Xheladin Çelmeta/ Shoqatat e ushtarakëve të mos bien në grackën e politikës!

206

Një vit elektoral si ky, drejt votimeve të 20013-ës, nuk do të thotë asgjë për ushtarakët. Për partitë politike, po. Kjo, ngaqë ushtarakët (në rezervë a lirim) të Shqipërisë kanë vite e vite që kërkojnë vetëm një gjë: Zbatimin e Statusit të tyre. Kjo është “fushëbeteja” e tyre, në kuptimin simbolik e racional të fjalës. Muajin e fundit, pamë të prononcoheshin për gazetën “Telegraf” dy kryetarë të shoqatave; përkatësisht ai i SHKURSH, zoti Mehdi Pogaçe dhe tjetri, ai i AKUSH, zoti Kujtim Çako. Njeri fliste për aktivitetin e kryer në Kopenhagen të Danimarkës në kuadër të CIOR-it, (Konfederata Ndëraleate e Oficerëve në Rezervë), tjetri për veprimtaritë e pritshme në tetor 2012, në kuadër të EUROMIL-it (Organizata e Ushtarakëve Europianë). Duke lënë mënjanë debatin për ekzistencën e disa shoqatave të ushtarakëve në vend (pasi kjo nuk ka më asnjë kuptim), mendoj se është me vlerë të shohim brendinë e problematikave që ngre SHKURSH dhe AKUSH. Në esence, asnjë dallim nuk ka në to. Ndaj e rithemi sërish: është koha që të lihen debatet pa bukë. Të mos ndodhë më, siç ka ndodhur deri tani, dhe të dilet drejtpërsëdrejti tek “Thembra e Akilit”, që është Statusi i Ushtarakut. Në prononcimin e kryetarit të AKUSH, mes të tjerave bie në sy një fakt: Me rastin e votimeve të 2013-ës, kjo shoqatë po planifikon tryeza me parti të ndryshme politike(!). Personalisht, nuk jam në gjendje ta kuptoj këtë synim të AKUSH. Pyes veten: Pse u dashka “kompromisi” apo “marrëveshja” me “x” apo “y” parti politike. Se takim pa një marrëveshje nuk ka. A nuk po e shohim se ç’fat patën sindikatat shqiptare, që në saje të “marrëveshjeve të suksesshme me Qeverinë” tani janë kthyer në forca gati in-ekzistente?  Ato tashmë thuajse janë shuar krejt. Hiq një Kol Nikollë, që sot e gjithë ditën duket se nuk preferon që shpirti sindikalist të shitet apo blihet me një marrëveshje kompromisi, sa për një…kacidhe. I dimë taktikat mashtruese që përdorin qeveritë, jo vetëm tek ne, por edhe në shtete të tjera, sidomos në Europën Lindore, ku demokracitë janë ende në konsolidim e sipër. Është synuar “përkëdhelja” e sindikatave me ca lëmosha, sa për t’u mbyllur sytë. Komuniteti i ushtarakëve (në rezervë a lirim), nuk duhet ta pasojë në këtë mënyrë. Shkurt, gjykoj se janë pa kuptim takimet me partitë politike. Kemi votën. E vetmja gjyle që na ka mbetur në dorë, me të cilën mund “të godasim” shënjestrën tonë. Në votime, gjithkush mund të vlerësojë vetë atë forcë politike, e cila ka aftësinë e duhur për të përmbushur synimet e Statusit të Ushtarakut. Mendoj se nuk është në natyrën tonë si ushtarakë që të komprometohemi. Partitë politike atë duan. Ata herë pas here ngrenë gracka për interesin e tyre elektoral, e më pas na harrojnë. Ndaj na mbetet të studiojmë mirë taktikat e tyre elektorale, për të ndarë të vërtetën nga mashtrimi. Objektivi i ushtarakëve është shumë i qartë: qoftë në rrugë institucionale, qoftë përmes protestave demokratike, ata duan Statusin e tyre. E kërkojnë këtë gjë, me këmbëngulje. E fituan ligjërisht atë në vitet e vështira të transformimeve demokratike në vend, gjatë ndryshimit të sistemit, në 1991-1992, por që nuk po iu aplikohet praktikisht në favor të tyre. E kam fjalën për trajtimin financiar kryesisht, por edhe për të tjerë elementë. Me të drejtë zoti Çako ngre një shqetësim: “Informohemi nga ministria e Mbrojtjes se prioritet do të jetë hartimi i një statusi të ri, që veç të tjerave, pa paragjykuar aspak, ndoshta do të sjellë një pasiguri të mëtejshme juridike”. Ky po, që është shqetësim real. Këtu duhet vigjilenca, (në plot kuptimin e fjalës) e të gjitha shoqatave të ushtarakëve: Që ky “ripunim” statusi të mos ngjasë. Këtu shoqatat e ushtarakëve duhet të tregojnë me fakte se janë “të ndara” vetëm formalisht, pasi në mendësi, në koncept, janë një. Të arsyetojmë më tej. Kryetari i SHKURSH, zoti Pogaçe i sapokthyer nga një takim në CIOR, pas informimit që i bën publikut për funksionimin e shoqatave të ushtarakëve në vendet e NATO-s, jep edhe një refleksion personal për mangësitë e organizimit të ushtarakëve në rezervë tek ne. “Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, thotë ai, nuk kanë lista të sakta të ushtarakëve në rezervë, nuk kanë numrat e telefonit të tyre për t’i thirrur e për t’i angazhuar në rast të një situate të jashtëzakonshme”. Kuptohet; kundrejt një pagese. Unë do të shtoja edhe plot mangësi të tjera si këto. Më e thjeshta: Ushtarakët në rezervë, nuk kanë një dokument identifikimi si të tillë. Përjashto librezën e pensionit të parakohshëm (e cila ka vetëm siglën e ISSH-së), asnjë dokument tjetër si ushtarak në rezervë ata nuk disponojnë. Personalisht kam një përvojë aspak të këndshme, teksa në postbllok në hyrje të Konvaleshencës së Ushtrisë në Durrës më kanë kërkuar dokument si ushtarak në rezervë në ditët përvëluese të gushtit(!). Me librezën e pensionit, ushtari roje më mori për një pensionist dosido dhe nuk më lejoi të bëja plazh. As vjet, as këtë vit. Histori vërtetë banale. Gjithsesi, kjo ka pak rëndësi. Puna është, si të imponojmë sektorin e Përkujdesjes Sociale në dikaster, që ajo të mos i shohë me shpërfillje ushtarakët në rezervë, por të merret me problematikat e tyre, ashtu siç ndodh në çdo vend të NATO-s. Ndaj e përsëris që nuk na duhen llafollogjitë boshe. Nuk kemi pse “ngremë furtunë në një gotë me ujë”, duke përsëritur retorikën e “ushtarakëve që na u grindkan me njeri-tjetrin për punë…. shoqatash”. Thjeshtë, këto janë histori të rëndomta, që as ja vlen të merresh. Tani ka vetëm një preokupim, vetëm një mision për t’u përmbushur: Të mos lejojmë që Statusi i Ushtarakut të degradojë me keq nga ç’është. “Legjislacionet nacionale duhet të shohin jo vetëm çështje të statusit e obligimit, të drejtën e përfitimeve sociale të ushtarakëve, por të mbulojnë gjithashtu mbështetjen e familjes së tyre e mbështetjen e së drejtës së punëmarrësve”, citohet në një paragraf të dokumentit të CIOR. Po ne ku jemi? Kush po interesohet tek ne se ku ndodhet ushtaraku në rezervë? Se ku banon ai? Se sa të ardhura ka në familje? Se i ka apo jo, fëmijët të punësuar? Jo, jo, asgjë nga këto nuk ka tek ne. Për këto gjëra, asnjë nga dikasteri nuk interesohet. Nuhatja e zotit Çako, se ndoshta statusi i ri mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën ekonomike të ushtarakëve në rezervë a lirim, është një alarm i vërtetë. E pamë se ç’ndodhi me “rishikimin” e statusit të paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe të verbërve. Statusi “i ri” atyre ua trazoi edhe më keq jetën, ua shtoi edhe më shumë vështirësitë. Pyetjet vërshojnë sakaq: Çdo të ndodhë me statusin e ri të ushtarakëve?  Ky, po që është një problem i madh. Për këtë duhet të mblidhen e të diskutojnë ushtarakët nëpër shoqatat e tyre. Më tej akoma: shoqatat e ushtarakëve duhet të atashojnë pranë ekipeve të punës në MM e ShP specialistë, juristë e avokatë, për të mos lejuar një përkeqësim të situatës financiare të tyre, nëse do bëhet një Status i ri. Mos ndodhë që ekzekutivi ynë të na e kthejë Aktin Normativ në “Ligj” në këtë dokument të rëndësishëm. Do të ishte një kundër-sens. Nuk ndodh kjo në asnjë ushtri të NATO-s. Në Statusin e ri që thuhet se po përgatitet të mos lejohen “hapa prapa”. Kësaj duhet t’i bëjnë parapritë qysh tani shoqatat e ushtarakëve shqiptarë.