Xheladin Çelmeta/ Skandali i ISSH-së iu heq statusin ushtarakëve, pa VKM

645
Edhe pse “të blinduar” me ligje që mbrojnë statusin e tyre, duke filluar nga Statusi i viti 1991, e më pas, deri tek ligji më i fundit, Nr. 46/ 2016, datë 28.4.2016, i faljes së “borxheve” për shkak të procesit famëkeq të rillogaritjes të bërë në këto 6 vite të fundit, përsëri gijotina e ISSH-së shigjeton ushtarakët. Duke sajuar terma antiligjorë, si “vetëpunësim”, si dhe duke mos iu referuar qëllimisht germë për germë ligjit Nr. 10142, datë 24.09.2010, (në “pjesën III”, pika B, rreshti 11-12); ajo tashmë ka nisur të aplikojë në masë gjoba fiktive të pabazuara në asnjë dispozitë ligjore, një proces që po kthen, pjesën tjetër të ushtarakëve, pra, gati 70 për qind të tyre në debitorë të mëdhenj. Ku e ku më shumë nga debitë e deri tanishme, që fatmirësisht së shpejti do falen. Po tani po del një tjetër mesele. Duket se ky institucion, pra, ISSH-ja, po angazhohet me shumë zell për të krijuar me çdo kusht debitorë të rinj, pas daljes së fundmi të Ligjit Nr. 46/ datë 28. 4. 2016 “Për faljen debive ushtarakëve”. 
Që prej një muaji e ca, ka një reprezalje të tmerrshme. “Debi” të reja. “Debitë” aforfe, janë një lemeri e gjallë, pasi edhe termi “vetëpunësim”, ku mundohet me zor të mbështetet ISSH-ja, nuk ka asnjë bazë ligjore për t’u aplikuar. Është njëlloj, si të paguash për ajrin që ke thithur me vite të tëra, apo për rrezet e diellit që ke marrë! Nuk ka asnjë faturë dëmi, për të qenë i ndërgjegjshëm, se përse po e paguan debinë. Gjithçka është anormale. Është një gjobë totalisht antiligjore, në kushtet kur në gjithë legjislacionin aktual shqiptar për ushtarakët e Forcave të Armatosura, termi “vetëpunësimi” nuk ekziston, pasi ende nuk ka kritere ligjore për ta përcaktuar atë, apo më keq akoma, për ta zbatuar. Por ISSH është treguar “guximtare” dhe nuk ka pyetur aspak për mungesën e këtij ligji. Nëndrejtori i DRSSH-së Luan Lapraku, në përgjigjen zyrtare që i jep ushtarakut D. C, në kthim-përgjigjen ndaj tij, në mënyrë banale dhe të papërgjegjshme thotë se “jeni i vetëpunësuar në bujqësi”(!!!), ndërkohë që karriera e këtij ushtaraku është 35 vjeçare; 27 vjet si ushtarak aktiv dhe 8 vjet si ushtarak në rezervë(!). D.C, me 35 vite vjetërsi shërbimi, 61 vjeç, i cili qysh prej një muaji e ca, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë sqarim ligjor të ekspertëve të sigurimeve shoqërore është ndëshkuar tashmë me gjobën fiktive të ISSH-së prej 6.492.760 lekësh, gjë që ka sjellë uljen e pensionit të parakohshëm të tij, pasi ai merr vetëm një të katërtën e pensionit, pra, vetëm çerekun, ndërkohë që ka humbur tre-çerekun e tij. Duke e gremisur kështu në nivelin e 6 mijë lekëve në muaj(!). E paparë deri tani kjo.
Dhe jo për një vit, por për gjithë jetën e tij! Një masë e përhershme kjo për të, në kohështrirjen e një dekade të plotë, deri në 1 janarin vitit 2026(!!) po të jetë gjallë, sigurisht. Dhe nëse një ditë brenda kësaj kohe ai do vdesë, atij edhe kockat nuk do t’i rrinë rehat në varr, se kjo debi aforfe do ti mbetet fëmijëve të tij për ta shlyer. Kështu, deri në vitin 2026, ky ushtarak është përjashtuar nga e drejta e pensionit të parakohshëm dhe më vonë edhe nga pensioni i plotë, vetëm se kështu “e ka ndëshkuar” ISSH-ja, me “debi –aforfe”. Se kështu e ka firmosur e vulosur nëndrejtori i DRSSH-së, Tiranë, z. Luan Lapraku (me datën 2.06.2016). Shkurt, ky ushtarak i dalë me reformë (në rezervë) në vitin 2008, me banim në Tiranë që nga viti 1994, i cili në dosjen e tij personale në ISSH figuron ashtu sikurse është realisht: “I papunësuar”, dhe “Pa biznes, pra, i paregjistruar në Tatim-taksa”, edhe pse gjithë jetën e tij ja kushtoi karrierës ushtarake, gjithmonë larg familjes gjithmonë në vështirësi shërbimi; dhe duke dhënë kontribute për 35 vjet rresht, tani na del që i paska derdhur ato kontribute në shtet; jo për të siguruar jetën e tij në pleqëri, si gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi, por… për të “blerë” mjerimin dhe vdekjen e tij të ngadaltë. … Nëse e sjell tani ndërmend deputetin e nderuar Erion Braçe, në një seancë parlamentare të paradokohshme, kur tha se “Berisha i persekutoi ushtarakët, më keq se Hitleri hebrenjtë”, tani është tamam ky një rast tipik i sjelljes fashiste të ISSh-së ndaj një ushtaraku, si D. C, por dhe i të tjerëve më pas, që, siç duket, do të ndëshkohen pa ligj nga ISSh-ja. Dhe pa asnjë dyshim që do ndëshkohen, nëse shteti nuk ndërhyn menjëherë. Kjo kasaphanë e paralajmëruar nga mungesa e profesionalizmit të punonjësve të ISSH-së, duhet ndërprerë sa më parë. Për të gjitha rastet, kur është abuzuar qëllimisht nga ISSH për të hequr pensionin e parakohshëm të ushtarakut, edhe kur familja e tij ka përfituar tokë me “ligjin 7501”, ky institucion duhet domosdoshmërisht të mbajë në konsideratë të gjitha ligjet që trajtojnë të drejtat e ushtarakëve dhe përfititimet e tyre, por edhe ndërkaq edhe vendimin Nr. 482 të Gjykatës së Lartë, datë 17. 09. 2013, që “shkallmon” njëherë e mirë përdorimin e një termi të tillë antiligjor, si termi “vetëpunësim”, që ISSH, e përdor si “Gozhdën e Nastradinit”.
Ky problem është mbyllur një herë, e nuk ka arsye që ISSH të kthehet prapë në pikën zero. “Ekspertët” e ISSH-së, apo ai grup i vogël i njerëzve që janë aty, që kërkojnë me çdo kusht të jetësojnë një term ati-ligjor që nuk ekziston, duhet ta dinë mirë: Se vetëm në dy raste ushtarakëve iu ndërpritet pensioni i parakohshëm: Kur ai “rititullohet ushtarak aktiv”, si dhe kur “punësohet”. Ndaj edhe “debitë” e sajuara nga dispozita ligjore inekzistente, në fakt duhet t’ju shkojnë, jo ushtarakëve; por atyre që i kanë firmosur ato në mënyrë abuzive e antiligjore, dhe në rastin konkret zotit Luan Lapraku, nëndrejtor i DRSSH-së, Tiranë. Se kjo nuk ka emër tjetër: quhet ose paaftësi, ose papërgjegjshmëri, ose faj. Dhe për fajin dikush duhet ndëshkuar. Nuk ka asnjë kuptim logjik dhe juridik, që ushtarakët të jenë të përjashtuar nga e drejta e përfitimit të pensionit, kur familjet e tyre kanë përfituar tokë me ligjin 7501. Se ata, nuk janë ndryshe nga të tjerët; janë njëlloj si minatorët, arsimtarët, fermerët, inxhinierët, veterinerët, zooteknikët, mjekët, e si shumë nga profesionet e tjera në Shqipëri; të cilët; edhe pse kanë përfituar tokë me ligjin 7501, pensioni nuk iu ndërpritet. Për ndryshe, del që në këtë vend, ushtarakët u ndëshkokan në mënyrë raciste, për shkak të origjinës së tyre… “fshatare”(!). Ruajna Zot! Pensioni i tyre i parakohshëm, që është vetëm për meritë të punës në vite, dhe vetëm të atyre vetë; vetëm për shkak të kontributeve që kanë derdhur, e për shkak të detyrës që kanë kryer, nuk është “dhuratë” e falur nga dikush. Është vetëm djersa e derdhur nga ata vetë, ndaj dhe askush nuk ka të drejtë tua grabisë, siç po ndodh. Dhe kjo e drejtë Kushtetuese, nuk mund t’ju privohet apo t’iu kushtëzohet nga faktorë të tjerë. Ndaj ushtarakët kanë të drejtë të thërrasin me të madhe: “Shtet, na mbro nga ISSH-ja”. 
Sigal