Xhevdet SHEHU / Përtej dhimbjes për Agron Çobanin

1265
Sigal

Na la Agron Çobani! Lajmi është më se i dhimbshëm për të gjithë ata që e njohën, punuan dhe e patën mik këtë intelektual të madhe dhe personalitet të shquar të gazetarisë shqiptare. Kështu e përjetuam ndarjen nga jeta të Agronit edhe ne gazetarët dhe stafi i gazetës “Telegraf”. Vitet e fundit Agroni kishte krijuar një lidhje të ngushtë miqësie dhe bashkëpunimi me gazetën tonë, në të cilën ai botoi një seri dosierësh me kujtimet e tij nga jeta si gazetar dhe drejtues i Radio-Televizionit shqiptar në vite. Mund të themi pa asnjë mëdyshje se kujtimet e Agron Çobanit të shkruara me një stil elegant profesionisti janë lexuar dhe kanë lënë mbresa të pashlyeshme tek lexuesit tanë si rrallëkush tjetër. Takoheshim shpesh tek kafeneja e tij e preferuar te Kullat binjake, në shoqërinë e miqve të tij të mrekullueshëm prej më shumë se dyzet vjetësh si Kiço Blushi, Kreshnik Tartari, Albert Shala, Enver Muça, Limos Dizdari e të tjerë. Shumëkush e shihte me zili shoqërinë dhe miqësinë e tyre të pandryshueshme nga vitet dhe stuhitë e kohërave. Ata mbetën miq deri në fund. Ndaj dhe tani që Agroni nuk është më, ata miqtë më të ngushtë të tij, janë bërë pjesë e familjes që pret ngushëllimet. Sepse Agron Çobani ishte për ta po aq i pazëvendësueshëm dhe i shtrenjtë, sa edhe për familjen. “Jemi krejtësisht të shushatur”, tha dje Kiçoja. Nuk e prisnim të në ikte kaq herët Agroni… Por, gjithsesi Kiçoja, Limosi, Kreshniku e miqtë e panumërt të Agronit dinë edhe të ngrihen mbi dhimbjen. Emri i bukur dhe i nderuar që la Agroni është një motiv force dhe krenarie. Në qoftë se në këtë botë jemi të gjithë mysafirë, padyshim që të gjithë mendojnë, ose duhet të mendojnë se ç’emër e ç’gjurmë lemë pas. Në këtë pikë Agron Çobani është për t’u patur zili. Jeta që ai bëri si gazetar, si krijues dhe si drejtues në Radiotelevizion, është për t’u patur zili në të gjitha aspektet. Ai para pak vitesh botoi një libër të mrekullueshëm me kujtime mbi punën në radiotelevizion, të cilin e njihte më mirë se çdokush tjetër, që në të vërtetë është historia e radiotelevizionit, është historia jonë, rritja jonë nëpër vite. Është padyshim një nga librat më të mirë me kujtime të shkruara në 20 vitet e fundit, është një libër manual me vlera të gjithanshme memuaristike, historike, letrare dhe gazetareske. Dhe ja, erdhi dita dhe Agroni na la! Tani për tani dhimbja është freskët dhe ndihet fort, por me kalimin e kohës, përtej dhimbjes do  të mbetet në kujtesën e të gjithë ai Agron i papërsëritshëm, i qeshur dhe hokatar, inteligjent dhe miqësor, do të mbetet zëri dhe imazhi i tij i papërsëritshëm si kronist ku rrezatonte vetëm dashuri, sinqeritet, mençuri…