Zamira Çavo: Hapini Sytë Njerëz!

1412
Sigal

Na ka pllakosur një dëshpërim kolektiv dhe e gjithë bota na duket gri. Na duket se po përgatitemi për një “Sherr të madh”! Në të vërtetë kjo nuk është kriza jonë. Këtë krizë po mundohen të na e fusin në mendje, në shpirt në ëndrra, duke na trembur se, nëse nuk mbani njërën apo tjetrën anë do “digjemi” nga ajo çka na pret.

Por kriza e vërtetë është e krimit politik e mafias ekonomike, është e medias dhe e asaj që quhet Elitë kulturore. NUK është kriza jonë! Atëherë pse jemi stresuar si popull? Pse rrimë e dëgjojmë broçkullat a të ashtuquajturve opinionistë që zëvendësojnë njeri tjetrin nga njëri ekran në tjetrin? Si jemi katandisur kështu?! Si kemi arritur që nga mëngjesi në darkë të grindemi me njëri tjetrin duke nxirë jetën tonë?! Si ka mundësi që nuk përpiqemi të paktën të gjykojmë me mendjen tonë dhe jo të politikës apo medias?

Me xhepat bosh vazhdojmë të mbajmë anën e Berishës Metës apo Ramës… Të papunë e shqetësohemi se çfarë mendon Berisha apo Rama që realisht janë shkaktarët e gjendjes sonë të mjerueshme. Bëjmë tifo, madje shkojmë edhe në protesta për t’iu hakërruar njërit apo për të mbrojtur tjetrin, pa asnjë lidhje me jetën tonë të përditshme. Ata jetojnë në parajsë dhe ne luftojmë që ata të mos largohen që aty!

Dhe e dini pse? Sepse ne harrojmë shpejt, sepse manipulohemi shpejt! Si mund të harroni 97-n, 21 janarin, shkatërrimin e vendit, shitjen e tokave, shkatërrimin e pyjeve, lumenjve, minierave, dhe… pasurimin e kësaj shtrese që u pasurua pikërisht, sepse Ne nuk ditëm të luftojmë për vete.
Largohuni nga ekranet ku zija, që ka rënë mbi kryet e maskarenjve të mos bjerë në shpirtrat tanë! Braktisni opinionistët që pasurohen duke shkatërruar mendjet tona! Lërini të hanë kokat e njëri tjetrit e mos u bëni palë dhe do shihni se do jemi më mirë! Sepse, Ata që kërkojnë të na hedhin pasojat e krizës mbi shpatullat tona, ata ushqehen nga interesimi ynë!

Largojeni mjegullën nga sytë dhe shihni për rreth jetës suaj, familjes suaj, shoqërisë suaj dhe do kuptoni shumë më tepër se sa një “arrestim” apo” lirim”! Ata nuk ndalen para asgjëje. Përdorin gjithçka që interesimi ynë ndaj tyre të jetë sa më i madh. Përdorin artin, fëmijët, madje dhe programet “si të gatuajmë”… ata nuk lenë mjet pa përdorur që ne të jemi nën këmbët e tyre. Hapni sytë njerëz! Hapni sytë, se nga stresi, nga pesimizmi se ky vend nuk bëhet, po shkatërrojmë shëndetin tonë, dhe s’kemi para të kurohemi në “shëndetësinë falas”. Hapni sytë, se fëmijët po marrin nga ekrani modelin më të keq të mundur dhe nesër do t’ju vrasin për 5 para! Hapni sytë njerëz, se jetën e kemi ne në dorë ta rregullojmë! Ama pa “këta!