Xheladin Celmeta : Shfuqizimi i menjëhershëm i aktit normativ që penalizon ushtarakët

539
Premtimi i pak ditëve më parë i ministrit të Mirëqenies Sociale e Rinisë, z. Blendi Klosi për ndërprejen e debive të krijuara për shkak të aktit normativ të vitit 2009 në pensionet e ushtarakëve, natyrisht që u përshëndet nga ana tyre, por ama, vetëm si hap i parë drejt zgjidhjes përfundimtare të problemit. Kjo, sepse ushtarakët gjykojnë se një zgjidhje gjysmake, nuk do të bënte gjë tjetër, veҫse do të legjitimonte një diskriminim të ri, një pabarazi të re përpara ligjit, brenda vetë komunitetit të ushtarakëve. Prononcimi i presidentit të Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, z. Kujtim Çako, në takimin në MMSR, ishte mëse i qartë, lidhur me thelbin e problemit: eleminimin e shkakut që solli këtë pasojë rrënuese tek ushtarakët në rezervë që trajtohen me pensione të parakohshme, qysh prej 6 vitesh e kusur, por edhe ata në lirim në përgjithësi, shfuqizimin urgjent të aktit normativ, që “iu rrëmbeu” atyre rreth ¾ e masës së pensionit që iu takon ligjërisht. Është momenti të ritheksojmë, se sot është në fuqi një mazhorancë politike, e cila para ardhjes në pushtet, premtoi se “një nga reformat e para për ushtarakët, do jetë ajo e pensioneve dhe ekskluzivisht shfuqizimi i aktit normative”. Dhe ku jemi tani? Pyesim: Kush e pengon sot qeverinë aktuale, që të paraqesë në Parlament për votim draftin për shfuqizimin e menjëhershëm të aktit normativ për pensionet e ushtarakëve? Ku është transparenca e qeverisë, lidhur me këtë problem? Cili është “boomerangu” në këtë mes; financat e pakta të buxhetit të shtetit apo numrat në Parlament? Pse u dashka të raskapiten ushtarakët pafundësisht për të marrë atë që iu takon me ligj? Fundja, votimi do ishte dhe një transparencë reale, për atë se ҫfarë mendojnë deputetët tanë, që prej kohësh ҫuditërisht “e kanë qepur gojën” për ҫështjen e shumëpërfolur të pensioneve të ushtarakëve. 
Premtim i Ministrit Klosi
Le të qëndrojmë tek problemi; tek premtimi i ministrit Klosi, për ndërprejen e debisë në pensionet e ushtarakëve: Nëse ushtarakët do të kënaqeshin për momentin vetëm me “gjysmën e gotës plot”, ky do të ishte thjeshtë një ҫast “solidarizimi” me qeverinë, do ishte thjeshtë një gjest, me synimin e mirë për ta nxitur atë që të ndërmarrë hapat e tjerë drejt zgjidhjes përfundimtare të ҫështjes së pensioneve, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Grupet e interesit, pra, ushtarakët me pensione të parakohshme, këto ditë kanë filluar të konsultohen me ekspertë të fushës juridike dhe po nxjerrin në dritë pasojat negative të zgjidhjes gjysmake të problemit të pensioneve. Dhe pyetja e natyrshme “a do të vihej në vend e drejta e tyre vetëm me ndërprerjen e debisë”, do kishte brenda edhe përgjigjen: Sigurisht që jo. Edhe nëse shpejt do krijohen grupet e punës për ndërprerjen e debisë së pensioneve të ushtarakëve, dhe do arrihej diҫka konkrete në këtë aspekt, qeveria nuk mund “të lajë duart” vetëm me kaq. Aministia debive është thjeshtë një detyrë e shtetit, pasi ai vetë e ka shkaktuar atë, dhe jo ushtarakët. E vërteta është se në këto gjashtë vite “përndjekje institucionale” ndaj ushtarakëve, gati ¾ e tyre tashmë i kanë shlyer debitë (e paligjshme), që nga viti 2009. Mbi pensionet e tyre, u bë një masakër e vërtetë. Kështu që, tani ka mbetur edhe një pjesë, e konsiderueshme gjithsesi, të cilëve vazhdojnë t’u mbahen lekët. Pamja bëhet fare e qartë, nëse një ditë qeveria, (sikurse u premtua) do zbatonte ndonjë plan konkret për stopimin e debive të ushtarakëve: Brenda vetë komunitetit të ushtarakëve do krijoheshin diferencat e pabarazisë ligjore. 
Trajtimi sipas ligjit
Ata ushtarakë që u trajtuan me ligjin normal të statusit, para aktit normativ dhe që ende nuk iu ka ardhur radha e rillogaritjes, nuk pësonin asgjë. Natyrisht ndjehemi mirë për këtë; se ushtarakët atë duan; që të trajtohen sipas ligjit të statusit. Por ndërkohë duhet thënë edhe tjetra: Si mund të kënaqet pjesa tjetër e tyre, që “la qimet e kokës” në sportelet e shtetit për shkak të aktit normativ? Si mund të kënaqet i tërë komunitetit i ushtarakëve me këtë “gjysëm zgjidhje”? Jo, jo; me përrallën e gjysma-gjelit, nuk mund të konsiderohet i mbyllur problemi i ushtarakëve. Këtë, ta dinë mirë shtetarët tanë. Lexova me vëmendje këto ditë, të gjitha informacionet e medias rreth takimit në MMSR, ku ministri Klosi artikuloi “krijimin e grupeve të punës me ekspertë nga dikasteret dhe mundësinë e ndërprejes së debive të ushtarakëve…”. Natyrisht, kjo nuk është një punë e shpejtë. E dimë se si ecin gjërat në këtë vend. Ndërkaq, “vjelja” e qindarkave të ushtarakëve do të vijojë gjatë këtij procesi, nuk dihet se në ҫ’limit. Po ndërkaq, presidenti i AKUSH, z. Çako, nuk la vend për ekuivok: Ai këmbënguli për zgjidhjen reale të ҫështjes: anulimin e debive në pensionet e ushtarakëve dhe pezullimin e menjëhershëm të aktit normativ. Në atë takim të palëve në MMSR, i pari i këtij lloji në vend, gjithashtu pati edhe një detaj, (për mua aspak befasues): Mungonin ekspertët e ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të Institutit të Sigurimeve Shoqërore(!). Ushtarakët në rezervë e në pension të Shqipërisë, të mësuar tashmë me “dredha zyrtarësh”, e kanë konsideruar me të drejtë këtë fakt, si një fyerje të radhës. Ata, që duhej të ishin të parët në këtë përballje, pra, ekspertët e shtetit, pikërisht ata i bënë bisht takimit. Kjo ndërkohë, të lë edhe shijen e hidhur, se problemi i zgjidhjes përfundimtare të problemit të ushtarakëve do jetë diҫka…e largët. Qofsha i gabuar! 
Sigal