Zaim KUÇI/ Rruga e vështirë drejt ligjit

77

Përdorimi i shpeshtë i termit “burg”, i dëgjuar shpesh madje edhe nga shprehja e kryeministrit, duket se rrek të vendosë raportin e drejtë të shoqërisë dhe të institucioneve me ligjin, edhe pse ai e di mirë se burgu nuk është zgjidhja, por aktualisht është formë e zgjidhjes për të shëruar sistemin e keqbërë në ndërtimin e shtetit.  Më se dy dhjetëvjeçarë demokracie, realisht deformuan qeverisjen e vendit në atë shkallë sa qytetarët e këtij vendi, të zhytur në pesimizëm, thuajse ndjehen të huaj në vendin e tyre. Këtë gjendje e tregoi kohët e fundit, përtej të shumëthënave, edhe thashethemnaja që shkuli me qindra qytetarë t’i drejtohen “parajsës” gjermane. Ishte një dramë që pak u komentua dhe pak u analizua. Ata ishin aq shumë dhe vendi ynë nuk ishte në gjendje lufte për të kërkuar këtë eksod kaq masiv!

Kush e ka fajin?

Sipas disave, fajin e ka “ai-ishi” i cili krijoi dhe zhvilloi një shtet sa të shumëkuptimtë aq edhe të pakuptimtë. Disa të tjerë e gjejnë fajin tek ritmi i ngadaltë i qeverisë së ardhur për ndryshim. Më në fund, të tjerë e kërkojnë në fjalorin e rreptë të kryeministrit për reformat e nisura. Kështu përplasemi pa drejtim e pa kuptim kundër të gjithëve duke mbjelle kotësira, retorikë dhe marrëdhënie të debatueshme për një kahje aq të qartë sa s’ka nevojë për debat: në ç’ raport do të vihet ky vend me ligjin? Në termin siguri kombëtare fjala “burg” është respektim pa kompromis i ligjit (në se zbatuesit e tij janë të vërtetët e munguar), e cila paralajmëron qytetarët për ta respektuar atë. Në këtë rast ajo mbyll derën e burgut duke prodhuar siguri për të gjithë. Analiza dhe shqetësimi ynë duhet të jetë: a janë larguar shqiptarët nga respektimi i ligjit dhe a ka qenë e cenuar siguria e RSH nga keqqeverisja në këta dy dhjetëvjeçarë demokracie? Cili është raporti i shoqërisë dhe institucioneve me ligjin dhe demokracinë e re dhe si janë perceptuar ato? A ka pasur ligje dhe si janë zbatuar ato? A janë bërë si reformat në sistemin e ndërtimit të shtetit? Në situata të krisura politike gjithnjë gjendet një ngjarje, një moment për të bërë lojën e radhës për mosbashkëpunim. Të gjithë e dinë mirë që ligjet ishin dhe janë aty dhe se institucionet e shtetit janë lodhur nga reformat e shpeshta partiake, duke bërë e zhbërë struktura, por ajo që i ka munguar këtij vendi është modeli i duhur në qeverisje. Realisht vendi duket se është akoma në koma, në emergjencë dhe si i tillë, mund të thuhet se “plotëson kushtet” për shpallje gjendjeje të jashtëzakonshme. Në këto situata, normalisht ashpërsohet sjellja e organeve të ruajtjes së shtetit me masa më ekstreme për të ndalur hemorragjinë e shkaktuar. As kryeministri dhe as ministri nuk të çon në burg, por është mosrespektimi i ligjit nga vetë qytetarët me dhe pa pushtet. Kjo duket sheshit. Është paradoks që shqiptarët, të majtë dhe të djathtë, janë të ashpër për çka ndodh në vendin tonë, por ata nuk bëhen tok si pjesë aktive për të shkulur të keqen, por mbeten në llafe kafenesh. Në shoqërinë tonë duket se dominojnë interesa personale, të cilat nuk shkojnë përtej vetvetes. Morali nuk ka dukë. Përkundrazi, e ardhmja na mungon. Është detyrë e opozitës të sjellë si alternativë të ardhmen, por fatkeqësisht ajo është në origjinë të kësaj keqqeverisje të sapo kaluar dhe vetë asaj i duhet kohë për ripërtëritje e ndryshim. Duke mos analizuar qeverisjen e saj të shkuar për një qasje tjetër, etja për të ardhur menjëherë në pushtetin e sapo lënë e nxitoi opozitën të na sjellë alternativë rrugën e protestave, madje kur ministrat nuk kishin marrë ende zyrat. Ata vijuan propagandën pikërisht edhe në periudhën kur qeveria e sapodalë nga 23 Qershori ishte ende “në detyrë”  duke ia faturuar asaj varfërimin e popullit, edhe pse opozita e sotme, për një handikap ligjor, ishte akoma në drejtim. Kështu opozita vijon të rihumbë besimin tek populli duke mos ofruar një tjetër vizion që t’u shkojë për shtat zgjidhjes së problemeve të këtij vendi. Matematikisht, edhe sikur kryeministri të kishte në dorë ndonjë buton pasurimi apo varfërie, nuk mund të arrihej kjo gjendje ekonomike dhe varfëri shpirtërore që ne po kalojmë sot. Sjellim si rast, në interes të problemit në fjalë, operacionin e kësaj qeverie kundër “drogës” ku ishte pranuar politikisht se në territorin e RSH kishte super prodhim të lëndëve narkotike, qartazi si burim jetese për të luftuar varfërinë. Kjo situatë jashtë kontrollit krijoi madje territore të tëra të vendit me ngjyrë “të kuqe”, si për shembull, Lazaratin i cili, në qeverisjet e mëparshme, nën rrogoz ishte shpallur për t’u vetëshpallur si “zonë e ndaluar”. Me qeverisjen e sotme kemi jo vetëm një Lazarat pa drogë po një Shqipëri të tërë të ç’droguar. Shtrohet pyetja, a duhej përdorur me forcë termi “burg”? Lajm i mirë dhe i pritshëm ishte për shqiptarët vendimi i qeverisë për mbylljen e atyre institucioneve arsimore fantazmë ku shoqëria shqiptare zhvilloi abuzimin më monstruoz në fushën e arsimimit dhe edukimit, duke prodhuar me mijëra diploma false dhe vlerësime fiktive nga universitete anonime. Fatkeqësisht edhe për këtë aksion kombëtar nuk mungoi zhurma dhe protesta ndaj vendimit kundër kioskave «të diturisë». Diku Hygoi thotë se: ai që hap një derë shkolle mbyll një burg. A ka funksionuar tek ne kjo këshillë përgjatë këtyre dy dekadave, apo e kemi deformuar për përfitime? Sot, a duhet rifilluar kjo filozofi? Hierarkia e masave ndëshkimore, e “mësimit” përmes masave ndëshkimore, por edhe e mësimit të edukatës së ligjeve në shkolla, a duhet të jenë një tjetër alternativë? A jemi të interesuar se ç’ vend zë në shkollat tona edukata ligjore, juridike? Është e turpshme të analizosh llumin e dalë nga operacioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike. U vërtetua para shqiptarëve vjedhja makabre e energjisë nga pushtetarë, faturistë mediokër (si hajdut “xhepash”), pronarë vilash dhe biznesesh. Nga ana tjetër, pamë sjelljen e pensionistëve që vraponin me frikë për t’i paguar edhe pse ata janë më të varfër. Për të kuptuar mosfunksionimin e shtetit, le të ndalemi edhe tek një tregues siç është siguria mjedisore. Nuk është më sekret se gjatë tranzicionit, strukturat e dobëta shtetërore humbën kontrollin mbi pjesë të territorit si një nga elementët bazë të tij duke sjellë dëm të madh në këtë fushë nevralgjike të sigurisë kombëtare. Maskarada vazhdon me kompanitë e ndërtimit, siç për shembull po zhvillohet aktualisht beteja në drejtësi e 50 (familje) apartamente të cilët janë kaluar kolateral banke (NBG Bank) nga kompania “2-AL” e udhëhequr nga një president firme anonim. Banorët, viktimë të kësaj kompanie dhe të tjera si kjo kërkojnë që përgjegjësit e kësaj firme të ndëshkohen jo vetëm me “burg”… Përgjatë tranzicionit shqiptarët u ngopën me gënjeshtra groteske e retorikë mashtruese, duke mbjellë dëshpërim dhe zhgënjim edhe pse RSH ishte zhytur me kohë në recesion. Po shëmbëllzoj bumin ekonomik shqiptar të pak viteve më parë me shqetësimin e presidentit francez se, vendi i tij ishte i varfër dhe duhej nxjerrë nga varfëria! E cili, një shtet elitar i ekonomisë evropiane, ndërsa nga ana tjetër ish-kryeministri ynë kudo e rendiste Shqipërinë të dytën! Këto e shumë “bëma a bume ekonomike” të tjera janë argumente të keqqeverisjes, të cilat të ofrojnë gjykimin se për të ndalur ortekun e shkatërrimit të vendit është normale shpeshtimi i fjalës “burg” (në termin ushtarak-“dissuader”) apo si nevojë rehabilitimi dhe në vijim të kësaj analize shtroj pyetjen nëse këto do të ndodhnin në Francë a Gjermani; si do të sillej një francez apo gjerman përballë këtyre maskaradave ndaj popullit të tyre? Siguroj, ata do të protestonin përtej fjalës “burg” duke shkuar më tej ndoshta dhe për “gijotinë” edhe pse i përket shekullit të kaluar. Duhet të kuptojmë se problemi i sigurisë ekonomike është më kritik, problematika e të cilit përfshin dhe shtetet e zhvilluara. Duhet të mirë përcaktohet niveli i minimumit jetik, pagën bazë për të mbijetuar individët duke afruar strategji për papunësinë si një faktor destabilizues që krijojnë terrorizmin, tensione politike, rrisin frymën nacionaliste dhe atë etnike; Shqipëria nuk meriton lojën partiake të politikanëve që përgatiten për fushata elektorale, ajo është e varfër. Zhvillimi i vendit bëhet në terma afatgjatë që fatkeqësisht gjatë tranzicionit kaluan në zgjidhje afatshkurtër, duke shkatërruar gjithçka të ndërtuar, lëvizja demografike pa një plan sistemimi, ndërtime  pa leje, shkatërrime masive të pyjeve, shkatërrime të pasurisë kombëtare të cilat dhanë efekte të menjëhershme dhe kërcënuan sigurinë ekonomike e sociale të individit, nëpërmjet nevojës emergjente për të mbivijetuar, një strehë  e punë të përkohshme duke e kthyer shtetin “një fis”. Shtetformuesit tanë, për interesa të ngushta apo nga mosnjohje të termit “siguria njerëzore” përgjatë dy dhjetëvjeçarëve kanë kaluar në ekstremitetin më të paskrupull mes zgjidhjeve të llojit “siguria për individin nga vet individi”, që kupton përjashtimin e zgjidhjes të sigurisë nga shteti. Shqiptarët kërkojnë qeverisje, sepse kemi ndërtuar në të gjitha fushat në modelin «keq», ku janë përfshirë në një sistem hierarkik, mashtruesit, të favorizuar nga ata që privatizojnë ligjet për të përfituar. Ata janë me status: gjyqtar apo prokuror, mjek apo profesor, bankier apo doganier, pronar kompanie ndërtimore dhe përmbarues vandalë, gjakmarrës a kriminel, mbjellës droge apo prostitucioni, me pushtet dhe pa pushtet, ndodhemi të kërcënuar në një fushë të hapur. Në këtë vorbull pasigurie ndoshta ne shqiptarët kemi kuptuar se duhet të ndryshojmë, le të gjithpërfshihemi për të zhdukur të ligën nga harta e Shqipërisë. Së fundmi le t’i referohemi thënies të shkrimtarit Victor Hugo që i shkon realitetit tonë se si ne ndërtojmë shtetin: “Të jesh i mirë është e lehtë, vështirë është të jesh i drejtë..!”  Unë mendoj se të sapolarguarit ndërtuan shtetin në opsionin “të mirë”, plotësuan interesat e rrjetit mbështetës të shkallëzuar në ato personale të fisit duke mbjellë amulli. Ndërsa qeverisja e sotme nisi një udhë të vështirë, aspak të lehtë, edhe pse prodhon pakënaqësi apo thellon varfërinë në një kohë afatshkurtër, por me bindjen se në planin afatgjatë shqiptarët do të fitojnë. Prandaj kjo qeveri duhet t’i vazhdojë këto reforma pa kompromis edhe midis të vetëve për të ndërtuar shtetin, domethënë raportin e shoqërisë dhe institucioneve me ligjin.

Janar  2015