Xhevdet SHEHU / Shqipëria, nga Bejkeri tek Hillari Klinton

675
Sigal

Sekretarja amerikane e Shtetit ka udhëtuar më shumë se askush tjetër në historinë e diplomacisë amerikane. Për herë të parë edhe në Shqipëri

Sot është një ditë shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë moderne. Mbërrin në Tiranë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton. Kjo vizitë bëhet kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga përmbysja e diktaturës komuniste. Dhe duhet kujtuar se Shtetet e Bashkuara kanë një kontribut të dorës së parë në atë përmbysje të madhe që ndodhi. Por, ndërkaq duhet theksuar se kemi një histori të lashtë të marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, fillesa e të cilave shtrihet edhe para Pavarësisë së Shqipërisë. Por, një kulm i ndritur në këto marrëdhënie është padyshim mbrojtja që Presidenti Uillson i ka bërë Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, duke e shpëtuar vendin tonë nga copëtimi i mëtejshëm prej fqinjëve grabitqarë. Veçohet gjithashtu kontributi i Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi ynë me luftën antifashiste u bë aleat me amerikanët, duke u renditur përfundimisht në anën e fitimtarëve të mëdhenj të asaj lufte. Pastaj kemi ngrirjen e këtyre marrëdhënieve për gati gjysmë shekulli… Ky shkrim mund të titullohej “Shqipëria, nga Uillsoni tek Hillari Klinton”, por kontributi i pandërprerë dhe në ngritje gjatë viteve të demokracisë na detyron të veçojmë këtë periudhë. Sepse në këtë periudhë Shqipërinë e kanë vizituar personalitetet më të larta të Shteteve të Bashkuara që flet për interesimin e tyre të spikatur në anën e shqiptarëve. Kështu pra, në vitet ’90 u hap një kapitull i ri i këtyre marrëdhënieve, pas 45 vjet ngrirjeje… Akulli u shkri, më në fund. Pritja madhështore që populli i Tiranës i bëri Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, më 22 qershor 1991, përveçse shënonte fundin e kësaj ngrirjeje të gjatë, ishte dhe demonstrim i kthimit triumfal  të amerikanëve në Shqipëri, si për të thënë se largimi i tyre atë ditë të vrenjtur nëntori 1946 ishte thjesht një incident… Bejkeri u shfaq si trupëzim i Mesisë për shqiptarët në një moment kritik. Më tej kemi vizitat e një pas njëshme të ish-Presidentëve Xhimi Karter dhe Xhorxh Bush, të ish-Sekretarit të Shtetit Kolin Pauell, të Sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt, për të arritur te vizita historike e Presidentit Xhorxh W. Bush më 10 qershor 2007. Ndërkohë, kemi një sërë transformimesh të rëndësishme demokratike dhe zhvillimesh pozitive të çështjes sonë kombëtare, sikurse janë çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO etj., të cilat nuk mund të realizoheshin kurrsesi pa ndihmën e veçantë të Shteteve të Bashkuara. Ndaj dhe vizita e sotme në Tiranë e Sekretares Hillari Klinton merr një domethënie të rëndësishme dhe do të mbetet si e tillë në kujtesën e shqiptarëve. Me siguri frytet e kësaj vizite do t’u japin një shtysë të re zhvillimeve shqiptare, natyrisht në rrugën më të mbarë të mundshme.