Ymer MINXHOZI/“Riciklimi” i kolaboracionizmit

679
Sigal

Shtatëdhjetë e dy vjet më parë, me datë 17 dhjetor 1942, tre fuqitë e Mëdha të Koalicionit Antifashist Botëror-BS, SHBA dhe Anglia, me deklarata zyrtare, njoftonin opinionin botëror se njihnin luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë dhe për pavarësi kombëtare. Tani e tutje edhe zyrtarisht Lufta Nacionalçlirimtare e popullit tonë njihej si pjesë përbërëse e rezistencës së popujve kundër murtajës fashiste që kërcënonte mbarë njerëzimin. Ky akt i parë ndërkombëtar i Fuqive të Mëdha të Botës u prit si një inkurajim i jashtëzakonshëm nga të gjithë shqiptarët patriotë e liridashës dhe forcoi besimin në fitoren mbi fashizmin. Tani e tutje, shqiptarët mund të besonin me të drejtë se përpjekjet dhe lufta e tyre nuk do të shkonin kot, nuk do të sabotoheshin nëpër kulisat dhe traktatet e fshehta siç kishte ndodhur shpesh gjatë historisë së tyre. Shqiptarët, pas fitores mbi fashizmin, do të ishin më të lirë të ndërtonin të ardhmen e tyre dhe kufijtë e Shqipërisë nuk do të mund të përdoreshin, tani e tutje, si plaçkë tregu në pazaret midis fuqive rajonale. Historia e Shqipërisë kishte hyrë në një hulli të ri. Kështu u pritën dhe u interpretuan deklaratat e 17 dhjetorit 1942, nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe të gjithë ata që e kishin të shtrenjtë çështjen kombëtare. Krejt ndryshe ndodhi në kampin e bashkëpunëtorëve të okupatorit ose kolaboracionistëve, siç u cilësuan në literaturën botërore. Mënyra se si reaguan kuislingët Mustafa Kruja, Ernest Koliqi dhe gjithë lukunia e shërbëtorëve të fashizmit ndaj Deklaratave të 17 dhjetorit 1942 tregoi se ata nuk kishin asgjë të përbashkët me interesat e popullit shqiptar, ata e kishin shitur nderin dhe ndërgjegjen kombëtare tek okupatori fashist. Ata vollën vrer kundër qeverive dhe ministrave të Jashtëm të Anglisë, SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Ndërsa Duçes dhe Hitlerit i thurën aq shumë lajka e lëvdata, sa edhe bufit mund t’i skuqeshin veshët. Kuislingët Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi nuk hezituan të thonë edhe se “populli shqiptar dhe populli italian janë vëllezër prej nëne dhe prej babe”. Të kapur nga paniku i përhapjes së lëvizjes partizane në të gjitha krahinat e Shqipërisë, të tërbuar nga mbështetja që merrte Lëvizja Nacionalçlirimtare prej Fuqive të Mëdha të Botës, Kruja dhe Koliqi mblodhën në Tiranë, më 23 dhjetor, Këshillin e Lartë Fashist Korporativ dhe shpallën një fushatë të gjerë në të gjithë vendin për të mbledhur deklarata e protesta, gjoja në emër të popullit, ku të hidhej poshtë Deklarata Anglo-Sovjeto-Amerikane, duke e cilësuar atë si fyerje e cenim të sovranitetit të Shqipërisë. Me anë të këtyre deklaratave të protestës do të mbështetej përsëri e përsëri bashkimi i Shqipërisë me Italinë fashiste dhe se ky bashkim do të ruhej me çdo sakrificë. Në zbatim të këtij vendimi dhe të urdhrave që dha qeveria e Mustafa Krujës dhe Ernest Koliqit, në shumë krahina të vendit, autoritetet e nënprefekturave, që ishin struktura të qeverisë kuislinge mblodhën disa renegatë, të cilëve u vunë përpara tekstet e përgatitura në zyrat e Mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanuelit të Tretë. Si shembull, po sjell këtu mbledhjen që u organizua ato ditë në Burrel, nga nënprefekti i Matit, Hafuz Hasa, një fashist i përbetuar, ndërsa ishte dhe hoxhë. Ai thirri disa nga paria dhe njerëz të degraduar dhe firmosën deklaratën e mëposhtme që u botua në gazetën fashiste “Tomorri”, të datës 28 shkurt 1942. Kjo deklaratë e turpshme u nënshkrua nga 17 veta.

“Ne përfaqësuesit e të gjitha klasave të popullit të Matit, të mbledhur sot këtu para Bashkisë, mbasi kishim marrë njoftim mbi deklaratat e ministrave Iden, Kordel Hull dhe Molotov, në kundërshtim me të drejtat tona më të shenjta dhe me tërësinë etnike të Kombit shqiptar, shfaqim indinjatën dhe neverinë tonë më të madhe. Neve, të një mendimi me shpalljen e Këshillit të Epërm Korporativ Fashist, jehonë e vullnetit të popullit shqiptar, protestojmë njëzëri dhe ndjehemi më të bashkuar dhe të vëllazëruar me aleatin tonë të madh, popullin italian. Duke marrë parasysh se të drejtat tona më të shenjta mbërritën me u realizua në sajë të këtij bashkimi vëllazëror, betohemi se kemi me u bërë fli për të siguruar ngadhënjimin e fundit”.

+++

Këto ngjarje tashmë i përkasin të kaluarës shtatëdhjetëvjeçare. Mirëpo, për fat të keq sot shqiptarët po përjetojnë një ringjallje të simptomave të fashizmit, të veshur me petka “demokratike”. Ndërsa Fuqitë e Mëdha të Botës e njohën zyrtarisht kontributin e Shqipërisë në ndeshjet me nazi-fashizmin, Kryeministri i sotëm shqiptar, për habinë e të gjithëve dhe për turpin e vet, u bashkua me kolaboracionistët e dikurshëm dhe refuzoi publikisht të vinte një kurorë më 29 nëntor në Memorialin e Dëshmorëve të rënë në betejat e Luftës së Dytë Botërore, për çlirimin e atdheut. Ai e fyeu publikisht luftën që e nderoi Shqipërinë, atë luftë patriotike që i siguroi Shqipërisë pavarësinë dhe aleancën me forcat përparimtare e liridashëse. Edhe pse 29 Nëntori njihet në Kushtetutë si Dita e Çlirimit të Atdheut nga pushtimi fashistë, kryeministri është i detyruar ta respektojë këtë festë zyrtare. Ai tha se përveç kryeministrit, është edhe kryetar i partisë së tij. Në këtë mënyrë, kryeministri na e tha shqeto se partia e tij nuk e njeh Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, pra si rrjedhojë, partia e tij dhe ai vetë mbajtën qëndrim të njëjtë me ata persona që nënshkruan deklarata proteste, si ajo që u citua më lart. Ndërsa, kështu na del se Fuqitë e Mëdha të Koalicionit Antifashist Botëror paskan gabuar me njohjen e Luftës Antifashiste shqiptare. Për pasojë kuislingët apo kolaboracionistët (le të quhen si të duan), nuk duheshin dënuar. Ashtu siç u veprua në gjithë vendet e Evropës, por duhen “ricikluar” (ashtu siç mund të riciklohen të gjitha llojet e plehrave), duke i transformuar në “patriotë”, sepse ata paskan pasur të drejtë që bashkëpunuan me okupatorin. Shkurt, tradhtia kombëtare duhet ngritur në piedestale! Kështu mund të shpjegohet edhe fakti që ajo pjesë e programit të festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, që u hartua dhe u zbatua nga qeveria, u shoqërua me një numër absurditetesh të natyrave nga më të ndryshmet. Por sipas mendimit tim, absurditeti më i madh i këtij ishte përgjysmimi i historisë sonë Njëqind vjeçare. U mënjanuan thuajse të gjitha ngjarjet që kanë pasur vend në truallin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe pasojat që rrodhën prej tyre. A mori pjesë populli shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, apo ndenji sehirxhi? Në cilin kamp u radhitën shqiptarët në ndeshjen më të madhe që ka njohur njerëzimi? Meqë po flasim për Pavarësinë Kombëtare, kush luftoi për ta mbrojtur atë pavarësi që u fitua me 28 Nëntor të vitit 1912 dhe që na e shkelën dy agresorë fashistë më 1939? Iniciatorja dhe organizatorja kryesore e Luftës Nacionalçlirimtare në ato vite të turbullta e me përgjegjësi historike, ishte Partia Komuniste Shqiptare. Komunistët dhe pjesa më e zgjedhur e patriotëve e shqiptarëve e kuptuan se Shqipërisë do t’i duhej të kalonte përmes gjakut dhe zjarrit që të fitonte një paqe të drejtë, pas luftës. Dhe si rezultat Atdheu ynë, doli në anën e fitimtarëve. Sa i përket kolaboracionistëve të fashizmit, ata vetë e përgatitën fundin e tyre, të turpshëm dhe s’kanë asnjë të drejtë t’i ankohen kurrkujt. I fituari me fitimtarët, i munduri me të mundurit. Kjo është logjika e hekurt e historisë dhe ajo nuk mund të ndryshojë, duke shkatërruar muzeumet, shembur monumentet apo duke shpikur “heronj” pas betejës. Qëndrimi ndaj pushtuesit të huaj dhe Pavarësisë Kombëtare është guri i provës për çdo qytetar, për mirë apo për keq. Mungesa e Sali Berishës dhe partisë së tij tek Memoriali i Dëshmorëve të Kombit në 29 Nëntor, nuk ia heq as edhe një gjethe kurorës së Lavdisë të atyre djemve dhe vajzave që dhanë jetën për lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut. Lavdia dhe tradhtia janë ndeshur gjithmonë me njëra-tjetrën kur ka qenë fjala për sakrifica në emër të Atdheut, por lavdia asnjë herë nuk ka humbur, ndërsa tradhtia në fund të fundit, gjithmonë është mbuluar nga pluhuri i harresës.