Xhelil ALIU/ Qilizma e thellë që duhet bërë në RTSH

672
Sigal

Po të dëgjosh biseda njerëzish në rrugë apo kafene, e sidomos të lexosh opinione të ndryshme nëpër gazeta, konstaton një revoltë, gati deri në neveri, për të ashtuquajturin institucioni më i madh i medias elektronike në Shqipëri, i njohur me emrin RTSH. Është e trishtueshme, por realisht e vërtetë. Se përse e ka marrë këtë ngarkesë publiku ndaj RTSH, kjo dihet nga të gjithë. Shërbimi i tij deri në verbëri ndaj politikës dhe pushtetit arriti kulmin me drejtuesit e fundit, e sidomos me ish-drejtorin e lajmeve, një farë Kopani, i cili iku nga sytë këmbët pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Nëse votuesit e ndëshkuan PD-në, më 23 qershor, kjo edhe për atë shërbim të lodhshëm e të neveritshëm të Kopanit ndaj Berishës, i  cili i niste dhe i mbaronte lajmet me atë. Mua më çudiste vetë Berisha se si nuk u mërzit me veten, teksa dilte nga një kronikë e hynte në një tjetër në ekranin e TVSH-së, për 24 orë pa pushim. Dhe Beci nuk kishte kuraje që t’i thoshte një fjalë këtij Kopanit të ardhur aty me porosi të vetë Berishës.

I shumëpërfolur, i anatemuar, e i paragjykuar, me e pa të drejtë, RTSH ka vite që ecën kuturu, pa një objektiv të qartë dhe pa mundur të shkëputet nga ndikimi i politikës mbi të. Dëshira e mjaft punonjësve për të pasur një institucion dinjitoz e të paanshëm i përfshiu ata në lëvizjet demokratike të ‘90-ës, me shpresën se erdhi koha e realizimit të ëndrrave të tyre. Por, për fat të keq, shumë shpejt u pa se e ashtuquajtura sindikatë e atëhershme mori atributet e Partisë që hipi në pushtet, veçse tashmë me një emër tjetër. Ata, fanatikët e dikurshëm, nuk hoqën dorë nga fanatizmi i tyre, por, ndërruan vetëm ngjyrën e flamurit.

Dhe me këtë gjendje as mish, as peshk, RTSH u shty deri në 1997-ën, kur disa gazetarë të tij nuk mbajtën anën e popullit që protestonte, por të pushtetit që mendonte për bombardime me Lëndë Helmuese Luftarake.

Me ndërrimin e pushteteve dhe ardhjen e qeverisjes socialiste RTSH u hodh e u prit, sa në duart e Edi Mazit, te Ardian Klosi, derisa ra në dorë të një ustai si Artur Zheji, i cili gjeti aty parajsën për të zhvatur aq sa deshtë. Më pas vendin e Zhejit e zuri P.Beci, i cili trashëgoi jo pak gjëra nga stili i menaxhimit të paraardhësit të tij, sidomos në fushën e financave. Beci i ruajti strukturat e ngritura nga Zheji, me sekretare, me kabinete, me këshilltarë, me drejtori e sektorë, me borde e stërborde, të cilët vetëm se harxhojnë paratë e institucionit. Nuk dua të merrem gjatë me periudhën e drejtimit të RTSH nga P. Beci, pasi këtë e kanë thënë shumë njerëz në shtypin e përditshëm. Por, ajo që mendoj, personalisht, si një ndër punonjësit më të vjetër të atij institucioni, është një reformë urgjente dhe e thellë në tërë strukturat e RTSH. Aty paguhen me rroga të majme një numër i madh drejtorësh e shefa sektorësh, juristë, këshilltarë e shefa kabinetesh, të cilët spekulojnë me punën e rreth 50 gazetarëve e regjisorëve të Radios dhe Televizionit.  Administrata e Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH paguan mbi 75 vetë, me paga që shkojnë nga 50,000 më e ulëta e deri tek 180,000 lekë më e larta, ndërkohë që gazetarëve nuk u paguhen as dietat e shërbimeve. Shuma e parave që paguhet për administratën e Drejtorisë së Përgjithshme, për karta celulari falas dhe për Këshillin Drejtues të RTSH është e barabartë me pagën vjetore të rreth 300 gazetarëve apo regjisorëve.

Pa llogaritur shpenzimet e pa limituara për celularët e drejtorëve, plus normën e karburantit, plus shpërblimet që i vënë vetes për çdo festë apo aktivitet gjatë vitit, plus edhe udhëtimet që ata ndërmarrin herë pas here nëpër shtete të ndryshme, vetëm pagat e 5 Drejtorëve të RTSH me në krye Drejtorin e Përgjithshëm, i kushtojnë RTSH-së 8.2 milionë lekë të reja në vit, shumë kjo, e barabartë me pagën vjetore të 35 gazetarëve.

Ka disa struktura fantazmë, të cilat nuk dihet pse janë ngritur dhe çfarë bëjnë. Ato duket se janë krijuar vetëm për të bërë shef apo drejtor ‘iksin’ apo ‘ipsilonin’. Se, nuk mund të ketë shef apo drejtor me një apo dy punonjës, për të mos thënë që ka edhe nga ata që janë drejtorë vetëm të vetvetes. Një drejtori e Kontroll Revizionit atje është krijuar vetëm për t’i gjetur vend një Xhemal tropojanit. Xhemal katunari, siç e kishte emrin një personazh estrade, erdhi e zaptoi mjediset e ish parkut të RTSH, ku mori shtëpi e dyqane falas, madje ku nuk paguan as një qindarkë për drita e ujë. Nëse Xhemali do ta bënte vërtetë punën siç ja dikton emërtesa, atëherë çdo drejtori do t’i dridheshin gjunjët prej tij. Por Xhemal katunari nuk e bën dot punën, sepse drejtori ja ka litarin në fyt me ato prona që ai i ka zënë padrejtësisht. Dhe kështu Xhemal katunari vegjeton në drejtorinë e tij, sëbashku me nja tre a katër vartëse, që paguhen me rroga të majme, pa ditur as vetë se me se merren.

Fryma nepotike dhe tarafet në RTSH nuk janë një fenomen sporadik. Nëse hyn pak për të pyetur, do të zbulosh fijet e shumta që shkojnë taraf pas tarafi e mik pas miku. Ndërsa disa të tjerë i kanë ngulur aq thellë rrënjët e tyre, saqë tashmë e kanë vështirë ta mendojnë veten jashtë atij institucioni, të cilit ja kanë parë hairin jo pak.

Arben Mëhilli ka vite të tëra që është Drejtor i Drejtorisë së Stacioneve të RTSH. Edhe pse tashmë nuk funksionon as 20% e atyre stacioneve të dikurshme, ajo drejtori merr 45% të fondit vjetor të RTSH, një fond që nuk dihet se si harxhohet dhe për çfarë përdoret. Ish Man Kukaleshi i RTSH, siç e quanin F. Samarxhiun, bëri çmos derisa e riktheu aty dhëndrin e tij Kleart Duron, ish Shefin e Kabinetit të Zhejit, i cili është përfolur për një aferë 60 mijë dollarësh, që nuk u sqarua asnjëherë.

Duhet shkarkuar RTSH-ja nga barra e rëndë që mban mbi kurriz, duke ushqyer me paga e përfitime të majme disa njerëz mediokër që kanë ardhur aty vetëm si militantë partie dhe tashmë nuk ka zot t’i shkulë nga vendi. Pa folur për ata që punojnë gjetiu dhe rrogën e marrin në RTSH, aty ka shumë nga ata që duhet të ndjekin nga pas Kopanin e lajmeve të RTSH, i cili e kishte ndotur aq keq me informacionet që jepte, sa edhe vetë ndotjes i vinte ndot prej tij. Sepse për shkak të tij paguan haraçe, me e pa të drejtë, i tërë Radiotelevizioni shqiptar. Nuk janë të gjithë njerëzit atje si ai Kopani që iku apo ndonjë kopan tjetër që vazhdon të endet si hije nëpër korridore e zyra.

Lajmet zënë maksimumi 10-15% të kohës së transmetimeve atje. Por, pjesa tjetër nuk është lajm. Duhet bërë një ndarje e qartë e këtyre dy fushave. Lajmet janë si puna e një mikrobi të një sëmundjeje të keqe, i cili edhe pse nuk e ka prekur tërë trupin, njerëzit i rrinë larg prej namit të keq të atij mikrobi. Do të sugjeroja që lajmet të jenë një strukturë krejt e veçantë, që të mos ketë fare lidhje me Radion apo me Televizionin, ku duhet të prodhohen e transmetohen programe dhe emisione larg ndikimeve të politikës. Nuk mund ta shohësh me përbuzje një dokumentar të Ylli Pepos apo Petro Latit, vetëm se ai transmetohet në TVSH. Është absurde të paragjykosh një telereportazh apo radioreportazh nga Tropoja, apo nga Saranda, vetëm se ai është realizuar nga punonjës të RTSH-së.

Mendoj që aty duhet bërë një ristrukturim i thellë, së pari në strukturën konceptuale e programore të RTSH-së. Është e pafalshme që aty të mungojnë disa gjini tepër të njohura e të suksesshme që janë lëvruar dikur. Bie fjala, është harruar poezia, një ndër gjinitë më të dashura për mikrofonin dhe ekranin. Mungon reportazhi, mungon debati për fusha të ndryshme, mungon udhëtimi dhe pasqyrimi i jetës së shqiptarëve në çdo skaj të vendit dhe jashtë tij. O ka mundësi sot për punë të tilla, ose nuk ka pasur ndonjëherë. Por mungon dëshira dhe organizimi i punës në bazë të një plani të menduar e miratuar më parë. Është gjetur si modë vetëm puna me projekte, e cila natyrisht që nuk duhet neglizhuar. Por nuk mund të mbahet RTSH vetëm mbi bazën e projekteve, e sidomos me projekte që nuk realizohen nga vetë punonjësit e brendshëm të tij. Për interesa fitimi u hapet rruga të tjerëve nga jashtë institucionit, duke lënë jashtë vëmendjes ata që e mbajnë në këmbë RTSH.

Uroj që drejtuesit, që do të shkojnë, të mos kenë probleme me drejtësinë. Vetëm se ata nuk i marrin dot me vete gjynahet që mund të kenë bërë, as ata miq që i sollën aty e sistemuan me paga të mira, duke i lënë si barrë mbi shpinën e plakur të RTSH-së. Do ishte mirë që ata që nuk i kanë thënë asnjëherë mirëmëngjesi punës aty, të largohen vetë, së bashku me ata që e kanë mbushur moshën e dominosë. Duhet ushtruar një kontroll i imët në borderotë e financave, për të parë sa paguhen dhe ku janë të gjithë ata njerëz, pasi ka prej atyre që tashmë shkojnë direkt te bankomati, pa e parë as me sy RTSH-në, prej nga rrjedh pa pushim paga e tyre.

Ajo që ka rëndësi tani është gjetja e një stafi drejtues me dëshirë për punë, i cili të mos e ketë mendjen vetëm për të zhvatur e për të lozur bixhoz me paratë e RTSH, një staf që të vlerësojë njerëzit e punës dhe të bëjë programe për publikun e gjerë. Edhe Këshilli Drejtues, që do të zgjidhet, duhet ta thyejë atë koracë të ngurtë brenda së cilës kanë vegjetuar ca njerëz që as donin e as dinin se çfarë ndodhte në RTSH. Më së pari KD duhet të mos bëjë pazare me Drejtuesit e RTSH për të përfituar për vete, por të luftojë për interesat e publikut të gjerë. Dhe kjo arrihet po të mbahen lidhje e të merret mendimi i ustallarëve të RTSH, i atyre që e kanë rritur atë ndër vite, e jo i rrufjanëve, dredharakëve e kredharakëve të llojllojshëm që lëvrijnë nëpër korridore duke mbajtur nëpër xhepa flamurë të të gjitha ngjyrave. Kjo kërkon shumë qytetari e civilizim, si dhe një bashkëpunim të mirë të ekipit drejtues me tërë strukturat e RTSH-së, për ta nxjerrë këtë institucion nga gjendja ku e kanë katandisur. Publiku i gjerë pret shumë prej tij.