Xhevat MUSTAFA/ Qeveria Rama, mbetëse për vjeshtë për “vitin e parë shkollor”

677
Sigal

“…Qeveria Rama mund të vlerësohet mbetëse për vjeshtë për vitin e saj të parë “shkollor”, në “lëndët” e luftës kundër korrupsionit, kriminalitetit e trafiqeve, papunësisë e varfërisë jo ekskluzivisht për shkakun apo fajin e trashëgimisë dhe pengesave të opozitës së tanishme. As për shkak të zgjerimit dhe rëndimit të pandalshëm të krizës ekonomiko-financiare. Pa i vlerësuar si krejt të pa ndikim këto faktorë, fajet dhe përgjegjësitë kryesore e përcaktuese, duhen kërkuar e mund të gjenden tek përzgjedhjet, vendimet dhe veprimet tejet subjektive dhe “amatoreske” të Kryeministrit Edi Rama e të ekipit të tij, që kutërbojnë edhe erë klani, nepotizmi dhe mungesë kolegjialiteti, transparencë e përgjegjshmëri ligjore….”.

 Meqenëse qeveria “Rama” e nisi ditën e saj të parë më 15 shtator 2013, gati me vitin shkollor 2013-2014, mund të bëjmë edhe një paralelizëm lidhur me vlerësimin për nxënësit apo studentit, si kalues apo mbetës. Duke u përpjekur të jem sa më i saktë do t’ i referohem disa fakteve apo shifrave të publikuara nga institucione shtetërore vendase apo ndërkombëtare në disa gazeta të përditshme, sepse kam bindjen se duke u mbështetur në faktet dhe shifrat, përjetimet dhe shfaqjet konkrete, është e pamundur që të bësh të zezën të bardhë dhe anasjelltas, dëshirën-sukses, mbetjen në vend ecje përpara, premtimin elektoral- vepër e realizuar, dështimin-fitore. Duhet të theksoj që në fillim, se disa nga këto fakte apo shifra nuk janë “fryte” vetëm të 9 muajve apo 300 ditëve të para të Qeverisë “Rama”, por i janë lënë në derë apo në kurriz, me apo pa dashje, me apo pa llogari paraelektorale, edhe nga Qeveria Berisha. Kështu, në raportin e Programit Ekonomik dhe Fiskal 2014–2016, deklarohet se borxhi publik i Qeverisë, në fund të vitit 2013 vlerësohet në rreth 883,849 milionë lekë. E thënë ndryshe, ky borxh përbën 65.08% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Por, nëse merren parasysh edhe detyrimet e prapambetura të Qeverisë, niveli i borxhit publik duhet të ketë arritur në 70.4% të PBB-së. Kompania britanike “Crovvn Agents”, që bashkëpunon me doganat shqiptare raportoi më 5 qershor 2014, se gjatë shtatë javëve të para skuadrat operative identifikuan më shumë se 350 raste të shmangies nga detyrimet doganore, thënë ndryshe, mbi 50 raste në javë, me vlera të mëdha financiare. Sipas një njoftimi të publikuar më 15 qershor 2014 nga Banka e Shqipërisë, janë rreth 53 milionë euro të transferuara jashtë prej bankave që operojnë në Shqipëri, vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2014. Sipas një llogarie për 10 vite rezulton, se kanë dalë nga Shqipëria rreth 8 miliardë euro. Kjo do të thotë se edhe gjatë rreth 300 ditëve të parë të qeverisë socialiste, Shqipëria vazhdon të jetë “parajsë” për Bankat dhe kompanitë e huaja. Banka e Shqipërisë, në një raport të saj, që i referohet një vrojtimi të kryer në tre muajt e fundit të vitit 2013, publikuar në gazetën “Shekulli” të dt. 17 maj 2014, rreth 55 % e familjeve mbyllin muajin me para borxh në dyqanet e lagjes ose lekë që marrin për afat të shkurtër nga të afërmit e tyre. Rreth 61% e familjeve huamarrëse i përkasin grupit me të ardhura mujore në kufijtë “17-50 mijë lekë”. Kjo gjendje mjerane konfirmohet edhe nga një raport i Eurostat-it, publikuar në mes qershorin e këtij viti. Të dhënat për frymë në vendin tonë janë 31%, ose sa 1/3 e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian, duke u renditur të parafundit në të gjithë Evropën e duke lënë pas Bosnje-Hercegovinën. Është shumë shprehës edhe studimi më i fundit, i fillim korrikut 2014, i Qendrës shqiptare për Kërkime Ekonomike, publikuar në gazetën “Shekulli”, më 3 korrik. Sipas tij, 29% e punësimit të përgjithshëm është informale dhe Shqipëria ka ende pagat minimale më të ulëtat në Europë. Lidhur me këtë shqetësim eksperti i Organizatës Botërore në Gjenevë, Denid Vaugham Vvhitchead, bën thirrje: “Paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Europë, më e ulët se në Bullgari apo Rumani, ndaj dhe është e nevojshme të kemi rritjen e saj, siç po ndodh në shumë vende. Paga minimale rritet duke pasur parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Çmimet rriten, ndërsa pagat jo, ndaj këtu kërkohet që të ndërhyhet”. Edhe pse e njeh mirë këtë realitet dhe reklamohet si e përgjëruar për rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve, qeveria Rama, paradoksalisht, ka vendosur ta bllokojë për 3 vjet rritjen e pagave të punonjësve të administratës. Ndërsa rritja e shpejtë e nivelit të punësimit ishte një nga premtimet kryesore elektorale të partisë dhe qeverisë Rama, Instituti i Statistikave, (INSTAT), sipas të dhënave më të fundit të tij, njoftoi se papunësia në Shqipëri, tani pas 9 muajsh apo pas 300 ditëve të kësaj qeverie, ka arritur në nivelin prej 15.6%, kuptohet pa llogaritur ushtrinë, ndoshta në numër të përafërt apo më të madh, të atyre që nuk janë regjistruar në asnjë nga zyrat e vjetra apo të reja të punës.

Duke i’ u referuar tani fushave të rendit dhe të kriminalitetit, Kryeministri Edi Rama e vlerëson ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri si më të suksesshmin në ekipin e tij gjatë 300 ditëve të para, duke e çuditur të parin atë vetë. Megjithatë, mjaftojnë vetëm tri shifra që ta vënë në pikëpyetje të madhe saktësinë e opinionit apo të iluzionit të kryeministrit. Brenda 6 mujorit të parë të vitit 2014 janë 11 vrasje pa autorësi, janë vrarë me atentate, 8 biznesmenë të njohur ligjërisht si të tillë dhe kanë kaluar nën hundët dhe nën mustaqet e policëve të Tahirit e të Didit, rreth 20 ton drogë, kryesisht kanabis, kapur nga doganierët dhe policët e Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Malit të Zi. Këto fakte e të tjera vërtetojnë se rendi e siguria janë të brishta, ndërsa krimi i organizuar tejet agresiv dhe me infrastrukturë të sofistikuar, i aftë për të realizuar skenare, trafiqe dhe vrasje të bujshme edhe në mes të ditës e të qyteteve dhe për ta lënë policinë në rolin e spektatorit. Për të mos i’ a ngrënë hakën Qeverisë “Rama”, do t’ i referohemi edhe disa fakteve dhe shifrave zyrtare, që flasin me gjuhën e saj apo në favor të saj. Padyshim dhe jo krejt pa baza, qeveria Rama do të llogarisë si kryefitore të saj marrjen më 24 qershor 2014, të statusit të vendit kandidat në BE. Ashtu siç pritej dhe brenda natyrës së tij, Edi Rama nxitoi të përvetësojë apo privatizojë në llogari të qeverisë dhe partisë së tij këtë fitore historike mbarëshqiptare, duke “harruar”, se ishin ai dhe partia e tij që e kishin bllokuar për dy vjet radhazi këtë akt dhe se opozita e djathtë, ndryshe nga ajo e së majtës, e mbështeti qysh në fillim si një e tërë e jo vetëm me Majlinda Bregun. Gjithashtu ai nuk pati burrërinë të pranonte se marrja e statusit ishte më shumë meritë e qytetarëve të Shqipërisë, e dashamirësisë dhe zemërgjerësisë së miqve të tyre në BE si dhe e krizës në Ukrainë dhe fare pak e politikanëve të Tiranës.

Edhe në propagandën për këtë rast u shpreh se Edi Rama përdor dy standarde apo dy palë syze për të parë rezultatet. Kur është fjala për të rrëmbyer meritat e sukseseve apo të fitoreve, siç ishte rasti i marrjes së statusit të vendit kandidat në BE apo i “aksionit me goditje të përqendruar” në Lazarat, 9-10 muaj jetë të qeverisë së tij janë të bollshëm. Ndërsa kur vjen puna për të pranuar gabimet, dështimet, skandalet, kritikat, përgjegjësitë është akoma shumë herët për të bërë analiza dhe vlerësime, sepse, sipas aritmetikës së tij 9-10 muaj janë akoma shumë pak. Është e pritshme që Operacionin e Lazaratit Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij do ta reklamojnë gjatë në vend e në botë si një nga sukseset e tyre më të mëdha gjatë 9 muajve të parë. Por, organizimi i tij vetëm pak ditë para marrjes së vendimit lidhur me statusin e vendit kandidat në BE, skenari dhe spektakli, shprehin hapur lidhjen me vendimin e 28 ministrave të jashtëm të BE-së si dhe naivitete apo “harresa” të qarta “regjisoriale”, montazhi e sinkronizimi. Gjithashtu, qeveria “Rama” mund të ndjejë kënaqësi, inkurajim eufori nga lajmi i gëzuar që ka publikuar INSTAT më 6 prill 2014, sipas të cilit ekonomia shqiptare ka shënuar 0.44% rritje në vitin 2013, në krahasim me vitin 2012. Po sipas këtij burimi në tremujorin e fundit të këtij viti, rritja ishte në masën 1.1 %. Por, do të jetë tejet e diskutueshme nëse mund ta regjistrojmë edhe këtë shifër si sukses apo fitore të Qeverisë “Rama”, kur ajo ishte vetëm 3- muajshe e për deri sa në xhepat e shpuar e në tavolinat e bukës të shumicës së qytetarëve nuk ka asgjë të re të gëzueshme, inkurajuese apo shpresëdhënëse. Përkundrazi, masat e qeverisë janë anemike dhe të paefektshme përballë “kafshimeve” të krizës.

Edhe pse mund të jetë sikur të kërkosh gjilpërën në mullarin me kashtë, megjithatë le t’ ia lëmë qeverisë të nxjerrë suksese dhe arsye për t’ u mburrur apo ngushëlluar në të dhënat e publikuara në fund të qershorit 2014 nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Sipas tij, deficiti tregtar i muajit maj 2014, është 23 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4.5%, krahasuar me maj 2013 dhe 6.2% në krahasim me muaj prill 2014. Në fushën e eksporteve u shënua një rritje me 8.7% në krahasim me muajin maj të vitit të kaluar, 2013 dhe 11% në krahasim me muajin prill 2014. Ndërsa në fushën e importeve rritja ishte 6.7% në krahasim me muajin maj 2013 dhe 8.7% në krahasim me muajin prill 2014. Gjithnjë sipas propagandës qeveritare në vargun e sukseseve të ekipit Rama, bëjnë pjesë edhe zyrat e reja të punës, që sipas hallexhinjve për punë të presin me buzëqeshje e të nxjerrin edhe më të stresuar, aq sa të mendosh edhe alternativën e vetëvrasjes, “ushtria” e rreth 30 mijë të punësuarve, e formuar pikërisht në këto muaj kur sipas INSTAT-it papunësia është rritur në 15.6 %. Nënkuptohet se në statistikat qeveritare nuk llogaritet se ka mbetur pa punë një ushtri tjetër, si rezultat i pushimeve për motive politike apo të shkurtimeve dhe falimentimeve të vendeve të punës. Si sukses ekskluziv personal i Kryeministrit Rama mund të vlerësohet mbingarkimi i tij me disa të drejta dhe kompetenca kushtetuese rrëmbyer presidentit të Republikës, për ta bërë atë sa më formal dhe ceremonial dhe vetveten të plotfuqishëm si Putini në Rusi, Erdogani në Turqi, Nursultan Nazarbajev në Kazakistan. Një tjetër sukses tjetër personal i tij mund të quhet ndryshimi fasadesk nga jashtë e nga brenda i disa ambienteve në godinën e Kryeministrisë.