Zaim KUÇI / Çfarë do kërkoja ndaj qytetarëve të mi me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë

746
Sigal

Kohët e fundit të gjithë jemi të mbërthyer në lëvizjet popullore mbarë shqiptare, qofshin këto po/jopolitike, me debate edhe të lodhshme televizive për të festuar sa më bukur përvjetorin e 100 të pavarësisë. Në respekt të asaj çfarë thuhet për këtë ngjarje historike, do të shtoja disa vlerësime apo dëshirë për ata që u japim privilegjin të jenë udhëheqës për vendin tim, për të shkuar së toku në këtë festë mbarëshqiptare sot dhe mot. Parë nga një përfaqësi disi larg nga politika, por nga një pozicion sjellje normale qytetare, se si do ishte më e pranueshmja paraqitje shqiptare në këtë dhe të tjerë përvjetorë, nga qytetari i thjeshtë me emër shqiptar, qeveritarë dhe deri në President Republike.

I racionalizova dëshirat e mia duke përdorur si model drejtimi “atë amerikan apo dhe francez”, si modele të gjithëpranuar. Bazuar në këto modele do të dëshiroja të rrokja, “si kërkesë e dëshiruar”,  për të gjithë ata qytetarë që nesër do të organizojnë përvjetorët e pritshëm shqiptarë, ata që do të quhen “qytetar i parë”, që vetë i zgjedhim dhe shpresojmë se na përfaqësojnë në të gjitha “shtyllat” e pushtetit…

Tashmë dihet që hapat për zhvillime të pritshme në një shoqëri me demokraci të krijuar apo në krijim, bazohen në përvetësimin e kritereve për – Besueshmëri të Klasës në Drejtim- , që fatkeqësisht në këto 100 vite ende ky “log” nuk ka zënë vendin e vet edhe pse kjo formulë pranimi për zgjidhje, tashmë funksionon si alternativa më e suksesshme në vendet që kanë dhe po ndërtojnë një demokraci reale. Në këtë prag 100 vjetori, edhe pse është shtuar pa masë dekori festiv, personalisht do të vlerësoja një komb më tepër se kurrë i bashkuar  dhe një politikë, fatkeqësisht konfliktuale.

Si do ta dëshiroja të niste dita për të festuar 28 nëntorin?

Shumë thjesht, herët në mëngjesin e datës 28, diku në sheshin “Skëndërbej” do të ngjitej  i pari në një autobus të ngjyrosur me flamurin kombëtar, presidenti i republikës, i ndjekur nga kryeparlamentarja e shoqëruar me deputetet e opozitës, vijuar nga Kryeministri me disa ministra, pak hapa mbrapa, kryetari i opozitës, e kështu me radhë….përfaqësuesit nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia dhe trupa diplomatike. Me këtë autobus miqësie, së toku të nisen drejt vendit ku u pagëzua pavarësia e kombit shqiptarë. Me këtë përzgjedhje dite, le të hyjmë ne shqiptarët me ambicie progresiste në shekullin që jetojmë, drejt Evropës së dëshiruar prej vitesh, të tregojmë vlera uniteti përkundrejt peshës së sjelljeve dhe opinioneve si keqshtetformues, të tregojmë vlera të një konkurrimi të hapur përkundrejt përkatësisë të grupeve që përfaqësojnë në mënyrë të padukshme politikën djathtiste apo majtiste, tashmë edhe të kontestuar nga/jo partiakët; të gjitha këto t’i bëjmë në respekt të dinjitetit tonë. Nuk është aspak e vështirë për të arritur dhe për ta bërë këtë ceremonial krenarie për popullin tim. Kam pasur rastin që gjatë misionit në Paris, ambasadori dhe unë, të ngjiteshim në avionin qeveritar “Republique Française” apo në trenin ekspres që vendosej në dispozicion të protokollit të mësipërm gjatë ceremonialeve të organizuara nga presidenti i republikës franceze. Gjatë udhëtimit apo fluturimit për në vendin e ngjarjeve të kombit francez, kjo mënyrë organizimi, edhe përse e konsideroja një shans që isha pjesë e kësaj kulture festive franceze, më sillte një ndjenjë revolte për vendin tim kjo sjellje e bukur franceze. Kaloja në kujtesë ditët e përçarjes shqiptare edhe kur organizonim një festë apo datë përkujtimore dhe zgjohesha kur mbërrija në destinacion…

Sa afër dhe larg jemi për të shkuar në këtë ditë?

Fatkeqësisht, populli im nuk e pret këtë model ceremoniali të dëshiruar në këtë 28 nëntor të shumëpritur, edhe pse kultura shqiptare është në lartësinë për të arritur në destinacionin e duhur. Për popullin tim, është ende e vështirë të qenurit bashkë, madje duket sikur edhe stinët në hapësirën shqiptare nuk duan të ndërrohen…. e megjithatë, shpresoj se do të vijë kjo ditë atëherë kur vendin e parë në këtë “autobus” ta gëzojë ai shqiptar që të ketë shpirtin e kombit të vet, i përzgjedhur dhe i besueshëm nga të gjithë shqiptarët; të ketë një stature korrektësie me sjellje të tipit “disiplinë ushtarake” i plotësuar në karakter me një ndjeshmëri të tipit “prind i të gjithëve”, duke vijuar dhe me udhëheqësit e tjerë të kudondodhur në strukturat e vendit tim.

Çfarë do të dëshiroja të mos ishte udhëheqësi i shqiptarëve në këtë ditë pavarësie?

Të mos jetë dhe konsiderohet pjellë e një produkti partiak. Nëse vërtetë do ta përziejmë udhëheqësin në mjediset e nxehta të politikës shqiptare, do të jete humbje dhe kthim mbrapa për demokracinë në Shqipëri, nuk do të arrijmë së toku në 28 nëntorin e dëshiruar. Në se udhëheqësi do të mbajë “erë” produkti partiak do të vijojnë “zakonet” të zakonshme shqiptare, lufta politike dhe më tej, do të vijojë komedia ndërpartiake “macja dhe miu”. Ka ardhur një kohë që, figurat e merituara partiake të sakrifikohen, duke pritur të ardhmen e tyre në një format tjetër drejtimi.

Çfarë profili do të dëshiroja të përfaqësonte udhëheqësi i shqiptarëve?

Në se do ta kërkoja profilin e udhëheqësit në historinë e vendit tonë, kjo më step dhe më hedh diku larg kufijve shqiptare, në modelin e SHBA, jo të ditëve tona, edhe pse nga përballja Obama dhe Romney, dolën leksionet moderne për zhvillimin e demokracisë botërore, por atë model që amerikanët zgjodhën në kohën kur ata ishin pa model presidenti. Amerikanët e atyre viteve zgjodhën modelin e presidentit të krijuar nga një gjeneral, Xhorxh Uashington, personalitet që rrinte larg politikës të asaj kohe, por i lidhur fort me interesat dhe virtytet e popullit amerikan.

Përse ky model?

Shqiptarëve i duhet ky model udhëheqësi për të fshirë një herë e përgjithmonë mentalitetin përjetësues të figurave në drejtimin e shtetit, në të gjitha strukturat gjithëpërfshirëse të tij.

Përse e admiroj këtë model udhëheqësi? Edhe pse ishte i suksesshëm, i shumëkërkuar për rikandidim mbas përfundimit të mandateve, ai e refuzoi atë. Ai u largua nga pushteti dhe zgjodhi pensionin.  Le të fillojë ky qytetërim edhe pse me vonesë në kohe, tek udhëheqësit shqiptarë, si model sjellje për ministrat dhe kryeministrat aktual dhe të ardhshëm të RSH.

Përse zgjodha këtë model? Me këtë model në fakt jemi në një situatë paralele, si në kohe dhe sjellje me atë të amerikaneve të atyre viteve, edhe pse jetojmë në vitin 2012, ka domethënie historike, nëse vërtet nxjerrim mësime nga historia shumëvjeçare dhe kemi vullnetin e mirë për të ecur përpara. Faktet historike flasin dhe kërkojnë për një ndryshim në qëndrim ndaj drejtimit të vendit, të përvetësojmë atë çka na frymëzon dhe të largojmë atë që na kthen mbrapa në kohë.

Gjithmonë ka një fillim të ri. Duke u kthyer tek shembulli i presidentit Xhorxh Uashington, atij i atribuohet thënia “Nuk luftova kundër një mbreti, për t`u bërë mbret vetë”. Kjo thënie, le të jetë një reflektim në të gjitha nivelet e drejtimit të shtetit shqiptar, për të dalë nga  sjellja arkaike tipike lindore, të mos heqjes dorë nga pushteti deri në gremisjen e fundit të frymës mbi dhe.

Çfarë do të dëshiroja të përfaqësonte udhëheqësi i shqiptarëve në këtë përvjetor?

Të na përfaqësonte të gjithë ne, shqiptarët, të kudondodhur brenda dhe jashtë kufijve.

Si do të dëshiroja të fillonte ditën e punës udhëheqësi i shqiptarëve pas 28 Nëntorit?

Këtë dëshirë do desha ta zhvilloja si informacion të spostuar diku në Paris, kohe kur isha në mision atje. Më befasoi Presidenti Francez Sakrozy, që i sapozgjedhur në këtë detyrë, në ditën e marrjes së pushtetit ia kushtoi veprës të një djaloshi komunist Guy Moquet. Dëgjova të recituar bukur dhe shumë prekës nga një liceiste franceze letrën e djaloshit komunist 17 vjeçar shkruar nga Ai në momentet e para pushkatimit. Presidenti i përlotur nga fjalët e këtij djaloshi udhëzoi që kjo letër të lexohej çdo fillim viti shkollor në France.

Në ato momente ceremoniale u ndjeva keq. Ishte pikërisht ajo kohe kur në një emision televiziv shqiptare pashë një masakër ç’njerëzore në vendet ku prehen figurat madhore të popullit tonë,ata ishin shumë: mendimtarë, patriote, luftëtare, rilindës, mësues, dëshmorë të luftës e tjerë. E pakuptueshme kjo sjellje vandale dhe indiferente e popullit dhe e shtetit tim, të përfaqësuar nga mozaik ngjyrash politike, ndaj këtyre mite frymëzimi për të gjithë shqiptarët. I kemi trazuar padrejtësisht dhe atje ku janë, me shumë dhimbje por më duhet të shprehem, i kemi rivrarë…le të kthejmë këtë dinjitet të humbur udhëheqësit tanë të frymëzuar nga ky 28 nëntor i këtij viti.

Cili do të dëshiroja të ishte fjalimi i udhëheqësit në këtë përvjetor?

Para se gjithash të listonte pa përjashtim të gjitha sukseset, sadopak të arritura nga paraardhës që kanë udhëhequr këtë vend, të jepte mesazh vazhdimësie për shtetin dhe kompromisin progresiv, të mos ç’bënte atë që është bërë, shumë apo pak e kushtueshme qoftë ajo dhe të përfundojë diskurin me fjalën “transparence” zhvillimi për popullin e tij , fjalë e cila na ka munguar në shumë e shumë vite.

Cila do të dëshiroja të ishte intervista e parë e pas 100 viteve pavarësi?

Pak ditë më parë lexova romanin “Shkëndija e jetës” të Remarkut, ku u ndala në pyetjet e personazhit të zgjedhur aq bukur nga ky autor: “Çfarë jeni ju zotëri, komunist?- Jo përgjigjet tjetri, nuk jam komunist. Social demokrat?- jo, as i tillë. Po i majtë atëherë, çfarë jeni?  Nuk jam as i majtë as i djathtë, por jam njeri, nuk mjafton kjo. Një nga pyetjet që do të dëshiroja t’i drejtoja udhëheqësit tim do të ishte. Çfarë mesazhi do t’i drejtoheni shqiptarëve në hierarkinë drejtuese të shtetit tonë dhe çfarë pozicioni politik do të mbani Ju zoti udhëheqës gjatë misionit tuaj në vazhdim? Dhe, do të dëshiroja që ai të më përgjigjej: nuk kam përkatësi partiake, jam një shqiptar dhe do të jem udhëheqës i të gjithë shqiptarëve, gjatë këtij misioni do të luftojë dhe kërkojë vlera tek çdo drejtues, deri në ditën e fundit të mandatit tim.

Cili do të dëshiroja të ishte veprimi i parë pas 28 nëntorit ?

Udhëheqësit tanë, të njihem me dosjen e plotë të nivelit të varfërisë të njerëzve të vendit tim dhe të tyre. Merrni të dhëna të plota mbi numrin e bashkatdhetarëve të mi të kudondodhur në emigrim, me qëllim që në fund të mandatit tuaj të këndohet  pak kënga e kurbetit. Dhe pasi të njiheni me këto, do t’ju këshilloja: të mos listoni arritjet, sukseset se ato janë të prekshme dhe të vlerësuara çdo ditë e jave nga vet populli; por të flisni se çfarë duhet bërë që nesër të jemi më mirë, në se veproni kështu, keni afruar moral, punë, mirëqenie dhe siguri; mbi të gjitha keni prezantuar vendin e tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë bëri dhe presidenti i sapo emëruar francez edhe pse francezëve nuk u mungon gjë në se e vlerësojmë me barometrin tonë.

Me çfarë do të dëshiroja të vijonte punën udhëheqësi i shqiptarëve pas këtij përvjetori historik?

Të fillojë dhe të përfundojë mandatin me një devizë të vetme. Drejtësi për të gjithë. Të jetë i fortë dhe i ashpër kundër çfarëdolloj padrejtësie që bëhen në kurriz të popullit të vet, qofshin këto të shkaktuar nga strukturat e shtetit, të pavarura dhe ato të individëve.

Çfarë do t’i këshilloja udhëheqësve në këtë përvjetor të shumëpritur shqiptar?

Një këshillë e thjeshtë rutine: Të punojnë dhe drejtojnë me këshilltare zyrtare dhe jozyrtare, së bashku me ta të respektojnë mendimet elitare shqiptare, tashmë të formuar edhe në botën perëndimore. Shqipëria ka nevojë më shumë për vizion “të urtësh” të së  ardhmes, se sa për  “të fortët” e të shkuarës. Diku është thënë: “Për të mbijetuar, ne duhet të kemi ide, vizione dhe kurajë”, këto gjenden pikërisht tek intelektualët. Udhëheqës, përvetësoni dhe promovoni, mendimet dhe analizat e tyre duke i vektorizuar drejt së ardhmes me ato që ju mendoni të bëni për vendin Tuaj.

Çfarë pres të dëshirueshme?

Më shumë se 100 vite më parë (v.1911) “ Nju York Tajms “ shkruante se shqiptarët fizikisht janë raca më e mire në Europë, të përsosur dhe te talentuar…në atë kohë kjo gazete analizonte situatën dhe se fajin e shqiptarëve e lidhte me shkallën e pamjaftueshme të qytetërimit, dhe se të gjitha këto të çonin në argumentin se ata me vështirësi pranojnë idenë e shtetit. Më e keqja e analizës të asaj kohe, të kësaj gazete ishte se, shqiptarët fisin e kishin si shkallë organizimi  të tyre më të mirë, më të lartë dhe se, këtë e quanin shtet. Udhëheqës, e dhimbshme kjo analizë e bërë diku njëqind vite më parë nga kjo gazetë, por është disi e vërtetë edhe për kohen sot. Në këtë post pavarësie, a do ta shëroni këtë sëmundje “disi të vërtetë”…edhe pse akuza për shkallën e pamjaftueshmërisë të qytetërimit të popullit tonë nuk jeton më?.

Si do të dëshiroja t’i uroja udhëheqësit në këtë 28 nëntor?

 Të nderuar zotërinj udhëheqës, merrni përgjegjësinë personale për vendin tuaj. Mos harroni se ajo nuk është vetëm përgjegjësia e juaj. Tek ju jemi të gjithë ne, shqiptarët. Ju mund të mos ndryshoni dot stinët, por ju mund të ndryshoni veten, domethënë edhe neve, Shqiptarët, Shqipërinë.

Do t’i uroja të gjithë shqiptarëve që drejtojnë dhe do të drejtojnë vendin tim, përherë të kujtojnë për të mosgabuar, atë që presidenti Obama iu drejtua amerikanëve pas rizgjedhjes: Më e mira nuk ka ardhur ende.