Xhevdet Shehu / Paradoks shqiptar: Nuk dënohet fajtori, por dëshmitari

38

Ditët e fundit kanë bërë bujë skandalet në Ministrinë Mbrojtjes me tregtinë e armëve, të bëra publike nga deputeti socialist Erjon Braçe. Opinioni i gjerë priste se çoç do të ndodhte në këtë rast, meqë kishin kaluar vetëm dy javë pas heqjes së imuniteteve nga parlamenti. Dhe dy gjëra mund të ndodhnin: Ose ministri Imami të jepte dorëheqjen, ose prokuroria të fillonte menjëherë hetimet. Por ndodhi më e paimagjinueshmja: Paditet nga ana e Imamit deputeti Braçe! Madje Braçe njoftoi dje se ndihet i kërcënuar ai dhe familja e tij dhe për këtë akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha. Paradoks tipik shqiptar. Nuk dënohet fajtori, por ai që e sheh dhe zbulon fajin. Mjafton ky fakt për të kuptuar talljen e madhe që u bë me heqjen e imuniteteve. Këtij fakti mund t’i shtohen edhe mjaft shembuj të tjerë që e bëjnë më të qartë paradoksin. Për shembull, zvarritja e hetimeve për 21 janarin. Pasi na dolën krejt të pafajshëm ata që përgjakën bulevardin kryesor të Tiranës, tani thirren në prokurori ata që dolën për të protestuar në bulevard. Ndërkaq, trumbetat që ranë deri në shurdhim se me heqjen e imuniteteve korrupsioni do të bëhet zap dhe askujt nuk do t’ia mbajë të shkelë ligjet e shtetit, ishin thjesht një farsë politike. Me këtë farsë politikanët tanë kërkojnë t’u hedhin hi syve ndërkombëtarëve, por edhe ne shqiptarëve. Më së pari, ne qytetarëve të këtij vendi që e dimë se cilët janë këta politikanë që përbetohen aq shumë për ndershmëri dhe luftë kundër korrupsionit. “Toleranca zero” kundër krimit dhe korrupsionit na del në këtë mënyrë një zero me bisht.