Xhelil ALIU/ Të flasim shqip, por të merremi vesh!

640
Sigal

Para disa ditësh lexova në gazetën “Telegraf” një shkrim të mikut tim Kristo Mërtiri, një ndër gazetarët më të njohur, që shqetësohet seriozisht për hallet e vendit të tij. Përveç nivelit të shkrimit, të cilin Kristua e bën gjithmonë me ustallëk, më tërhoqi vëmendjen fokusimi i tij në disa deklarata të papërgjegjshme të bëra nga dy njerëz, jo si dokudo, por që mbajnë poste të rëndësishme në pushtetin aktual. Që të shprehet dikush publikisht në ekran, se, “nëse do të jetonte gjatë Luftës së Dytë Botërore, me shumë dëshirë do të donte të ishte ministër Kuisling”! Kjo flet ose për një disekuilibër mendor të atij që e ka thënë, ose për një bindje absolute, për të qëndruar kundër popullit dhe atdheut të vet. Kur kësaj deklarate i shtohet edhe një kërkesë e përsëritur e bashkëshortes së tij për prishjen e standardit të gjuhës, atëherë, kemi të drejtë të shqetësohemi seriozisht. Po ndalem te kjo e dyta, si një shqipfolës që më dhëmb seriozisht  gjuha e nënës sime. Është absurde këmbëngulja e disa njerëzve, që kanë marrë përsipër të shkallmojnë kështjellën e gjuhës sonë kombëtare, një ndër arritjet e pakta madhore të gjysmës së dytë të shekullit që kaloi. Në të folurën e përditshme është e njohur shprehja: “Shqip flasim, por nuk merremi vesh”. Kjo thuhet, kur ka paqartësi në shprehjen e mendimit, kur fjalia nuk është ndërtuar siç duhet dhe fjalët brenda saj nuk kanë zënë vendin që u takon. Ose, më keq akoma, ato nuk janë shqiptuar saktësisht, sipas rregullave të drejtshqiptimit të gjuhës. Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, me  shtimin e kontakteve publike, me botimet e shumta e jo rrallë pa nivel, me programet radiotelevizive e veprimtari të tjera masive, janë shtuar edhe rreziqet që i kanosen gjuhës. Jo pak ndikim për këtë jep edhe shpërndarja e shqiptarëve nëpër botë. Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, që kanë jetuar prej vitesh nën një pushtet të huaj dhe pa kontaktin e nevojshëm me shtetin amë, kanë fituar akcentin, ritmin dhe muzikalitetin e sllavishtes, aq sa ndonjëherë e ke të vështirë të dallosh gjuhën. Po ashtu ndodh edhe me shqiptarët që jetojnë në Amerikë, tek të cilët vërehen nuanca të anglishtes, dhe për fat të keq, këtyre ndikimeve nuk u kanë shpëtuar as shqiptarët e ikur pas ‘90-s në Greqi, Francë, Itali, Gjermani etj.. Ka prej këtyre të fundit, që vijnë e na i demonstrojnë këto devijime të gjuhës, si një arritje e tyre në shtetin, ku jetojnë. Madje, tashmë shihet si modë përdorja e fjalëve të huaja, të cilat tashmë i sheh edhe si emra lokalesh apo veprimtarish të ndryshme etj.. Siç vërente një e përditshme e jona para disa kohësh, “në vend të “mirupafshim”, tashmë kemi “tung”, “hi”, ciao”, “bye”. Jo pak njerëz  me formim të cekët kanë tendencën e të folurit me fjalë “të mëdha”, të cilave shpesh herë nuk u dinë as kuptimin. Madje, ka edhe ndonjë politikan mediokër që hipën në podiumin e Parlamentit dhe mban fjalime me fjalë të tilla. Ca më e keqe bëhet gjendja me disa gazetarë që shkruajnë nëpër gazeta, apo folës që përdorin fjalë të tilla nëpër mikrofonat e radiove dhe televizioneve. Po të shtojmë këtu edhe zhargonet e krahinorizmat që barten së bashku me ata që vijnë nga zonat rurale, atëherë mund të krijojmë një ide të qartë se ç’ndodh realisht me gjuhën standarde. E ashtuquajtura Demokraci shqiptare, krahas mundësive të mëdha që ka krijuar për t’u shprehur, ka shtuar edhe rreziqet që na kanosen nga ide e mendime të papërgjegjshme. Për interesa tepër të ngushta, për të mos thënë armiqësore, përcillet ideja e sundimit të një pjese të territorit mbi tjetrin. Periudha e komunizmit na quhet periudha e sundimit të jugorëve mbi veriorët, të cilët tashmë duhet të hakmerren për padrejtësitë që u qenkan bërë! Dashje pa dashje mendja të shkon tek ata që bënë krimin e pafalshëm me logjikën e “nivelit zero”, duke rrafshuar çdo gjë të ndërtuar në 50 vjet punë e përpjekje të një populli të tërë. Ata që shembën fabrika, uzina e kombinate, që prishën kanalizime e sistemim tokash, që shkulën vreshta e plantacione me pemë frutore, që shkatërruan sistemin arsimor e atë shëndetësor, që ç’ bënë artin dhe kulturën e këtij vendi, ata që shembën gjithçka, tashmë po punojnë për të shembur kështjellën e standardit ekzistues të gjuhës shqipe, duke shkuar drejt dy standardeve për ‘të. Kush janë këta partizanë të shqipes me dy standarde? Mos ndoshta duhet të flasim një gjuhë tjetër, meqë shqipen standarde e folën edhe komunistët? S’është çudi që të ngrihet ndokush dhe të thotë se edhe Shpallja e Pavarësisë duhet rishikuar, se u është bërë padrejtësi veriorëve, duke e ngritur flamurin në një qytet jugor të Shqipërisë, si Vlora. Është e drejta e gjithkujt që të merret me çfarë t’i dojë zogu i qejfit, për të treguar se është edhe ai këtu në këtë botë. Por, jo të krijojë probleme të paqena me gjuhën që është pasaporta e kombit shqiptar. Sepse, duke bërtitur me të madhe për padrejtësitë e njërit dialekt ndaj tjetrit, apo duke bërë botime me dialektet e dikurshme të gegërishtes, të cilën nuk e kuptojnë lehtë as vetë gegët, mund të kënaqen vetëm ambiciet e disa inatçorëve të çoroditur, por kurrsesi, nuk i vjen ndonjë e mirë gjuhës. Një frymë e tillë ka nisur të japë ndikimet e veta në të folurën e përditshme, sidomos tek një pjesë jo e pakët e kosovarëve, të cilët po priren nga dialektalizmat e thella, duke iu larguar standardit të gjuhës letrare. Unë nuk mund të marrë përsipër barrën e njerëzve kompetentë në fushën e gjuhës, të cilët kanë përgjegjësinë e madhe të ruajtjes dhe zhvillimit të saj. Por, shqetësohem kur shoh se në radhët e këtyre kompetentëve ka marifetçinj, që nuk ngurojnë të bëjnë pazare edhe në këtë fushë. Se si mund “t’u hapet rrugë dialekteve, por pa ndëshkuar standardin”, këtë mund ta dinë tamam vetëm autorët e këtyre ideve. Siç thoshte i ndjeri Arbër Xhaferi, “Dialektet i takojnë feudalizmit- standardi letrar, shoqërisë dhe shtetit modern”, dhe më poshtë vazhdon: “Standardi gjuhësor, mbase i vetmi ind që lidh shqiptarët e të gjitha anëve, tashmë shndërrohet në instrument që do t’i përçajë shqiptarët, jo vetëm në gegë e toskë, por edhe sipas kufijve politikë”. Siç po ecet, ka rrezik që të kërkojmë përkthyes për të biseduar kosovari me labin, tiranasi me Bujanovcin, Medvegjën apo Mitrovicën etj.. Këto debate, thotë Profesor Rexhep Qosja, “synojnë përmbysjen e parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar gjuha standarde dhe krijimin e një standardi të dytë të shqipes për gegët”. Pra, Zonja deputete, që jeni shprehur jo një herë për prishjen e standardit të gjuhës,  dialektet që kërkoni të ktheni ju, i takojnë feudalizmit dhe ju bëni gabim që jeni bashkuar me ata që marrin përsipër një përgjegjësi kaq të rëndë. Sepse dashje pa dashje, jeni bashkuar me ata që, nga padituria apo nga ligësia, heqin përditë nga një gur, duke rrezikuar që të na e shembin kështjellën e madhe të gjuhës të ndërtuar me punë e përkushtim. Për ta ruajtur gjuhën nga këto sulme  kërkohet mobilizimi i gjithkujt që flet shqip, e sidomos i specialistëve të fushës dhe strukturave shtetërore për t’u zgjuar nga përgjumja, ku hallavitemi përditë. Si një ndër ata që e përcjellin gjuhën në mikrofonat e radio-televizioneve të ndryshme, ndjej shqetësimin e madh për dëmin që po i shkaktohet gjuhës, si tapia e patjetërsueshme e kombit shqiptar. Edhe pse jemi vend i vogël, ne kemi një gjuhë të pasur në dialekte, disa prej të cilëve tepër të dallueshëm nga njëri-tjetri. Por, Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 i zbuti dallimet dhe krijoi gjuhën e njësuar shqipe, pra, u bë kodifikimi i gjuhës letrare, që është, siç ka shkruar Prof. Rexhep Qosja, përbërësi më i fuqishëm i identitetit të një kombi, shprehja më e lartë e njësisë së tij shpirtërore, dëshmia më domethënëse e përgjegjësisë së tij historike, para së gjithash, ndaj vetes”. Standardi i gjuhës ishte një fitore e madhe, falë së cilës sot, kudo nëpër botë, ku flitet kjo gjuhë, respektohen normat dhe rregullat që përcaktoi ai, Kongres i Drejtëshkrimit. Në të gjitha stacionet radiotelevizive të Shqipërisë, të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, në VOA, Dojçe Velle etj., në shtypin e shkruar dhe letërsinë e botuar, në mjediset publike, institucionet zyrtare, zyrat e shtetit e kudo tjetër flitet gjuha shqipe e njësuar. Pavarësisht nga nevoja që lind në ecuri e sipër, për të rishikuar gjëra të veçanta, Kongresi i Drejtshkrimit  të Gjuhës Shqipe ka qenë fitorja më e madhe e shqiptarëve në shekullin që kaloi, pas shpalljes së Pavarësisë. Këtë arritje dinë ta vlerësojnë shqiptarët e mençur, veçanërisht të njohurit në fushën e letrave, të politikës, ekonomisë e kudo, të cilët përdorin gjuhën standarde. Shembujt mbresëlënës të emrave të shquar nga trojet jashtë kufijve të shtetit shqiptar, si Rugova, Ajeti, Qosja, Hamiti, Vinça, Xhaferi, Ismajli etj., të cilët e kanë përdorur standardin në mënyrë shembullore, na bëjnë thirrje që të mos hutohemi nga erërat e këqija të momentit, por të shohim më larg, duke u kujdesur pa ndërprerje për ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës, në mënyrë që të flasim shqip e të merremi vesh.