Xhevdet ZEKAJ / Fitorja ndaj Sllovenisë shkëlqyeshëm, por…

63

Trajneri Xhani De Biazi fitoi bastin e tij me katër ndryshimet e guximshme që bëri nga humbja me Islandën

Pasi bërtita, u gëzova dhe u lumturova për fitoren ndaj Sllovenisë, lexova e dëgjova për ditë me radhë deklarata entuziaste pa kufi. Nuk e di përse gjithë kjo eufori dhe butafori, që buroi nga ushtria lajkatare e dirigjuar dhe komanduar nga shefat në qendër, më kujtoi skenën e filmit “Gruaja e Bukur”, ku e madhja Xhulia Roberts, duke parë një opera me Richard Gere, kur një zonjë mondane e pyet “a të pëlqeu opera”, ajo i thotë: Shumë, aq shumë sa desh e bëra çiçin në brekë… (sinqerisht, gjithë ky entuziazëm ballkanik më bëri të mendoj se sa shumë veta, për pak e kanë bërë çiçin në brekë, ashtu  si Xhulia). Fituam me meritë tri pikë dhe kaq! S’ka vend për ekzaltim e krenari superiore. Fituam në një fushë balte, ku sllovenët nuk dolën dot në më të mirën e tyre. Vetëm kaq, se po të kishim përballë islandezët e fizikshëm, do të dështonim sërish. Pra, ajo që na dënoi katër ditë më herët, na shpagoi katër ditë më vonë: pikërisht koha e keqe dhe me shi, çka e ktheu tapetin e “Qemal Stafës” në një gjol të vërtetë. Dhe situata të tilla të vështira infrastrukturore në futboll dihet qartë; ndihmojnë më të dobëtin! Pa dashur ta “korrektoj” vlerën e fitores, e cila erdhi në kulmin e kritikave dhe të një atmosfere dezilionuese kuqezi, do të theksoja se bastin e fitoi trajneri De Biazi me katër ndryshimet e guximshme që bëri ndaj Sllovenisë, çka ia mundësuan emrat e rinj e plot personalitet që ka afruar në kombëtare, si Mavraj, Berisha, Kukeli, Meha, Cani dhe Sadiku. Ndryshe, as Dallkun nuk do ta shihnim më së fundi në stol, pas disa gafave radhazi, që na kanë kushtuar pikë të humbura, as Salihin e Bogdanin si rezerva, dyshe e cila ka qenë titullare e padiskutueshme e sulmit kuqezi. Nuk mund të harrojmë gjithashtu se është dashur të flasin shumë aktorë futbolli për kthimin e Lilës në krahun e djathtë të mbrojtjes, të Agollit në të majtë, derisa këto këshilla të vlefshme përfunduan edhe në veshin e italianit të kombëtares. Edhe pse në konferencën për shtyp të para ndeshjes me Slloveninë i konsideroi “kritika dhe sugjerime njerëzish që s’e kanë idenë se çfarë ndodh në kombëtare”, De Biazi shkoi te këto ndryshime me mjaft vlerë, që u bënë pas shumë eksperimentesh pa sukses. Nëse fituam, them se ka qenë meritë e dyshes së mesfushës, Bulku dhe Kukeli, sepse Sllovenia ka qenë një nga ndeshjet më perfekte të tyre. Ata janë garanci e madhe për një mesufushë funksionale, organizative dhe produktive. Dy futbollistë me rendiment maksimal, por jo të lindur e kalitur në këtë lojë për të marrë përsipër dirigjimin e këtij reparti; pra të organizimit të lojës në kombëtare. Edhe kësaj here u pa qartë se nuk kemi një organizator klasik, dispeçer, dirigjent a t’ia vëmë si të duam emrin. I vetmi që rrezaton elegancë e vizion në këtë drejtim, që jep pasin e zgjuar, më duket Alban Meha. Madje, nëse mund të konstatoj ndonjë lëvizje plot risk të De Biazit në ballafaqimin me Islandën, kjo ishte ulja në stol e këtij futbollisti, që përmes këmbëve të tij doli në dritë edhe goli i barazimit të përkohshëm 1-1. Ndaj, tej problematikës së dëmtimit që mund të ketë pasur Meha, tej pozicionit ku mund të japë maksimumin në radhët e formacionit kuqezi, mendoj se është lojtari i domosdoshëm në këtë kombëtare. I pazëvendësueshëm, nëse nuk paraqet probleme dëmtimi apo të tjera të këtij lloji. Ndaj sllovenëve fituam tri pikë me shumë vlerë, por pamë që kapiteni dhe lideri ynë, Lorik Cana, nuk është në maksimumin e tij, madje jo rrallë ka gabuar. Ndoshta është koha që të avancojë në rolin e tij natyral, të një mesfushori, duke ia “hapur krahun” të rikthyerit Debatik Curri. Që në logjikën time do të përftonte një dyshe qendre solide e më të saktë me Mavrajn. Ky i fundit meriton vlerësimin maksimal, sepse për një kohë të shkurtër ka dëshmuar pozicionalitet, siguri, grinte, qetësi e qartësi në rolin që po kryen në kombëtare. Ndoshta ka qenë më i miri në dy kualifikueset e fundit.

Vërtet fituam ndaj Sllovenisë, por disa do ta kenë pësuar si Xhulia Roberts kur pa operën…, kur shikonin sa e sa topa të gjatë tek porta  kundërshtarit, që pothuajse të gjithë i humbitnim, sepse reparti i mesfushës nuk funksionon në planin e organizimit të lojës. A mund të thotë dikush se si e kemi qarkulluar topin, si kemi shkuar drejt portës kundërshtare, sa sulme graduale e me shumë pasime kemi kryer? Jo për të qenë kundra, sepse ndryshime për mirë u vunë re, madje entuziazmi ballkanik shkoi deri në orgazëm pas fitores së skuadrës sonë të 19-vjecarëve në Vlorë ndaj Belgjikës, ku disa kërkuan që “buzëqumështit” të vinin e të luanin në kombëtaren e Di Biazit, por të gjithë desh e bënë në brekë nga dështimi i atypëratyshëm me bjellorusët me 9 lojtarë në fushë. Dhe u renditëm të fundit në grup në këtë kompeticion dhe këtë grup-moshë, sepse harruam se si fitohet, se si ndërtohet fitorja në fushën e lojës e jo përmes deklaratash pompoze e plot eufori. Brenda katër ditësh, nga heronj e super të talentuar, kuqezinjtë 19-vjecarë mbetën si mbreti lakuriq në fushën e stadiumit të Vlorës…

Fituam me meritë e shpirt gare ndaj Sllovenisë, por po ta kishte parë Xhulia Roberts këtë ndeshje, do ta kishte bërë në brekë, bashkë me ata që fluturojnë pa krahë, sepse kombëtarja jonë përsëri shumë, shumë,  e parafundit në grup do të përfundojë, jo vetëm falë humbjes me Islandën, por edhe performancës së deritanishme. Kjo vjen ngaqë, para së gjithash, mungon futbolli i moshave, sepse kemi ende futbollistë të formuar përpara viteve 90-të, që po i “mjelim”. Pothuajse asnjë futbollist shqiptar si Tare, Lala, Duro, Vata, Kola, Jupi, Fortuzi etj, etj nuk po prodhojmë në dy dekadat e fundit. Dhe kërkojmë pastaj shpëtimin e vetëm te talentet tona, që janë përgatitur jashtë vendit, që shyqyr që i kemi, përndryshe do të degdiseshim si mos më keq.