Zaim KUÇI/ Putini delirant? “Jo”. Fatos Tarifa? “Po”

615
Sigal

Zoti Fatos Tarifa në “Gazetën Shqiptare”, të datës 30 mars 2014, është shprehur i shqetësuar: “Siguria kombëtare është në duar diletantësh….”

 Personalisht i përkas atij brezi intelektualësh për të cilin çdo koment dashamirës është i mirëpritur.

A ishte shkrimi i profesorit dashamirës? Për të ardhur keq dhe sinqerisht nuk mund ta mendoja se profesori do të ulej për të shkruar për një qendër dhe njerëz seriozë të saj pa pasur as dhe një informacion, dhe kontakt shoqëror, siç ndodh normalisht për një të mirë që dëshiron ta bësh publike. Unë do t’i mirëprisja këto komente, por mesa di, z. Tarifa edhe pse qenkërka profesor i gjeopolitikës nuk e kam parë të paktën të japë një vlerësim, koment apo analizë të tijën për situatën në Ukrainë. Të rrish në shteg për të “kapur” gjah e për të kritikuar të tjerët është relativisht e lehtë. Unë edhe këtë do ta prisja, siç do të prisja me kënaqësi edhe dashamirësinë dhe konstruktivitetin, dhe jo denigrimin siç duket se e paska zakon zoti Tarifa.

Zoti Tarifa nëse është i botës akademike, siç hiqet, është mirë të dallojë se çfarë është “raport”, çfarë është “vendim”, çfarë është “qëndrim”, çfarë është “vlerësim individual” e çfarë është “vlerësim institucional”. Formimi ushtarak i fituar më detyron të arsyetoj se profesori nuk mund t’i dijë të gjitha, atij i duhet një Kolegj Lufte në Paris, dhe një specializim doktorues në Pentagon, tani është vonë për të.

Dashakeqësia e trashëguar e tij, apo e nxitur nga dikush tjetër, i ka thënë zotit Tarifa se shkrimet e publikuara në faqen e QKSM qenkërkan “raporte”, madje voluminoze. Dashakeqësia nuk e ka lënë zotin Tarifa të kuptojë se këto shkrime janë thjesht këndshikime individuale dhe jo qëndrime të institucionit. Duhet të mirëkuptoni informacionin personal për qendrën ku unë punoj, ajo ka iniciuar, dhe përgatitur, goxha dosje “konfidenciale”, që i kanë shërbyer interesave të sigurisë dhe mbrojtjes së RSH. Zotin Tarifa e ka penguar dashakeqësia, apo mungesa e informacionit, të mësojë se këto shkrime janë botuar më parë edhe në median e shkruar dhe vetëm si të tilla janë pasqyruar edhe në faqen e QKSM.

I nderuar Profesor Tarifa. Analizat janë këndvështrime, dhe jo përfundime për vendime apo deklarata dhe qëndrime për Ministrinë e Mbrojtjes. U nxituat që i dhatë ngjyrë institucioni. Analizat janë përgatitur dhe publikuar në një kohë kur pothuajse nuk kishte filluar debati në shtypin dhe median shqiptare. Ato janë në një linjë me partnerët tanë strategjike: NATO, BE, SHBA, madje terminologjia e të shprehurit është më e moderuar, nga deklaratat tashmë të dala, nga diplomacitë e Uashingtonit, Parisit, Londrës dhe Berlinit etj. Më e shumta, profesori duhet të më akuzojë për “plagjiaturë”. Së fundi, unë si dhe ju, sapo kemi mbaruar një shërbim diplomatik në vendet elitare të botës. Nuk po ju bashkëlidh një “CV”, kjo për arsye vendi, por do desha t’ju thoja se, mbylla misionin me të tilla arritje, do të thosha, që do bënin këdo shqiptar të ndihej krenar dhe me dekoratën madhore të Presidentit Francez. Po ju zoti ish ambasador?

Miqësisht, Zaim Kuçi