serioze ukrainase, ai do të mund ta mohonte iniciativën dhe do të tërhiqej mbrapsht.

Suksesi i tij i parë mund ta provokojë atë që të ndërmarrë një performancë më të drejtpërdrejtë në krahinat e largëta lindore të Ukrainës. Nëse del sërish i suksesshëm, atëherë mund të vihet në jetë faza e tretë përfundimtare, përmes kombinimit të trazirave politike dhe përdorimit gjithnjë e më të dukshëm të forcave ruse, për të përmbysur qeverinë në Kiev. Rezultati në këtë mënyrë do të jetë i ngjashëm me të dy fazat e sekuestrimit të Hitlerit mbi Sudetenland në vitin 1938 dhe pushtimit përfundimtar të Pragës dhe Çekosllovakisë në fillim të vitit 1939.

Pjesa më e madhe e planit do të varet nga mënyra se si Perëndimi do ta përcjellë  diktatorin e Kremlinit – që është pjesërisht një kopje komike e Musolinit dhe të kujton kërcënimin e Hitlerit – sepse NATO nuk mund të jetë pasive nëse shpërthen lufta në Europë. Në qoftë se Ukraina shtypet, ndërsa Perëndimi thjesht vëzhgon, liria e re dhe siguria në kufi me Rumaninë, Poloninë dhe tri republikat baltike gjithashtu do të jetë e kërcënuar. Kjo nuk do të thotë se Perëndimi, apo Shtetet e Bashkuara, duhet të kërcënojnë me luftë. Por në radhë të parë, aktet e njëanshme dhe kërcënuese të Rusisë nënkuptojnë se Perëndimi duhet ta njohë si legjitime menjëherë qeverinë e tanishme të Ukrainës. Pasiguria në lidhje me statusin e saj ligjor mund të provokojë që Putini të përsërisë aktin e tij mbi Krime. Së dyti, Perëndimi duhet të përcjelli, privatisht në këtë fazë, në mënyrë që të mos fyej Rusinë, tek ushtria ukrainase mbështetjen dhe ndihmën e saj të  menjëhershme, dhe të drejtpërdrejtë, në mënyrë që të rris kapacitetet e saj mbrojtëse. Nuk duhet të ketë pikë dyshimi në mendjen e Putinit se një sulm ndaj Ukrainës do të përfundonte një angazhim të zgjatur dhe të kushtueshëm, dhe ukrainasit nuk duhet të frikësohen se do të lihen në baltë. Ndërkohë, forcat e NATO-s , në përputhje me planifikimin e emergjencës së organizatës, duhet të vihen në alarm. Gatishmëria e lartë për të bërë një transport ajror të menjëhershëm për në Europë të njësive ajrore të SHBA-ë do të ishte politikisht dhe ushtarakisht kuptimplotë. Nëse Perëndimi do që të shmangë një konflikt, nuk duhet të ketë paqartësi në synimet e Kremlinit se si do të përdoreshin forcat ushtarake në mes të Evropës. Për më tepër, përpjekje të tilla për të shmangur kalkulimet e gabuara që mund të çojnë në shpërthimin e një luftë duhet të kombinohen me riafirmimin e dëshirës së Perëndimit për paqe me Rusinë e shoqëruar kjo në të njëjtën kohë, me një përpjekje të përbashkët për të ndihmuar Ukrainën të shërohet ekonomikisht dhe të stabilizohet politikisht. Perëndimi duhet të sigurojë Rusinë se nuk po kërkon të tërheqë Ukrainën në NATO apo  ta kthejë atë kundër Rusisë. Ukrainasit mund ta përcaktojnë vetë thellësinë e afërsisë së tyre më Europën dhe synimin e bashkëpunimit të tyre ekonomik me Rusinë, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Europë. Dhe pas zgjedhjeve të Majit, ata mund të rishikojnë disa nga aranzhimet për një status të veçantë për Krimenë, por ata nuk duhet ta bëjnë këtë nën detyrimin e një sulmi nga një fqinj i drejtuar nga ambicie perandorake apo personale.

*Ish-këshilltar për sigurinë kombëtare në Rusi në vitet 1977- 1981

 Ndalet Putin, urdhëron trupat ushtarake të tërhiqen nga kufiri me Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin nëpërmjet një konference për shtyp në Kremlin urdhëroi, papritur, trupat ruse që po kryenin stërvitje ushtarake që prej të mërkurës së kaluar, që të tërhiqen në bazat e tyre. Sipas tij, edhe pse në Ukrainë ka ndodhur një grusht shteti nuk është e nevojshme ndërhyrja ushtarake për momentin. Putin tha se, për momentin nuk është e nevojshme të ndërhyhet ushtarakisht në Ukrainë, edhe pse mundësia mbetet. Sipas tij “Rusia ka të gjitha të drejtat dhe të gjithë forcën të mbrojë rusët në Ukrainë”. Duke folur për rajonin e Krimeas, Putin tha se, ‘E ardhmja është në dorën e banorëve të këtij rajoni, por çdo vendim për të ndërhyrë ushtarakisht atje, do të jetë legjitim, do konsiderohet si një mision humanitar”, tha ai. Ndër të tjera, Putin siguroi se Rusia nuk do të provokojë lëvizje separatiste në Krime. Ndërsa duke komentuar deklaratat e SHBA dhe të gjithë anëtarëve të G7, që kërcënuan se nuk do merrnin pjesë në samitin e G8 në Sochi, Putin tha: “Jemi gati të mbledhim G8, por partnerët tanë nuk duan të vijnë dhe le të mos vijnë”. Në lidhje me mundësinë e sanksioneve ndaj Rusisë, Putin paralajmëron: “Kush do t’i vendosë sanksione Rusisë, duhet të mendojë për pasojat, pasi dëmet do jenë reciproke”.