Xhevdet Zekaj/ Plazhi dhe marrëzia totale e mediokritetit turistik…

702
Sigal

Institucionet e shtetit duhet të shikojnë se si kasaphana mediokre dhe anti-shteti funksionon në një të ashtuquajtur fshat turistik

Kushdo pas një periudhe kohe lodhje, stresi, kohë të keqe, netësh pa gjumë i lumturuar thur  ëndrra për pushimet e radhës së verës. I ngopur nga reklama dhe publiciteti pa fund i medias për mrekullinë e bregdetit shqiptar, i përhumbur në përpjekjet maksimale serioze të kësaj maxhorance  që përpiqet të rregullojë çfarë të mund në këtë masakër 25- vjeçare në bregdetin shqiptar. Deri këtu asgjë e re dhe as kjo, që do t’ju tregoj më poshtë nga përjetimi brenda një fshati turistik nga hyrja deri tek thellësia e detit.

Së pari për të shkuar tek Mali i Robit është shumë mirë dalja nga e autostrada Durrës-Kavajë, por për t’u kthyer ajo të detyron të bësh deri 8 km  për t’u futur në autostradë nga Kavaja, ose nëse do marrësh rrugën dytësore do të provosh një eksperiencë që mos e provofsh kurrë. Zgjidhja: një nënkalim, ai thjeshtë, aty ke Mali i Robit apo tek rrethrrotullimi i fshatit Golem, një bashkim me autostradën, e cila do të shmangte atë trafik të çmendur apo të rrezikshëm të rrugës dytësore.

Sapo merr rrugën drejt fshatit ngjitur me MAK Albanian, Vorteks   gjëja më  e shëmtuar dhe amoralitetit mendor e shtet- funksionues është një kanal i ujërave të bardha, i tillë në të gjitha dokumentet zyrtare, por i kthyer në kanal të ujërave të zeza nga banorë të ardhur e vendas, nga pronar hotelesh dhe komplekse… Kallamat dhe shkurret nuk mund të fshehin as turpin e zi të atyre që e kryejnë këtë derdhje ujërash të zeza dhe as aromën e keqe për të të thënë mirë se erdhe në ferr-bregdet, pushime të vuajtura dhe këtu fillon mediokriteti moral, shtetëror, bashkëjetesa publike etj…

Nuk kam ndërmend të flas për tarifat e kripura të ujësjellësit, natyrisht, fare të kripura të palogjikshme dhe përse sahatet që ka vendosur dhe kontrollon e administron kjo kompani, as për energjinë elektrike e faturat, as për  atë copë rrugë të bërë para një viti, por e papërfunduar dhe me një kanal të  ujërave të bardha, ku të mbyt era e urinës dhe fekales.

Sapo futesh në fshatin turistik të vrasin sytë vilat luksoze, të cilat në çdo vit apo behar mundohen të fitojnë disa centimetra pronë më shumë nga prona publike, disa rrugë mjerane brenda tij, me pluhur të pashtruar dhe të shpërfytyruara nga zaptimi i pronës publike të përbashkët për komunitetin sa të kujton se, jemi në periudhën e terrorizmit urbanistik, apo idesë se kemi atë mentalitet të rrëmbejmë sa më shumë nga prona e tjetrit si shpellarë të ardhur në një të ashtuquajtur fshat turistik me intelektualë, me të pasur, me pronarë e përse jo dhe zyrtarë aktualë.

Ka një ligj për bashkëjetesën publike me administrator dhe rregulla të qarta, ka një Polici Ndërtimore, ka Polici Pyjore, ka Polici Bashkiake, ka INUK, ka Agjenci Kombëtare të Bregdetit  e çfarë institucionesh nuk ka, por le të shikojmë se si kasaphana mediokre dhe antishteti funksionon në një të ashtuquajtur fshat turistik i ndërtuar me vila dhe ndërtesa 3-katëshe.

Së pari as që bëhet fjalë për jetë komunitare me administrator apo funksionimin e Ligjit Nr.10 112, datë 9.4.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, i cili thekson se :…   të detyrueshme, përcaktimin e subjekteve, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe me të tretët, të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella, si dhe sanksionet përkatëse, në rast mospërmbushjeje të këtyre detyrimeve.

Kaq për të kuptuar anormalitetin e normalitetit se, kemi ligje të mira, por organet ligjzbatuese as e rruajnë fare për zbatimin e tyre e aq më pak komuniteti apo ne, shqipot…

Në këtë fshat ka me dhjetëra pisha të prera e të thyera nga dora e njeriut, një dëm kolosal për gjelbërimin apo dhe vetë ekosistemin kolektiv, ka gardhe të shtuara pafundësisht, duke u zgjeruar nga dhjetë cm deri në dy metra a më shumë në dëm të pronës së gjithë komunitetit me një psikologji kanibale e mjerane të këtyre personave që vjedhin, shkatërrojnë dhe as ndëshkohen dhe as detyrohen të kthehen tek kufijtë real.

Sinqerisht është për të qarë e qeshur me njerëz që, edhe trotuaret e ndërtesave 3-katëshe i kanë zaptuar, rrethuar, apo në rastin më të mirë prishur dhe mbjellë me pemë,  me çfarë logjike apo ndjesie ata e dinë dhe gjithë komuniteti që hesht.

Më tej në të gjitha kontratat e shitblerjes dhe të noterizuara thuhet se 1/6 e pjesës rrethuese të ndërtesave  i përket çdo blerësi të një apartamenti, por jo vetëm rrethimi i kësaj sipërfaqeje nga personat e katit të parë, por skandali i vërtetë është se pjesa e gjelbër është kthyer në shtesa e beton a thua nuk mjafton betoni i qytetit ku jetojnë. Çfarë arrogance! Çfarë mediokriteti! Çfarë mjerimi njerëzor dhe individualiteti shpellar! Por të gjitha e kanë burimet tek mungesa e shtetit dhe dhëntë zoti që Ardian Kollozi mos të ketë privatizuar dhe ajrin.

Për të bërë këto ndërtime të paligjshme në kat të parë, mbi sipërfaqen e gjelbër janë prerë shumë pisha dhe bimë dekorative të tjera, është uzurpuar prona publike dhe shteti hesht.

Pastaj tek bregdeti historik që dihen çadra të vjetra e zhezlongë të qepur, shëmtuar, luftë plazhi privat dhe ai publik, muzikë  i thënçin që të shkatërron nervat, pleq me gomarë që bërtasin e shesin pjepra, dardhë, rrush e pjeshkë, ambulantë me gjithfarë bejtesh që ofrojnë fara lule dielli pafund, letra bixhozi, karroca me kinkaleri plazhi plastike, misra të pjekur te nxirë në fakt e përcëlluar, akullore  artizanale e cigare firmato, madje, tashmë dhe petulla, mafishe, gurabije që përtypen me aq qejf. Përtej grumbullit të disa familjarëve deri dhe 15 veta që pushojnë tek çadra ngjitur teje, hanë aty bukë e shalqi, bërtasin e hedhin plehrat ku dhe si të duan, por kjo pak rëndësi ka se, zgjidhet, problemi im është fshati dhe terrorizmi urban brenda “fshatit turistik” që asgjë s’e lidh as me turizmin elitar dhe as me jetesën  dhe bashkëpunimin apo përcaktimin e subjekteve, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe me të tretët, të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella, si dhe sanksionet përkatëse, në rast mospërmbushjeje të këtyre detyrimeve. E të gjitha do të harrohen, por me pishat dhe shkatërrimin e pronës publike të gjelbër çfarë patën? A do rikthehen ato dhe pishat e prera?

Të shpresojmë që po, sepse ndoshta ka ardhur koha që t’i jepet fund terrorizmit urban të pronës publike dhe në fshatrat urban, si dhe marrëzisë totale e mediokritetit turistik…

 Për të bërë këto ndërtime të paligjshme në kat të parë, mbi sipërfaqen e gjelbër janë prerë shumë pisha dhe bimë dekorative të tjera, është uzurpuar prona publike dhe shteti hesht.