Ylljet Rexhepi/ Emërimet nepotiko – familjare kanë shkatërruar administratën

57
“Rilindja” e ka ndjerë se pavarësisht fluksit të reformave, situata e emërimeve në administratën shtetërore është përkeqësuar ndjeshëm. Bile, sipas opinionit të të gjithë komunitetit, as nuk mund të krahasohet me administratën e dy viteve më parë. Ndaj “Rilindja” po bën përpjekje për të na mbushur mendjen se po kryen një varg reformash, aq sa tashmë ato po vihen edhe në lojë nga populli i zhytur në mjerim. Këtë e dinë edhe kryerilindasit, që kanë paralajmëruar një reformë në administratë. Bile për këtë PS ka paralajmëruar ngritjen e një grupi pune që do të kujdeset për punësimet në drejtori të ndryshme të piramidës së administratës publike. Grupi do të merret me punësimin e anëtarëve e simpatizantëve të PS-së që janë të papunë dhe kanë mbetur krejt të pakënaqur nga puna e deritanishme e strukturave drejtuese të partisë. Pra, punësimi i militantëve do të shërbejë për menaxhimin më të mirë të pakënaqësisë në rritje të bazës së partisë, pra si fillim i përgatitjeve për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017. 
Pra, vërehet që punësimi do të kryhet vetëm për të ulur mllefin që ka zënë bazën e partisë e jo për të punësuar më të aftët e më të përgatiturit. Punësimi që po përgatitet nuk përmend askund konkurset, apo testet për evidentimin e më të përgatiturve. Por, siç thotë populli, partia kërkon kësisoj, “të lajë mutin me shurrë”. Kjo shprehje popullore tashmë përmendet më së shumti në rajonin verilindor, ku varfëria e mjerimi janë të gjithëpushtetshëm. Sepse, sërish të gjithë e besojnë se gjithçka do të vendoset në favor të ndonjë anëtari të familjes,në pushtet, apo ndaj ndonjërit që paguan me shumë, siç ka ndodhur deri tani në të gjithë administratën shtetërore. 
Konkurset dhe Testimet në administratën shtetërore, mashtrim i pastër 
Konkurset dhe testet tashmë i kanë mbetur historisë. Pjesëmarrja në konkurset e organizuara për vendet e reja të punës vetëm sa të nervozojnë. Pasi gjithnjë fituesi është paracaktuar. Ai është një i afërm i drejtorit, i prefektit apo i deputetit të zonës. Tashmë një gjë të tillë e dinë të gjithë. Se ndodh kështu, pa tashmë është ngritur grupi i punës që të punësojë militantët e jo ata më të aftët e mbetur pa asnjë përkrahje. Pasi deri tani janë punësuar vetëm anëtarët e familjes, ndërsa militantët kanë mbetur prapa listës. Ndërsa tani, më të aftët sërish ashtu do të mbeten: të papunë. Në realitet, situata sa shkon e rëndohet më tepër. Veçanërisht në qarkun verilindor të Kukësit, ku papunësia është mbi 30 për qind e forcave të afta për punë, ndërsa papunësia në moshën 15 – 29 vjeç arrin në mbi 50 për qind. Kjo ka bërë që korrupsioni të bëhet alfa e të gjitha emërimeve në administratë. Lidhjet nepotiko – familjare dhe ato politike e kanë kthyer administratën shtetërore në një çerdhe që strehon lukuninë e paaftë të mashtruesve që sot drejtojnë rajonin verilindor. Është kjo arsyeja që besimi se do të mund të zgjidhësh ndonjë problem në administratën shtetërore thuajse ka humbur krejtësisht. Ndaj kush ka ndonjë hall për të zgjidhur, njëherësh zgjidh edhe qesen për t’ia afruar nëpunësit të shtetit të sotëm. Nepotizmi thuajse ka lënë jashtë konkurrimit të gjithë të aftët që të vetmen mangësi kanë se nuk kanë ndonjë familjar as drejtues të ndonjë institucioni, apo të ndonjë partie të koalicionit qeverisës. Është një realitet i turpshëm, që PS – LSI-ja e zhvillojnë më tej në mënyrën më të paturpshme. Aq sa në duart e komunitetit qarkullojnë listat e të punësuarve në të gjitha administrata shtetërore që janë të gjithë anëtarë të një familjeje. Aq e paturpshme është situata, sa askush tashmë nuk beson se kjo PS – LSI mund të ndryshojë ndonjë gjë në favor të komunitetit. Sepse situata njihet si nga Edi Rama, ashtu edhe nga Ilir Meta. Të dy janë hartuesit kryesorë të ndërtimit të një shteti me administrate familjare, ku shumica e saj di vetëm të firmosë në bordero, po nuk di se ç’punë duhet të bëjë. Kjo është situata lakuriqe që mbizotëron në rajonin verilindor. Aq sa edhe i vetmi deputet që në fushatën elektorale përbetohej se do të merrte një banesë me qira në qytetin verilindor për t’iu gjendur banorëve pranë, tashmë ka harruar të vijë në qytet. Sa herë ka nevojë të takojë hyzmeqarët e tij drejtorë i thërret në një lokal anës autostradës, rreth 2 kilometra larg qytetit. Lokalin e dinë të gjithë banorët e qytetit, vetëm deputeti nuk e di se tashmë i ngjan një loloje. Kjo situatë groteske është e njohur nga dy kryerilindasit që kemi në krye. Ata heshtin, pasi vetë ata kanë vënë në krye të qosheve të nxehta dikush vëllanë, dikush babanë, dikush motrën,dikush hallën. Bile në qoshe të ngrohta kanë vënë edhe macet e shtëpisë. Ndaj duhet kontrolluar se kush paguhet tashmë në administratë. Sepse nuk përjashtohet mundësia të paguhen edhe persona që prej vitesh janë në emigracion. Çfarë nuk po ndodh në rajonin verilindor.
Tashmë ka rezultuar se, konkurset ishin një mashtrim i pastër, ndërsa administrata u mbush me shpejtësi me vëllezër, halla, teze e kushërinj të drejtuesve partiakë e deputetëve. Apo në rrethin e Kukësit edhe me të afërm të një grupi idiotesh që polli mëndja e çoroditur e PS-së, të mbiquajtur “G- 5” (grupi i të pestëve) që analizon dhe merr vendime për çdo ndryshim që kryhet në administratë. G – 5 nuk ka lënë ndonjë cep të jetës së kuksianeve pa e ndotur. Ndërsa socialistët e thjeshtë, të mashtruar e të lënë krejtësisht jashtë sofrës tashmë vetëm nxjerrin klithma mallkimi. Sepse mbetën të braktisur, edhe pse punuan pa reshtur gjatë fushatave elektorale. Janë të habitur, sepse tashmë partia e tyre nuk ka asnjë anëtar ta kandidojë, kur të afrohet fushata elektorale. Siç ndodhi për pushtetin vendor 3 muaj më parë. Në mungesë të kandidatëve të saj PS – LSI kandiduan për Kukësin ish kryetarin lokal të PD-së, ndërsa për Tropojë, ish nën kryetarin lokal të PD-së. Natyrisht një turp që komuniteti vështirë do ta harrojë ndonjëherë, edhe pse në të dy bashkitë monstra e çuditshme pësoi humbje. Tashmë duket se çdo lëvizje kryhet në kurriz të komunitetit, bile edhe të socialistëve, të cilët të zhgënjyer janë të parët që kërkojnë ndryshimin e situatës. Por jo përmes një grupi të emëruar nga lart, siç po ndodh. Pasi ky lloj grupi i ngjan G – 5-s, ndali i tremb militantët e pafajshëm e të mashtruar. Emërimet nepotiko – familjare kanë sjellë edhe shtrirje të gjerë të korrupsionit. Korrupsioni tashmë bëhet krejt hapur. Gjithsecili kërkon të mbarojë një punë të vogël dhe nuk bëzan për shumën e parave që paguan. Tashmë nuk bëhet fjalë për të vërteta, apo për moral. Të gjithë besojnë se, në këtë vend moralit I ka humbur vula. Kështu ndodh përderisa është fakt I njohur privatizimi i gjithë administratës nga lidhjet familjare-politike. Kësisoj nuk bëhet fjalë për efektivitet të punës, por për braktisje të interesave të shumicës së braktisur gjithandej dhe të mbërthyer nga varfëria dhe mjerimi. Emërimet nepotike thuajse e kanë shkatërruar gjithë administratën. Edhe pse fenomeni është i prekshëm kryerilindasit qëndrojnë indiferentë. Sepse janë të paaftë ta shërojnë këtë sëmundje, të cilën e infektuan vetë në trupin e gjithë administratës shtetërore menjëherë pas 23 qershorit të vitit 2013.