Xheladin ÇELMETA/ Statusi i ushtarakut, akti normativ apo një formulë tjetër?

679
Sigal

Mes mjaft shkrimeve të botuara vitet e fundit për ish ushtarakët, do të risillja në vëmendjen e lexuesit dy prej tyre; “Ushtarakët në rezervë, në kërkim të shtetit “biologjik” dhe “Ushtarakët, “qengji” i urtë që nuk “pi” asnjë nënë” të autorit Pandeli Bardhi. Normalisht, këto shkrime janë pjesë e pandarë e gjithë analizave të trajtuara nga autorë të ndryshëm për problemet e statusit të ushtarakut shqiptar (sidomos, për kohën kur ai del në rezervë). E  këtu mund të përmend edhe shkrimet problemore të botuara, si ato të Pëllumb Zaimit, Kadri Mukës, Zaim Kuçit, ish kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, z. Medi Pogaçe (ndarë nga jeta dy vjet më parë), etj., etj. Duhet thënë troç: Dalja në rezervë apo në pension të parakohshëm e ushtarakëve, është në fakt një ngërç i madh. Kjo, pasi ky është momenti që i cenon ata në mënyrë drastike, deri në kufirin e mbijetesës. Është thënë dhe vazhdojmë ta themi sërish, niveli i trajtimit financiar për këtë kategori të shoqërisë shqiptare, është qesharak, mjeran. Akti normativ, është telashi më i madh që e ka dramatizuar keqazi situatën ekonomike të familjeve të tyre. Niveli i trajtimit financiar i ushtarakëve në rezervë, gati barazohet me atë të një njeriu që nuk ka punuar asnjëherë në jetë(!). Kaq mjafton për ta kuptuar se sa anormale është kjo gjendje. Shtrohet pyetja: Kaq pa kontribute paska qenë puna e kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare që ju përgjigjën Atdheut cep më cep, përherë dhe në çdo moment, sa herë që ai kërkoi, deri dhe duke sakrifikuar jetën? Dëshmorët e Ushtrisë janë me dhjetëra… Po shihja një fotografi të kolegëve të mi, ish skënderbegas, të vitit 1974, koha e maturës. Brezi i bashkëmoshatarëve të mi ish skënderbegas, sot janë të gjithë 58 vjeçarë. I shihja një ditë që nga fotografia, një për një ata, u kujtoja emrat, dhe me ndihmën e një kolegu, nxorëm konkluzionin se asnjë nga ata sot nuk është më në ushtri. Kanë dalë nga “radhët e blerta”, një e nga një dhe më pas, rrugët e jetës ku nuk i kanë çuar: Ca në emigracion në ShBA, ca në Greqi a Itali, të tjerë në punë fare të papërshtatshme, qoftë edhe për moshën që kanë. Këta njerëz, qysh 14 vjeç veshën kapotën e rëndë të ushtarit, këpucët me kambale, dhe përballuan gjithë dinjitet e me guxim disiplinën spartane të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Në atë shkollë, për të qenë realistë, në kohën e diktaturës, asnjëherë nuk shkoi të studionte ndonjë fëmijë ministri apo “udhëheqësi”. Është apo nuk është kështu kolegë? Shokë të mi ish skënderbegas, që do lexoni këto radhë, ju lutem mos më lini të gaboj! Asnjë, për besë! Por kjo nuk ka rëndësi. Ish skënderbegasit ndërtuan gjigandin e dritës, Fierzën, gjelbëruan shkrepat e tharë të Ksamilit, ndërtuan hekurudhën Librazhd-Prrenjas. Ish ushtarakët, përgjatë karrierës së tyre nuk i thanë një herë “jo” detyrës, të bindur se çdo thirrje në një funksion a në një tjetër, është thirrje e Atdheut, që nuk duhet diskutuar. Ushtarakët iu bindën reformave demokratike të vitit 1990-1991, me një ndërgjegje të spikatur atdhetare, edhe pse ajo i la rrugëve, dhe pa asnjë pagese. Baballarë me uniformë, që gjithë jetën në karrierë, patën lënë shtëpitë e tyre, fëmijët e bashkëshortet, për të bërë “shtëpi të dytë” repartin ushtarak,… u ndodhën një ditë të braktisur, kur i “kositi” në masë reforma e parë “demokratike”. Dhe vazhdoi pastaj saga e mundimshme 7 vjeçare e tyre, deri sa, pas vitit 1998, kur qeveria e atëhershme nisi ti trajtojë me pensione normale. Por kjo nuk ishte e thënë të shkonte gjatë. U shpik “akti normativ”, në korrik të vitit 2009. Një formulë sharlatane, denigruese, antinjerëzore, që sot e kësaj dite asnjë ekspert nuk merr mundimin ta shpjegojë se përse duhet të qëndrojë akoma në fuqi ky akt. Sot, duhen orë pa fund leksionesh për të bindur ndokënd në realitetin që jetojmë, se përse kudo “ushtarakët janë një kategori e veçantë shoqërore”, se kështu i konsideron ata çdo vend i botës, çdo vend i Perëndimit, çdo vend i NATO-s, ku dhe ne jemi pjesë. Por le të hyjmë drejt e në temë: Ka ardhur koha që të shtrojmë pyetjen: Për ushtarakët në rezervë, do pranojmë Statusin e Ushtarakut, Aktin Normativ, apo do gjendet një formulë tjetër? “Or mik, çfarë po flet!?”, do thotë ndonjë zyrtar. “A jeton në këtë Shqipëri ti, apo ku…?”. Dhe me lapsin në dorë do bëjë përllogaritjen e pensionit, sipas Statusit të Ushtarakut. Pesëdhjetë përqind e pagës referuese, plus 2% për çdo vit mbi 15 vjet shërbim ushtarak, “del… (sipas tij), goxha i lartë…i afrohet gati pensionit të një deputeti(!)… Jo, kjo nuk shkon… Nuk kemi asnjë mundësi si shtet që ta realizojmë këtë gjë”(!). Kam parandjenjën e pagabuar se shumica e ushtarakëve në rezervë, gjykojnë se vërtetë kjo Shqipëri, kështu siç është sot për sot, kur fatura e dritave është kthyer në problemin kryesor të penaliteteve për qytetarët, nuk ka asnjë mundësi të garantojë një nivel të tillë pagese pensioni për ushtarakët në rezervë. Ndoshta një ditë…do gjendet mundësia. Kur të jetë forcuar e mëkëmbur ekonomikisht shteti. Po, se kur do jetë ajo ditë, ne nuk mund ta dimë kurrë. Atëherë, ndoshta edhe ushtarakët në rezervë nuk do të ekzistojnë më. Dhe shteti do jetë i qetë. Flas për shokët e mi ish-skënderbegas, që ashtu si edhe unë, marrin sot një pension qesharak. Qeveria shqiptare, ende nuk po del tek premtimi që u ka bërë dy vjet më parë ushtarakëve në rezervë, për “ngrirjen” e Aktit Normativ. Të paktën, qeveria ta kishte deklaruar publikisht qysh kur mori në dorë frenat e drejtimit të vendit. Të shprehej që “akti normativ”, ashtu sikurse ka edhe vetë emrin, “do jetë një gjë e përkohshme”. Por kjo nuk ndodhi. Dhe ushtarakët në rezervë, vazhdojnë të tërheqin pensionet nga sportelet, njëlloj si gjithë të papunët e këtij vendi, që marrin asistencën sociale. Po, a nuk kemi të bëjmë haptazi me një paradoks? Le të hyjmë tek logjika normale dhe të flasim me këmbë në tokë. A nuk do ishte më mirë një formulë e re, të paktën që të korrigjonte sa të ishte e mundur  padrejtësinë që po iu bëhet në vite ushtarakëve në rezervë? Pra, jo trajtim me formulën e Statusit, sepse kjo “i ktheka ushtarakët në rezervë, në shtresa të privilegjuara të shoqërisë(!!)”, por ndërkohë edhe jo trajtim me Aktin Normativ, se edhe ky i “skualifikon” fare, gati si të mos kishin punuar kurrë gjithë jetën e tyre. Atëherë? Të guxohet të gjendet një formulë tjetër, për momentin. Një formulë “e mesme” do të thoshim, që ata të meritojnë një standard ekonomik normal. Jam i bindur, se shumë kolegë do më kritikojnë për këtë parashtrim të problemit. Do thonë se me pa të drejtë ua kam kompromentuar kauzën, duke “lëshuar pe’” ndaj qeverisë. Por, në fakt me këto rreshta, unë desha të tërheq vëmendjen e tyre në një gjë që nuk mund të mohohet kurrsesi. Në metamorfozën e dhimbshme që ka ndodhur me “Statusin e Ushtarakut”, që konsiderohej “krenaria jonë”. Historia 24 vjeçare ka treguar se çdo “ndërhyrje” që është bërë në Status, në fakt nuk e ka përmirësuar situatën ekonomike të ushtarakëve, por përkundrazi, e ka përkeqësuar atë. Nuk dua të them fare këtu, se kush i bëri këto “mëkate” në Status,  PD-ja apo PS-ja. Jo, thjeshtë po pyes, a nuk do ishte më mirë një formulë e mesme për momentin? Asgjë të keqe, mendoj, nuk ka për ta diskutuar bashkërisht këtë gjë.