Ylli Dylgjeri/ “Zëri i Amerikës”, zëri i Ambasadorit Lu…dhe zëri im

504
Zëri i Ambasadorit Donald Lu: 

Të them të drejtën, nuk jam polic, as nuk jam ekspert për botën e krimit. Si njeri që ka jetuar këtu një vit, do të thosha se ekzistojnë disa lidhje serioze midis këtyre dy botëve dhe ka shumë rëndësi për të gjithë shqiptarët, që të mbështesin procesin e ndarjes së këtyre dy botëve. Kam punuar në vende të tjera ku, kriminelët përpiqen të shërbejnë në parlament, ose në politikë për hir të imunitetit që përfitojnë nga kjo. Por në një vend normal, në një demokraci normale, asnjë kriminel nuk dëshiron të jetë në politikë. Kjo është diçka e keqe për biznesin, tërheq vëmendje të aktivitetet kriminale. Këtë duam ne që të ndodhë në Shqipëri, pra që kriminelët të thonë: Do t’i bëja dëm punëve të mia, po të futesha në politikë. 
Zëri im:

Dakord zoti Ambasador. Ju mbështesim. Por, po ju mbështesim Ne. Kush jemi? 

Ne jemi, unë, komshiu im, shitësi i bulmetit, kamarieri i kafesë “Mistik”, pensionisti Mezan, studentja Jozela, hidrauliku Beso, taksisti i 333333, frend-si Xhafka në FB, etj, e shumë të tjerë, që s’kemi gjë në dorë. Por, kemi vetëm dorën! Ndërkohë Ju, vetë e thoni se “nuk jam polic”, “as nuk jam ekspert për botën e krimit”… T’u ndihmoj pak zoti Lu? Edhe unë nuk jam polic. Por, pak kohë kemi punuar në sektorët e krimit dhe kemi mësuar shumë. Kemi mësuar se mungon shumë për të arritur atë që Ju premtoni se do ta zgjidhni me milionat që shteti amerikan ka vënë në dispozicion për trajnimin e oficerëve të rinj, të luftës kundër krimit. Unë mendoj, se sërish milionat Tuaja nuk mjaftojnë. Para do vitesh, policia britanike ESSEX, ofronte miliona për të dërguar në Londër një oficer shqiptar, për të hyrë i kamufluar në rrjetet shqiptare të krimit. Dhe ne, shteti, nuk i përgjigjeshim dot me kandidaturë, se i zhduknin familjen, nga që s’dimë të mbajmë sekretin. Nuk mjaftojnë edhe se është politika që Ju takoni çdo ditë, që i administron këto miliona. Tjetër. Nuk mjaftojnë milionat, edhe se janë pak a shumë njëlloj me milionat e hedhura nga lart në formë predhash në vendet arabe. E sërish në këto vende mësojnë me kuranin në shkop, e plasin ku mundin me Allahun në gojë. Po të hidheshin për progres ekonomik do ishte si në vendet Tuaja. Janë investimet zoti Ambasador! Janë investimet më të vlefshme se trajnimet në luftën ndaj krimit. Besoj se duhet ta dini se akoma edhe sot vendi im nuk ka një marrëveshje të shkruar të Bashkëpunimit Ekonomik me SHBA- në. Ka marrëveshje me mbi 80 vende. Normale është? Tjetër. A e dini Ju, apo a keni statistika sa miliona janë hedhur deri më sot në polici për këto trajnime? Qindra mijëra çdo vit. Ku janë njerëzit që kanë përfituar në vite prej tyre? Nuk dihet? Pse? Sepse s’ka stabilitet politika që Ju takoni çdo ditë. Sepse s’ka më memorie institucionale. Sepse s’ka data baze e prognoza personeli. Sepse shpiken çdo vit raporte të reja punësimi meshkuj – femra. Sepse përsëri i nxjerrin në ekranin e TV-ve të akuzuarit pa marrë fajësinë. Fjala vjen: Ku do t’i gjeni njerëzit për trajnim për në Byronë e Hetimit? Keni pyetur në SHKB-në e M. Brendshme, se a ka ngelur oficer krimi apo rendi pa u bërë pis në këtë vend? 
Po të ketë mbetur ndonjë… del se është me PD, ose nuk është i yni. Politika ju thotë sërish se reformat bëhen për herë të parë. Dhe Ju besoni. Duhet luash më mirë z. Lu. Ju sërish besoni se Ne mund të bëhemi. 
Faleminderit.
Zoti qoftë me Ne, zoti Ambasador. 
Por këtë herë, duhet të jetë edhe me Ju.
Sigal